TIRANË- Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (LZHK) është partia e dytë brenda koalicionit opozitar që ka deklaruar hapur se në zgjedhjet e 25 prillit do të shkojë krah PD. Një mundësi se do të shkojë në listat me LSI-së, kreu i kësaj politike Dashamir Shehi e ka përjashtuar si mundësi dhe për këtë ka dhënë një argument të fortë.

"LZHK është më e djathta në koalicion, nga e majta shkohet në të djathtë, jo nga e djathta në të majtë. Ne do të shkojmë me PD-në. Kjo është fryma, për të hyrë me LSI nuk bëhet fjalë, LSI është një forcë e qendrës, por ka elektoratin e vet që shumica vjen nga e majta. Megjithatë, asgjë nuk është vendosur se nuk është vendosur ligji", tha Shehu.

Në hapësirën live të pasdites në Report Tv, Shehi ka folur me supelativa për kryedemokratin Lulzim Basha duke thënë se është një alternativë e mirë, madje ka shkuar edhe më tej duke se ai është shumë herë më i pastër se Edi Rama dhe Ilir Meta, të cilët janë provuar në postin e kryeministrit.

"Të vesh Metën kundër Ramës është të vësh përballë dy të majta, ku është e djathta në Shqipëri, ku është opozita, ku është dhjetori i Shqipërisë dëshira për ta rrëzuar të majtën. Ne e kemi liderin tonë dhe e kemi goxha të mirë, një alternativë, se këto të tjerët janë provuar, Meta, Rama. Basha nuk ka qenë asnjëherë në postin e këtij njeriu, nuk them për të bërë eksperimente, por mendoj që Basha është personazhi më i pastër. Teoritë se në PD nuk është Basha, por Berisha apo në krye të opozitës është Meta është narrativë e Ramës", tha Shehi.

Shehi është shprehur i bindur se do të jetë në parlamentin e ardhshëm, pasi i ka votat. "Unë do jem në parlament vitin e ardhshëm absolutisht, i kam votat", tha Shehi.