Shërbimi i Urgjencës Kombëtare Mjekësore do të vijojë punën pa ndërprerje gjatë festave të fundvitit, në koordinim me sistemin shëndetësor parësor dhe spitalor në të gjithë vendin, për të garantuar shërbime të menjëhershme dhe cilësore për qytetarët.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, së bashku me drejtorin e Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, inspektuan sot kantierin e ndërtimit të qendrës rajonale të Urgjencës Mjekësore në Vlorë, ku u njohën nga afër me masat e marra për përballimin e fluksit gjatë festave.
Brataj theksoi se kapacitetet e shërbimeve janë forcuar veçanërisht për datat 31 dhjetor dhe 1–2 janar, të cilat konsiderohen si ditët me ngarkesën më të lartë për urgjencën. Sipas tij, janë shtuar ekipet mjekësore gjatë natës së ndërrimit të viteve, medikamentet dhe materialet mjekësore, si dhe është vënë në gatishmëri personel rezervë, në veçanti në Tiranë dhe në Spitalin e Traumës.
“Janë tri ditët e impenjimit tonë më të madh dhe shqetësimit në lidhje me traumat që mund të ndodhin nga aksidentet, përdorimi i alkoolit apo përdorimi i mjeteve piroteknike. Kemi shtuar ekipet natën e ndërrimit të viteve, kemi shtuar medikamentet dhe materialet mjekësore. Kemi po ashtu edhe një listë me personelin e gatishmërisë nëse do të jetë e nevojshme, në veçanti në Tiranë, në Spitalin e Traumës”, tha Brataj.
Ai bëri të ditur se ekipe shtesë vetëshërbimi do të jenë të pranishme pranë shesheve ku zhvillohen aktivitetet festive, për të reaguar në kohë ndaj çdo situate emergjente natën e vitit të ri.
Nga ana e saj, ministrja Sala falënderoi stafin e Urgjencës Kombëtare për profesionalizmin dhe përkushtimin, duke theksuar se gatishmëria e tyre është një garanci për sigurinë dhe mbarëvajtjen e festave.
“Gatishmëria juaj është një siguri për qetësinë, mbarëvajtjen e festave dhe gjithë sistemin shëndetësor”, u shpreh ministrja Sala.
Sipas urdhrit të ministrisë, spitalet dhe Urgjenca Mjekësore do të jenë në shërbim 24 orë gjatë gjithë periudhës festive, veçanërisht në datat 31 dhjetor 2025 dhe 1-2 janar 2026.
Komente










