TIRANE - Gjashtë personat e arrestuar dje, mes të cilëve edhe Drejtori i Antidrogës së qytetit të Fierit, Dritan Zagani, dyshohen edhe për trafik klandestinësh, krahas dyshimeve të hedhura për trafikun e drogës.
 
Sipas policisë dyshohet se të arrestuarit kanë trafikuar njerëz nga Greqia në Shqipëri, me destinacion drejt Malit të Zi dhe Italisë. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e dyshimeve për trafik klandestinësh nga të arrestuarit.
 
Ndërkohë vijojnë kërkimet për kapjen e një tjetër shtetasi të dyshuar si bashkëpunëtorë në kryerjen e veprës penale të “trafikut të narkotikëve” së bashkime 6 të arrestuarit.
 
Ditën e djeshme, pas një hetimi të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, u arrestua Drejtori i Antidrogës së qytetit të Fierit Dritan Zagani si dhe 5 personave të tjerë. Të arrestuarit e tjerë janë Edison Latifaj, 32 vjeç; Jorgo Naçi, 37 vjeç, Niko Brahimaj, 51 vjeç, Agur Malaj, 40 vjeç, ndërsa në Berat u arrestua Saimir Shosha, 31 vjeç.
 
Këta persona akuzohen se në nëtor të 2013, kanë tentuar të transportonin drejt Italisë 1.4 ton kanabis. Arrestimi i tyre u krye nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, të cilët sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe 9 mjete transporti, një gomone, si dhe 20 celularë.
 
Ndërkaq, të arrestuarit do të njihen ditën e nesërme me masën e sigurisë, ndërsa vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)