Shefi i NATO-s në Uashington për Ukrainën

Shefi i NATO-s në Uashington për Ukrainën

Stoltenberg dhe Biden në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti Biden priti të hënën në Shtëpinë e Bardhë shefin e NATO-s, më pak se një muaj përpara se aleanca perëndimore të mblidhet në takimin e saj vjetor në kryeqytetin amerikan. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, dy udhëheqësit biseduan lidhur me mbështetjen afatgjatë për Ukrainën, ndërsa ky vend përballet me agresionin rus.

Ndërsa Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut shënon 75 vjetorin, Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg mbërriti në Uashington për diskutuar planet për takimin e korrikut, ku do të flitet për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën në luftën kundër agresorit rus.

Presidenti Joe Biden e vlerësoi punën e aleancës duke thënë se një “numër rekord” vendesh po përmbushin angazhimin ndaj NATO-s për të shpenzuar për mbrojtjen të paktën 2 për qind të prodhimit të brendshëm.

“NATO-ja u themelua 75 vjet më parë. Është e rëndësishme të thuhet se mësimi që kemi nxjerrë është uniteti i aleancës për të mbrojtur dhe frenuar agresionin. Nën udhëheqjen tuaj, NATO është bërë më e madhe, më e fortë dhe më e bashkuar se ndonjëherë”, iu drejtua Presidenti Biden zotit Stoltenberg.

Më herët të hënën, zoti Stoltenberg tha se aleatët e NATO-s kishin dhënë mbështetje "të pashembullt" për Ukrainën. Ai tha se kjo do t’i kushtojë aleancës të paktën 45 miliardë dollarë në vit.

“Në takimin e korrikut pres që udhëheqësit e tjerë të pajtohen që NATO-ja të udhëheqë koordinimin dhe ofrimin e ndihmës së sigurisë dhe trajnimit për Ukrainën. Kjo është arsyeja pse propozova një zotim financiar afatgjatë me fonde të reja çdo vit. Sa më e besueshme të jetë mbështetja jonë afatgjatë, aq më shpejt do ta kuptojë Moska se nuk mund ta zgjasë konfliktin, dhe aq më shpejt do të përfundojë kjo luftë. Mund të duket si një paradoks, por rruga drejt paqes është më shumë armë për Ukrainën”.

Analistët thonë se këto diskutime po përcaktojnë axhendën për takimin e ardhshëm.

“Megjithatë, çështjet kryesore janë se çfarë i thotë aleanca Ukrainës pas premtimeve për mbështetje gjatë javëve të fundit? Cila do të jetë natyra e marrëdhënieve NATO-Ukrainë? NATO-ja po merr përsipër nga Shtetet e Bashkuara ndihmën ushtarake dhe koordinimin e trajnimit ushtarak për Ukrainën. Një hap madhor që po ndodh aktualisht”, thotë Dan Hamilton me Institutin Brookings.

Javën e kaluar, Presidenti i Ukrainës e vlerësoi një marrëveshje sigurie 10-vjeçare me Shtetet e Bashkuara, duke thënë se kjo hap rrugën për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

"Çështja e NATO-s përfshihet në tekstin e marrëveshjes. Ajo thotë se Amerika në të ardhmen mbështet anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe e pranon se marrëveshja jonë e sigurisë është një urë për anëtarësimin e Ukrainës në NATO”, tha Presidenti Zelenskyy.

Kjo urë mund të jetë e gjatë, thotë analisti Hamilton, duke vënë në dukje se edhe vendet e tjera po ndërmarrin angazhime dypalëshe me Ukrainën.

“Në thelb, disa prej tyre po zotohen për mbrojtje reciproke. Të tjerë premtojnë mbështetje ushtarake për një periudhë më të gjatë kohore. Kështu që ukrainasit mund ta llogarisin këtë mbështetje”, thotë Dan Hamilton me Institutin Brookings.

Analisti thotë se në radarin e NATO-s është edhe mënyra se si mund të përfundojë lufta, siç është ndërgjegjësimi në rritje për kërcënime përtej Atlantikut të Veriut, sikurse pasqyrohet edhe nga planet e udhëheqësve të Japonisë, Australisë, Koresë së Jugut dhe Zelandës së Re për të marrë pjesë në takimin e NATO-s që fillon më 9 korrik në kryeqytetin amerikan./ VOA

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria luan ndaj Kroacisë sfida e dytë në Euro 2024, kush fiton?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Moment epik para ndeshjes, policët gjermanë futen në valle me tifozët e Shqipërisë

VIDEO/ Moment epik para ndeshjes, policët gjermanë futen në valle me tifozët e Shqipërisë