Shqiptarja.com vazhdon sot publikimin e pjesës së fundit të letrës së pazbuluar deri më tani që ish-anëtari i përjashtuar i PPSH-së dhe Zëvendëskryeministri i vendit i dërgonte shefit të tij partiak. Publikimi i përmbajtjes së letrës bëhet për herë të parë. (Foto nga e majta në të djathtë Beqir Balluku Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu në vitet 60)
Pjesa e tretë e letrës
Pjesa e dyte e letrës
Pjesa e pare e letrës
Beqir Balluku, ish-ministri tashmë i shkurorëzuar e rrëzuar nga froni, në dukje shumë i lodhur, i plakur, i stresuar e i sëmurë rëndë, siç dëshmojnë edhe raportet nga ajo kohë, vendos t’i shkruajë një letër të gjatë vetë Enver Hoxhës, ku mundohet t’i japë shpjegime e për më tepër t’a sigurojë se ai do t’i mbetej besnik deri në vdekje kauzës së Partisë së Punës.
Fundi i letrës së Ballukut në fakt përbën edhe pjesën më të rëndësishme të saj, pasi ai ka mbaruar tashmë me shtjellimin teknik të çështjes së lindjes, hartimit dhe mbështetjes së të ashtuquajturave “teza të zeza” që binin në kundërshtim me ato të Këshillit të Mbrojtjes.
Në faqet 41-46 të letrës, ai tashmë ka vendosur të shpalosë kërkesën e tij për t’u vënë në shërbim të partisë “edhe me punë krahu” nëse ajo do ta kërkonte, duke pranuar se atij nuk mund t’i lindte e drejta të bënte as kërkesën më të vogël ndaj Partisë pas asaj që kishte bërë, dhe në fund i drejtohet Enver Hoxhës me fjalët: “.. të eci përpara si qytetar i thjesht e patriot në rrugën e lavdishme që udhëheq partia me në krye shokun Enver, kjo ësht kërkesa e ime e vetme në kët moment tragjik të jetës t’ime”, duke mos harruar që të shtojë se “i lutem partisë që të më japi mundësinë të filloj jetën rishtazi” apo se “fëmijët e mij dhe i tërë rrethi i im familjar ..të ecin në rrugën e jetës si bij e bija të saj e jo si armiq klasor”.
Do të ishte e tepërt të komentoje fjalët e Ballukut në këtë letër, duke pasur parasysh gjendjen e tij, e të besosh nëse ato ishin vërtetë ato çka ai mendonte në shpirt e në mendje, apo ishin thjesht mënyra e vetme për të shpëtuar atë çka mund të shpëtonte nga e gjitha kjo tragjedi, ndërkohë që fati i tij tashmë dukej i vulosur.
Sidoqoftë, duke pasur parasysh edhe dëshmi të tjera historike si dhe rrëfimet e herpashershme të ish-hetuesit të tij, Kristofor Mertiro, ish-vartësve e kolegëve, si dhe dëshmitarëve të kohës, Beqir Balluku ka besuar deri në fund jo vetëm tek kauza e PPSH-së dhe tek Enver Hoxha si lider i saj, por edhe tek mëshira e këtij të fundit, çka na shtyn të besojmë se edhe kjo letër ishte një përpjekje serioze me besimin se ai do të falej.
Më poshtë përmbajtja e plotë e pjesës së fundit të letrës së Beqir Ballukut, (marrë nga Arkiva Qendrore e Shtetit, shih: F. 14. /AP STR V.1974, D. 250, fl. 1-46 ), e cila ashtusikurse në tri numrat e mëparshëm, transmetohet nga origjinali, e pakorrektuar sipas normave aktuale drejtshkrimore të gjuhës shqipe.
* * *
BALLUKU: S’IA MOHOJ MERITAT PETRITIT
Me gjithë pikëpamjet e kritikat që i kam bërë Petritit un nuk kam mohuar kurrë aftësitë e tij eksperiencën e stazhin e gjatë në ushtri pra duke bërë kët propozim un kam menduar me bindje e ndërgjegje të plotë se n’përputhshmëri me gjendjen e tij shëndetsore dhe stazhin e gjatë në shtatmadhori ay ësht adapt në postin e ministrit.
Përsa i përket sektorit të punës ku mund të punoja un i kam thënë shokut Hysni se un jam i gatshëm kudo që të mendojë partija, por pamvarsisht se kam menduar se mund të kontriboja në aparatin e kryeministrisë ku të merresha me sektorin ushtarak M.e R. sigurisht mendoja që në kët rast ky sektor të riorganizohej e plotësohej, për të përballuar drejtimin e punës e përgatitjen e organeve shtetrore.
Në përfundim të ksaj letre un i jam drejtuar partisë e shokut Enver me ndjenjën e ndërgjegjen e plotë të pendesës, për gabimet e fajet e rënda që kam bërë, i bindur plotësisht për drejtësinë e masave ndëshkimore të marra ndaj meje, dhe i lutem asaj nxehtësisht të më fali për dëmet që i kam sjellë.
