2020 ka qenë një vit sprovash, tragjedish dhe lotësh, një vit që vazhdon të shkretojë dhe të shkaktojë viktima të reja ndërsa COVID-19 po zgjerohet, është shprehur kështu Antonio Guterrez, sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.

Antonio Guterres, shpërndau një mesazh shprese dhe shërimi për vitin e ri, për qindra miliona njerëz në gjithë botën, jeta e të cilëve është prekur nga pandemia e COVID-19 në vitin 2020.

Pandemia, tha ai, ka rritur në shkallë të reja varfërinë, pabarazinë dhe urinë.

"Por viti i ri ndodhet para nesh. Me të, ne shohim rrezet e shpresës: njerëzit që u japin një dorë ndihme fqinjëve dhe të huajve. Punëtorët e vijës së parë duke dhënë gjithçka. Shkencëtarët që zhvillojnë vaksina në kohë rekord. Vendet që marrin angazhime të reja për të parandaluar katastrofën klimatike".

Guterres tha se ndryshimi i klimës dhe pandemia janë kriza që nuk kapërcehen lehtë. Duhet punë e madhe, sipas tij, përkushtim dhe mbi të gjitha një gatishmëri e të gjithë njerëzve për të punuar së bashku për të njëjtin qëllim. 2021 mund të jetë një vit i tejkalimit të ndarjeve që u përkeqësuan nga infeksioni vdekjeprurës dhe ekonomitë e rrënuara, nëse njerëzit punojnë së bashku.