TIRANË - Në javën më kritike të shpërthimit të koronavirusit, identifikohet pozitiv me COVID-19, shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj. Lajmin e ka bërë publik ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ku thotë se doktor Brataj është konfirmuar pozitiv ditën e sotme pas kryerjes së analizës për COVID-19. 

Ministrja e Shëndetësisë tha se deri tani gjendja e tij paraqitet e stabilizuar dhe doktor Brataj ndodhet në vetëizolim, në shtëpinë e tij.

"Uroj me shpirt ta kalojë sa më lehtë këtë situatë dhe t’i bashkohet sa më shpejt, i shëruar plotësisht, ekipit tonë që po lufton çdo ditë me këtë armik!", tha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manasterliu.

Doktor Bratajn e kemi parë mjaft aktiv që nga shfaqja e koronavirusit në Shqipëri, me thirrje të shumta ndaj qytetarëve për të qëndruar në shtëpi. Për shqetësimin më të vogël shëndetësor, telefononi numrin e urgjencës 127, ishte apeli i përsëritur i tij. 

Ditën e djeshme shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, është parë edhe pranë Spitalit Infektiv, me maskë, siç është ky moment në foton e shkrepur gjatë ditës së djeshme nga LSA.

Ende nuk dihet se nga është infektuar me koronavirus drejtori i Urgjencës Kombëtare. "Askush nuk e di nëse është i prekur apo jo, edhe unë mund të jem i prekur", është shprehur në një nga intervistat për Report Tv, Skënder Brataj.

Bashkë me doktor Bratajn, numri i mjekëve të prekur me COVID-19 shkon në 10. Një mjek u infektua nga pacientja që humbi jetën e para me koronavirus, në Spitalin e Durrësit, ndërsa 8 mjekë të tjerë janë tek "Shefqet Ndroqi" (Sanatoriumi), të cilët u infektuan nga vizitori i një pacienti që e kishte fshehur që kishte qenë në Itali. Ishte pikërisht ky i prekur që infektoi me COVID edhe të afërmin e tij që ishte tek Sanatoriumi për probleme me mushkërinë, ku pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore ndërroi jetë.


 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:06
U infektua me koronavirus, flet për herë të parë kreu i Urgjencës Skënder Brataj

1583841682_brataj.jpg

Kreu i Urgjencës kombëtare Skënder Brataj ka reaguar për herë të parë pas infektimit me koronavirus. Në një mesazh në faqen e tij në rrjetet sociale, ai thotë se ka një gjendje të lehtë të sëmundjes dhe se po kurohet në banesë, ndërsa ka një ulje të temperaturës krahasuar me dy ditë më parë. Brataj ka një thirrje për qytetarët duke u kërkuar që të qëndrojnë në shtëpi.

"Mirembrema te gjitheve. Ju falenderoj pa mase per interesimin tuaj te sinqerte. Vertete eshte shume emocionuese per mua ky reagim solidariteti nga ana juaj. Une aktualisht kam nje gjendje te lehte te semundjes dhe tani po kurohem ne banese. Temperatura ime ne kete moment eshte vetem 37,5 nga 39,5 qe ishte dy dite me pare. Ne personeli mjeksor dhe mbeshtetes, nuk i shmangemi dot betejes, linjes se pare per te cilen jemi pergatitur.

Eshte normale, qe sado masa parandaluese te marresh, ne front mund te demtohesh ne kete lufte te padukeshme, ndersa Ju mundeni te ekspozoheni sa me pak. Behuni ju te padukshem per koronavirusin! Qendroni ne shtepi! Tani edhe une do te punoj nga banesa per disa kohe,sepse mundet! Te gjithe bashke do tja dalim! Ju pershendes" shkruan ai.

Ora 14:42
Kreu i Urgjencës me COVID-19/ Meta: Shërim të shpejtë doktor Bratajt, të forcohen masat mbrojtëse për mjekët

Presidenti Ilir Meta uroi shërim të shpejtë për Drejtorin e Urgjencës Kombëtare, Dr.Skënder Brataj, i cili sot pas kryerjes së testit rezultoi pozitiv me COVID-19.

"I shpreh solidaritet edhe familjes së tij në këto momente të vështira, besimplotë se sërish do t’i bashkohet ekipit të mjekëve në vijën e parë të luftës me pandeminë COVID19", shkruan Presidenti.

Kreu i shteti ngre nevojën që të forcohen masat mbrojtëse për personelin mjekësor.

"Është tepër e rëndësishme dhe prioritare të forcohen masat mbrojtëse për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës, të cilët me përkushtim, profesionalizëm dhe sakrifica të jashtëzakonshme janë të ekspozuar përballë një rreziku të madh, në mbrojtje të shëndetit të çdo qytetari", thotë Meta.