Një pjesë e trotuarit në aksin Pogradec-Qafë Plloçë, në segmentin që kalon pranë fshatit Gështenjas, është shembur plotësisht.
Ngjarja është konstatuar ditët e fundit, ndërsa bashkë me rrëshqitjen e trotuarit raportohet se janë dëmtuar edhe rrjetet nëntokësore.
Rrëshqitja është e konsiderueshme dhe për momentin nuk dihet nëse ajo rrezikon edhe segmentin tjetër të rrugës.
Përveç dëmtimit të trotuarit, ky aks prej muajsh është pa ndriçim, ndonëse kalon mes zonave të banuara, duke rrezikuar seriozisht jetën e këmbësorëve.
Sipas të dhënave, rikonstruksioni i rrugës, zgjerimi i korsive, vendosja e trafikndarësve, trotuareve dhe sistemi i ndriçimit përfunduan si investim në shtator të vitit 2018.
Aksi Pogradec-Qafë Plloçë njihet prej vitesh si një nga “njollat e zeza” të juglindjes sa i përket aksidenteve rrugore.
Më 23 nëntor, vetëm pak kohë pas inaugurimit një masiv shkëmbor rrëshqiti në rrugën e re Qukës-Qafë Plloçë. Pas kësaj situate automjetet kaluan në bypass-in e ri, që u ndërtua brenda një jave, ç’ka ngre dyshime se shembja ka qenë e parashikuar por autoritetet në asnjë moment nuk kanë njoftuar qytetarët për rrezikun që u kanosej teksa frekuentojnë këtë aks që lidh Tiranën me juglindjen e vendit.
“Qukës-Qafë Plloçë” ka kushtuar 240 milionë USD dhe u hap zyrtarisht 5 shtator. Ky aks nacional 43-km është një ndër investimet më të rëndësishme të qeverisë që lidh qendrën me juglindjen e vendit e mandej shtetet fqinjve Greqi e Maqedoni e Veriut.
Komente










