TIRANE- “Nuk di të ketë ligj luftë të Shqipërisë me Greqinë të kohës së Zogut. Por këto janë gjëra të tejkaluara tashme në vite në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi. Ne kemi gjëra të tjera shumë të rëndësishme përpara, për të bërë së bashku. Këto kanë të bëjnë me investimet, me integrimin e Rajonit e të Shqipërisë në BE, me marrëdhëniet e përbashkëta mes dy vendeve”. Kështu është shprehur ish-ministri i Jashtëm shqiptar Tritan Shehu në lidhje me faktin nëse ka Shqipëria ligj lufte me Greqinë. “Shqipëria e Greqia kanë nënshkruar një traktat miqësie.

Ndaj duhet të jemi vizionarë, çdo akt i përparshëm që bie ndesh me atë nuk ekziston më. Realisht është akti i mëvonshëm, Traktati i Miqësisë i nënshkruar mes 2 vendeve, ai që dominon, ka eliminuar të gjitha aktet që bien ndesh me marrëdhëniet dypalëshe Greqi-Shqipëri. Traktati i Miqësisë është ratifikuar nga dy Parlamentet. Pra realizon këtë gjë duke i hapur rrugë shumë elementëve të tjerë të mëtejshëm. Në vënd që të merremi me historinë, le t’ia u lëmë atë historianëve, ne duhet të punojmë për të implemetuar çdo gjë që i ka hapur rrugë ai traktat, dhe këto janë të shumta.

Këtu dua të përmend çështjet që kanë lidhje me pronat e shqiptarëve në Greqi, që mund e duhet të zgjidhen në bazë po të traktatit të miqësisë, gjë për të cilën duhet të punojmë sëbashku, pa humbur kohë duke u kthyer prapa. Këto vlejnë për politikën e opinionin e të dy vendeve por dhe qeverive”, tha Shehu. “Disa deklarata “patriotike” shpesh pa vend e jashtë kontekstit që dëgjohen, mendoj se janë shenja kompleksiteti, timiditeti të paleve apo elemente që lidhen me çështje elektorale. Të flasim pa komplektese, duke parë nga e ardhmja, me qartësi. Për të tjerat të shprehen historianët”, tha ai.
 
Shkrimi u publikua sot (22.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)