“RASHË VIKTIMË E PRESIONIT REVIZIONIST”
Partija e shoku Enver qysh në moshën 24 vjeçare me dhan dorën më edukuan dhe më udhëhoqën në luftën fisnike për çlirimin, ndërtimin e mbrojtjen e atdheut t’onë socialist, dhe sot me gjithë moshën t’ime të pjekur e stazhin e gjatë në gjirin e partisë, un rash viktimë I presionit të ideollogjisë borgjezo-revizoniste, dhe në kët moment tragjik të jetës t’ime, ajo bëri të gjitha përpjekjet për të më shpëtuar e korrigjuar nga kjo sëmundje e rëndë, ky qëllim nuk u arrit për fajin tim.
Me gjithë se un tani nuk kam asnji të drejt morale t’i baj partisë edhe kërkesën më të vogël, por me gjithë atë po i drejtohem me lutje zemrës së madhe të kësaj mëme fisnike që të më fali për gabimet e fajet e rënda që kam barë, dhe të mos më rreshtoj në radhët e armiqve të saj, por të më konsideroj si ish birin që ka gabuar rëndë, dhe që kërkoi dorën e fuqishme të saj, për të dalë nga bataku i botës së urryer borgjezo-revizoniste, dhe të eci deri në fundin e jetës t’ime me kauzën e saj si patriot.
I LUTEM PARTISË, MË LINI TË VDES SI PATRIOT!
Un i lutem nxehtësisht partisë që kët pjesë të shkurtër të jetës t’ime ka kaloj me qëllim në jetë, për kët arsye të ma japi mundësinë që atë ta kaloj në gjirin e shoqërisë t’onë socialiste me dëshirën e gatishmërinë e zjarrtë që edhe un të jap nji kontribut të vogël në betejën për ndërtimin socialist të vendit kudo që të shifet e arsyeshme, bile me gjithë moshën e gjendjen shëndetsore jam i gatshëm edhe në punë krahu me qëllim që kët pjesë të jetës ta ngrys jo në anën tjetër të barrikadës, por në anën e partisë e popullit, se pse nga interesat e kauza e tyre nuk ka pasur e nuk do të ketë ndo nji motiv që të më ndaj, un nga rëzimi e penalizimi i ideollogjisë së huaj dua të ngrihem të mos qëndroj në llumin e saj, por të eci përpara si qytetar i thjesht e patriot në rrugën e lavdishme që udhëheq partija me në krye shokun Enver, kjo ësht kërkesa e ime e vetme në kët moment tragjik të jetës t’ime.
“JETA IME, NË DORË TË PARTISË”
E siguroj partinë e shokun Enver se me gjithë gabimet e fajet që kam bërë, për shkaqet që shtjellova më lart të cilat i dënoj me ndërgjegje të plotë, se në zemrën e mendjen t’ime nuk ësht shuar e nuk do të shuhet kurrë dashurija ndaj partisë e shokut Enver.
I lutem partisë që të më japi mundësinë të filloj jetën rishtazi, i lutem që me shpatën e saj të mpreht, të presi nga rrënjët pjesën e keqe të jetës t’ime që të vetë në varr jo si armik i partisë e popullit, por si qytetar i thjesht patriot, dhe që fëmijët e mij dhe i tërë rrethi i im familjar që jan të lidhur si mishi me kockën me partinë dhe që dënojn me ashpërsi gabimet e fajet e mija të ecin në rrugën e jetës si bij e bija të saj e jo si armiq klasor.
E përfundoj kët letër me ndërgjegje të tronditur dhe i penduar për gabimet e fajet që kam bërë dhe i bindur se damet që i kam sjellë partisë nuk lahen as me jetën t’ime e cila ësht në dispozicjon të partisë në ç’do moment.
Afirmoj solemnisht para partisë e shokut Enver se me gjithë gabimet e fajet që kam bërë në zemrën e mendjen t’ime aktualisht jo vetëm nuk ësht shuar por në të kundërtën ësht shtuar urrejtja kundër armiqve imperialisto-revizionistë dhe besimi e vendosmërija për të luftuar e fituar kundër tyre si në fushën politike, ideollogjike dhe për t’i dërmuar e asgjesuar në luftën e armatosur.
Rroft partija
Rroft shoku Enver
Me respekt të thellë ndaj partisë K.Q e shokut Enver
Ish anëtari i partisë
(Beqir Balluku)
Roskovec më 18.9.1974
LETRA E BALLUKUT U SHKRUA MES DY PLENUMEVE POLITIKE
Periudha kur u shkrua letra e Beqir Ballukut përkon me fazën përpara zhvillimit të Plenumit të 6 të K.Q. PPSH në datat 16-17 dhjetor 1974, i cili realisht vulosi fatin përfundimtar të tri gjeneralëve “puçistë”. Nisur nga kjo, merret me mend se edhe shpresat e Ballukut për t’u mëshiruar mund të ishin të justifikuara, çka e forcon më shumë pikëpamjen e shprehuar më lart se ai mbeti me shpresë se Enver Hoxha do t’a vinte dorën në zemër.
