Shefi ekzekutiv i Formula 1, Stefano Domenicali ka komentuar rritjen e mundshme të numrit të skuadrave në kampionat, duke thënë se 10 ekipe janë “më se të mjaftueshme”.
Kjo deklaratë e italianit vjen në sfondin e procesit të kërkimit për skuadra të reja, të cilin FIA e nisi në fillim të këtij viti. Faza e parë e këtij procesi tani ka përfunduar pasi dritarja e aplikimit është mbyllur.
"Është një pyetje shumë interesante sepse ka këndvështrime të ndryshme dhe ka implikime ligjore të asaj që po themi", tha Domenicali kur u pyet se cili ishte numri i duhur i skuadrave. "Nëse vlera e një ekipi sjell rritje në sport dhe nëse është i qëndrueshëm dhe i vërtetë për të ardhmen duhet parë një perspektivë tjetër. Nëse konkurrenca po rritet siç shihet sot, atëherë 10 ekipe janë më se të mjaftueshme për të parë një shfaqje të mrekullueshme në pistë”, tha Domenicali.
Synimi i FIA-s është të shtojë dy skuadra të reja, për të bërë debutimin e tyre sa më shpejt në vitin 2025 dhe më së voni në vitin 2027. Vendimi përfundimtar nëse do të ketë rritje të ekipeve do të merret nga FIA.