-Krimet e Rënda kanë një impakt mjaft të fortë në opinionin publik, sa evidente janë?
Është e vërtetë që krimet e rënda kanë një ndikim të fortë në opinon, e lidhur edhe kjo me vetë natyrën e këtyre veprave penale si dhe me faktin që sigurimi i jetës dhe shëndetit të individit është prioritet kryesor i punës së policisë. Nëse do të marrim në analizë shifrat e kriminalitetit në krahasim edhe me vitin e kaluar mund të themi se 2012 ka qenë një vit i zakonshëm për këtë sektor duke mos pasur ndonjë rritje specifike. Por nëse do të marrim në shqyrtim statistikat, atëherë vlen për tu theksuar evidentimi i 17 operacioneve policore më shumë krahasur me të njëjtën periudhë për vitin 2011. Gjithashtu një fakt tjetër shumë i rëndësishëm dhe që duhet përmendur është zbulueshmëria e veprave penale me 2.7% për krimin e vrasjes. Mund të përmendim se disa nga krimet më të bujshme që u bë e mundur arrestimi i autorëve është rasti i argjendarit Rrapo Sinanaj. U bë e mundur arrestimi i Viktor Gushit dhe zbardhja e 15 rasteve te tjera të grabitjes. Viktor Gushi është autori i vrasjeve dhe një plagosjeje. U vunë në pranga autorët e një vrasje për hakmarrje në Mamurras, bëhet fjalë për ekzekutimin e gardianit të burgut 313 Ymer Hajdari dhe arrestimi i dy vëllezërve Xheçuka në kufi në tentativë për tu larguar.
-Si paraqitet situata për krimet kundër jetës, meqë është vepra penale më e prekshme dhe sensitive?
Stastika është një prej indikatorëve më themelorë për të treguar situatën me kriminalitetin. Nëse do të bëjmë një krahasim mes dy viteve në sektorin e krimeve kundër jetës shifrat tregojnë një balancë. Gjatë këtij viti janë evidentuar rreth 124 vepra penale, prej të cilave janë zbuluar 110 ose 89% ose 7 vepra me shumë. Kjo do të thotë se rritja e forcës zbuluese është me 34% krahasuar me të njëtën periudhë për vitin 2011. Seksioni kundër krimeve ndaj jetës dhe lirisë së personit ka evidentuar 112 vepra penale, zbuluar 98 ose 87%. Ndonëse rezultateve të arritura për këtë vit po vazhdon puna jonë intensive për zbulimin dhe zbardhjen e disa ngjarjeve të vjetra. Këtu mund të përmend arrestimin e autorit të vrasjes së mbetur në tentativë në 27 tetor të vitit 2011 në Qytet Studenti pas një konflikti për motive banale. Këtë vit kemi rinisur hetimet për 6 ngjarje të vjetra të ndodhuar pas vitit 1997. Përparësi është puna intensive që po kryhet nga grupet hetimore për zbulimin, dokumentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vrasjes së farmacistes Megi Jakiçi, ngjarje e ndodhur me 2 shkurt të këtij viti gjatë një përplasje mes dy grupeve të armatosura. Një tjetër rast është zbardhja e plotë e vrasjeve të Mamurrasit, po flas për ekzekutimin e Mark Shkretës. Kjo ngjarje është e lidhur me Jetmir Llanin, i cili u arrestua vetëm para dy ditësh në Firencë për llogari të drejtësisë shqiptare.
-Doja t'iu pyesja për hetimet për rastin Eleni Basho?