Sigurisht se plenumi paraardhës, mbajtur në datat 25-26 korrik 1974, dhe letërkëmbimet mes Hoxhës, Kapos dhe Shehut, të cilat do të zbuloheshin shumë vite më vonë në faqet e shtypit shqiptar, kishin shtruar me kohë terrenin për eliminimin e tyre, gjë që do të ndodhte më 5 dhjetor 1975.
Gjykimi i tre gjeneralëve do të zhvillohej në datat 31.01.-05.02.1975 në seanca të Gjykatës Speciale Ushtarake dhe do të ishte thjesht një pohim i akuzave të bëra më parë nëpër forumet apo “gjykatat” e partisë. Gjykata konkludoi në vendimin e saj me dënim më vdekje “me pushkatim” për tre gjeneralët: Balluku, Dume dhe Çako, kurse të akuzuarin e katërt si pjesëtar “aktiv në komplot”, gjeneral Rrahman Parllakut e dënoi me 25 vjet, shumicën e të cilave ai i vuajti gjatë viteve të mbetura të diktaturës dhe sot është akoma gjallë.
Ekzekutimi i tri gjeneralëve dhe dënimi me burg i gjeneral Parllakut nuk do të ishin të vetmit. Ato do të pasoheshin nga një numër dënimesh me afate të ndryshme, degradime e një valë terrori të pashembullt mbi ajkën e kuadrove të Ushtrisë shqiptare, e cila do të njihte dhe një valë tjetër spastrimesh në vitin 1982-1983, para se Shqipëria të rrëzonte përfundimisht diktaturën.
IRONIA E FATIT, EDHE SHEHU I SHKROI HOXHËS PARA VDEKJES
Letra e Beqir Ballukut nuk do të lexohej vetëm nga Enver Hoxha. Ajo do të shkonte me porosi të këtij të fundit edhe në duart e Mehmet Shehut, i cili e mori në dorëzim atë nga Haxhi Kroi, ish-sekretari personal i Hoxhës. Është jo vetëm interesante, por edhe e dhimbshme të mendosh se Shehu, e kthen mbrapsht atë duke e injoruar me arrogancë e mospërfillje.
Shehut arsyetimi dhe kërkesat për falje e mëshirë të Ballukut në ato 46 faqe, ndërsa vuante i sëmurë rëndë në internim, i ishin dukur thjesht dhe vetëm: “Demogagji, hipokrizi, llafollogji, frikë - mbrojtje e trashë”.
Paradoksalisht, të njejtën rrugë do të zgjidhte pas 7 vitesh edhe vetë Shehu, i cili ndryshe nga Balluku, nuk mundi ose nuk deshi t’i nënshtrohej dot as “gjyqit të partisë” e as atij të “drejtësisë” së kohës, duke i shkruar personalisht Hoxhës, një letër të gjatë, e cila është zbuluar shumë vite më pas ( nga historiani Paskal Milo në fillimvitet 2000), por gjithsesi para letrës që Balluku i shkroi Hoxhës në vitin 1974, të cilën Shqiptarja.com e botoi të plotë në katër numra rresht vetëm gjatë kësaj jave.
I NJEJTË DHE AI I DUMES DHE ÇAKOS
“Përgjigja” E Hoxhës dhe fati i Ballukut
Ndërkohë nuk na dëshmohet dot përgjigja e Enver Hoxhës, e cila sigurisht se tashmë njihet nga të gjithë, pasi ajo u përcoll për publikun e djeshëm e atë të sotëm, fare e qartë dhe evidente. “Beqir Balluku të dënohet me vdekje, së bashku me dy gjeneralët e tjerë, vartës të tij, Petrit Dume e Hito Çako!”.
Zyrtarisht ky ishte vendimi i Gjykatës së Lartë që u zbatua në mesnatën e 5 dhjetorit 1975, pasi ishte refuzuar kërkesa për falje nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, e datës 5 nëntor 1975. Por jo vetëm kaq. Mbi ekzekutimin e tyre më vonë, gjatë viteve të demokracisë dolën fakte të reja e makabre të cilat flisnin për një ekzekutim jo sipas rregullave të kohës.
Fati i kufomave të tre gjeneralëve të ekzekutuar në rrethana të panjohura, do të merrej vesh shumë më vonë, në vitin 2000, më 18 korrik, kur familjarët dhe pasardhësit e tri familjeve të gjeneralëve do t’i gjenin ato në Vranisht të Vlorës, ku ishin ruajtur për 25 vjet rresht nga një njeri fisnik, A. Majko, ish-drejtues lokal, sipas porosisë që ky i fundit kishte marrë nga Kadri Hazbiu.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 22.03.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)