TIRANE - Vila numër 1 në qytetin e Vlorës ose e quajtur ndryshe Rezidenca Qeveritare, e cila është rikonstruktuar së fundmi nga qeveria në një shifër të përafërt me gjysmë miliard lekë, ka qenë në qendër të debateve të shumta si pasojë e vlerës së mobilimit të saj, aq më tepër në kushtet e krizës ekonomike që ka detyruar qeverinë të bëjë jo pak herë edhe shkurtime të investimeve të parashikuara në disa sektorë prioritare për vendin.

I ftuar ne studion e A1 Report, deputeti demokrat, Tritan Shehu, e ka quajtur si diçka normale pasi ato janë godina të shtetit dhe jo private.

Përsa i përket zgjedhjes së Kryeprokurorit të Përgjithshëm dhe nëse ai do të karakterizohet nga debate të tilla si ato të SHISH, Shehu ka preferuar të mos e komentoi, duke deklaruar se ndryshimet në SHISH u bënë në përputhje me ligjin.

Nga ana tjetër, deputeti Shehu foli edhe për imunitetin, teksa akuzoi sërish opozitën se po pengon procesin e heqjes së imunitetit për interesa vetjake.

Përsa i përket zgjedhjeve të 2013-ës dhe nëse do të vazhdojë koalicioni me LSI-në, ai e ka quajtur si të parin koalicion real.

(kz/Gre.M/Shqiptarja.com)