Rasti i Eleni Bashos është ndër ato ngjarje, për të cilat po kryhet një punë intensive për dokumentimin e plotë. Me datë 14 maj Gjykata e Tiranës vendos lënien e tij të lirë të bashkëshortit me arsyetimin e mungesës së plotë të provave për vërtetimin e akuzës. Nga ana jonë po vijojnë hetimet mbi bashkëshortin e saj Ilia Basho dhe lidhje të tija të ngushta. Ndër indiciet kryesore ka qenë deklarimi i tij se kishte humbur celularin, e cila do të shërbente si provë për të këqyrur thirrjet e fundit telefonike dhe mesazhet. Ilir Basho deklaroi se celularin e kishte humbur, por në të vërtetë ai e kishte fshehur për të mos u gjetur personat me të cilët kontaktoi natën e vrasjes. Ky fakt përbën një element dyshimi për zbulimin e të vërtetës dhe bashkëpunëtorëve të tij në krim. Njëkohësisht në këtë çështje po punohet për të gjetur se ku u zhdukën 25 mijë euro. Ilia Basho pretendon se lekët ia kishte dhënë bashkëshortes së tij, dhe në dëshminë e tij ai dyshonte se qëllimi i vrasjes mund të ketë qenë grabitja. Por në të vërtetë nuk u gjetën asnjëherë 25 mijë euro, të cilët nuk i posedonte bashkëshortja e tij. Dyshimi është se kjo shumë parash mund të jetë përdorur nga Ilia Basho si shpërblim ndaj bashkëpunëtorit të tij që kreu vrasjen. Vetëm këto detaje mund të zbuloj, pasi çështja Eleni Basho është ende nën hetim dhe duhet pritur përfundimi dhe zbardhja e ngjarjes.
-Një ngjarje tronditëse ka qenë ekzekutimi me tritol i zv/menaxherit të fabrikës së çimentos, ku janë përqendruar hetimet?
Anuar Rizik, 43 vjeç, mbeti i vrarë mëngjesin e së martës së 8 majit të këtij viti, kur pranë derës së jashtme të oborrit të shtëpisë së tij shpërtheu një sasi eksplozivi e ngjashme me një bombë artizanale. Gjithë hetimi është përqendruar tek ngjarjet e ndodhura në fabrikën e Fushë-Krujës, ku përfshihen banorë të zonës. Kjo ngjarje ka qenë pak e mundimshme për ne, pasi u kamuflua me përdorimin e lëndës shpërthyese tritol. Nga analiza shkencore kemi arritur në përfundimin se lënda plasëse është tritol që përdoret nga banorët e zonës për shpërthimin e çimentos. Jemi duke bashkëpunuar me policinë e Durrësit dhe seksionin e Krimeve të Rënda për zbërthimin e çdo detaji për këtë ngjarje. Cilësimi i kësaj vepre penale është vrasje me paramendimin me motiv ushtrim presioni. Autorët e këtij rasti donin ti linin një mesazh pronarit të fabrikës duke vrarë Anuar Rizik, dhe mesazhi ishte që nëse duam mund të të vrasim edhe ty. Dyshimet tona janë mbi një grup personash, të cilët merrnin pagë fiktive.
-Si paraqitet situata për veprën penale të grabitjes me pasojë vdekjen?
Kemi arritur që të zbardhim tre ngjarje mjaft të rënda. E para është rasti i vrasjes gjatë tentativës së grabitjes së argjendarit Rrapo Sinanaj dhe arrestimi i Viktor Gushit. Ngjarja e dytë është vrasja e Fatbardha Tafës tek zona e Fushës së Aviacionit. Policia arriti identifikimin dhe vënien pas prangave autorin e krimit Aldo Hoxha. Rasti i fundit është i biznesmenit Petrit Kurti, i cili u vra branda marketit të tij në Yzberisht. Brenda dy muajsh arritëm të zbulonim autorin që fshihej pas këtij krimi dhe të arrestonim Jashar Metan.
-Është diskutuar problemi i fondeve dhe pamjaftueshmëria e tyre, si qëndron e vërteta?
Fondet ndahen për shpërblimin e burimeve të informacionit dhe për operacione të veçanta policore, të cilat janë standarte. Me këto të ardhura është bërë e mundur mbulimi i të gjithë sektorëve dhe nuk ka pasur mungesa ose probleme. Fondet janë të mjaftueshme për të përballuar punën dhe të përmbushur të gjitha nevojat.
Intervista u publikua ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)