Të paktën 30 persona kanë humbur jetën, ndërsa 7 të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një miniere ari në verilindje të Afganistanit.
Banorët e zonës, sipas mediave të huaja, kishin gërmuar rreth 60 metra në një shtrat lumi për të kërkuar ar, por kjo ka sjellë shembjen e tokës. Sipas autoriteteve vendase, banorët kishin përdoror ekskavator për të gërmuar tokën.
Afganistani njihet për burimet e shumta minerare, por që janë të pasigurta, pasi prej kohësh nuk është vënë dorë për mirëmbajtjen e tyre. Shumë prej këtyre burimeve mbeten të pashfrytëzuara për shkak të konfliktit që Afganistani ka me talebanët.
Gjatë dekadave të fundit është konstatuar rritja e numrit të minerave që janë hapur në mënyrë të paligjshme nga banorët por edhe nga luftëtarët talebanë, të cilët e përdorin atë si një burim kryesor të të ardhurave.