Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e të shtunës. Dy persona janë zënë poshtë një muri, pranë ish-uzinës së superfosfatit në Laç. Drilon Lamaj, 27 vjeç, banues në Shullaz të Kurbinit, është personi i plagosur që ka humbur jetën në spitalin e Traumës në kryeqytet.
Dashamir Hajna, 28 vjeç gjithashtu banues në Shullaz të Kurbinit mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Report Tv mëson se dy personat e lënduar ishin duke thyer betonin për të marrë hekurin e godinës për shkak të kushteve të vështira ekonomike. Kanë qenë banorët e zonës ata që e kanë parë ngjarjen dhe kanë njoftuar menjëherë ambulancën dhe policinë.
Pas plagosjes ata janë transportuar në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës, aty ku ka ndërruar jetë 27-vjeçari Lamaj.
Në godinën e ish-Uzinës së Laçit çdo ditë ka njerëz në kërkim të skrapit. Aksidente të tilla ka patur edhe më parë në këtë zonë. Në vitin 2013-të, një 14-vjeçar humbi jetën teksa po kërkonte për skrap, ndërsa autoritet vijojnë të heshtin duke mos marrë asnjë masë për të frenuar këtë fenomen mjaft të rrezikshëm.
Komente







