Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtnant Arben Kingji, mori pjesë në takimin e Komitetit Ushtarak të NATO-s në Kopenhagë, ku u diskutuan hapat pas Samitit të NATO-s në Ankara, me fokus forcimin e parandalimit dhe mbrojtjes kolektive, inovacionin dhe teknologjinë, si dhe mbështetjen për Ukrainën.
Kingji bëri të ditur se në takim theksoi angazhimin e Shqipërisë për përmbushjen e objektivave të Aleancës dhe zhvillimin e kapaciteteve të nevojshme për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe infrastrukturës ushtarake.
Në fokus të angazhimit shqiptar është edhe forcimi i infrastrukturës së Mbështetjes së Vendit Pritës, vijimi i kontributit në misionet dhe operacionet ndërkombëtare, si dhe mbështetja për misionin e KFOR-it në Kosovë, me synim garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Një nga elementet e veçanta të përmendura nga Kingji është bashkëorganizimi nga Shqipëria i stërvitjes shumëkombëshe “Steadfast Dart 27”, e planifikuar për vitin e ardhshëm, e cila synon të kontribuojë në rritjen e gatishmërisë dhe ndërveprueshmërisë së forcave të Aleancës.
Në konferencën e Komitetit Ushtarak të NATO-s në Kopenhagë, krerët e mbrojtjes të 32 vendeve aleate zgjodhën gjeneralin gjerman Carsten Breuer si kryetar të ardhshëm të Komitetit Ushtarak. Breuer do të marrë detyrën në verën e vitit 2027, duke pasuar admiralin italian Giuseppe Cavo Dragone.
Komiteti Ushtarak është autoriteti më i lartë ushtarak i NATO-s dhe përbëhet nga shefat e mbrojtjes të vendeve anëtare.










Komente
Komento