Avokati Përparim Rama, përfaqësues i banorëve që protestojnë për shkeljen e kontratës nga ndërtuesi është shprehur se ata tashme i janë drejtuar gjykatës për një zgjidhje përfundimtare. Ja dhe intervista e tij e plotë në sitin online IDEA.

Pyetje - Avokat ne pamë sot shtatë gra që tentuan të vetëvriteshin në shenjë revolte ndaj padrejtësisë që po u bëhet, sipas tyre. Cila është historia e këtyre grave?
Përparim Rama - Të shtatë bashkëshortët e tyre më kanë ardhur në zyrë dhe më kanë sjellë problemin që kanë. Ata kanë hapur një proces gjyqësor civil.

Pyetje- Çfarë objekti ka procesi?
Përparim Rama - Ata kërkojnë respektin të kontratës së shkëmbimit që kanë bërë me kompaninë ndërtuese, që do të thotë, ata kanë bërë një kontratë me firmën nënsipërmarrëse dhe firmën sipërmarrëse 'PELIVANI" për të hequr dorë nga e drejta për legalizimin e banesave të tyre dhe dyqaneve në shkëmbim të apartamenteve që do të ndërtoheshin aty në truallin ku gjendeshin shtëpitë.

Pyetje - Ky pretendim a është i dokumentuar?
Përparim Rama - Të gjitha janë me dokumenta përkatëse, që nga aktmarrëveshja, kontrata e sipërmarrjes, dokumentat e legalizimit e të tjera.

Pyetje - Çfarë ndodhi më pas me këta banorë?
Përparim Rama - Në zbatim të kontratës, shtëpitë së bashku me dyqanet e tyre u prishën. Ata ikën të banojnë me qera në zbatim të kësaj kontrate derisa pallati të përfundonte së ndërtuari.

Pyetje - A i morën këto shtëpi këta banorë?
Përparim Rama - Sipërmarrësi ka prishur kontratën me nënsipërmarrësin dhë u thotë këtyre banorëve që nuk e njeh kontratën me ta. Megjithëse ai e ka firmosur dhe vulosur vetë këtë kontratë. Ai u thotë këtyre banorëve të mashtruar se do u jap vetëm 10 metra katrorë për frymë sic e parashikon ligji për të pastrehët. Në këto kushte këta banorë që janë klientët e mi kanë mbetur në mes të katër rrugëve sepse pala tjetër i ka mashtruar dhe nuk zbaton detyrimet kontraktore. Unë kam marrë kontakt edhe me kryetarin e komunës Besnik Fuçia, i cili më ka konfirmuar qëndrimin e klientëve të mi. Madje zoti Fucia ka kërkuar të jetë vetë palë në proces për të sjellë të gjithë dosjen përkatëse.

Pyetje - Ju thatë se i jeni drejtuar gjykatës dhe përfaqësoni shtatë klientët e mësipërm?
Përparim Rama - I jemi drejtuar gjykatës javën e kaluar dhe shumë shpejt kjo gjykatë duhet ta marrë në shqyrtim kërkesën tonë duke qenë se këmi kërkuar masë sigurie.

Pyetje - A keni kontaktuar me banorët? Përse donin ta bënin këtë veprim klientët e tu?
Përparim Rama - Jo, ata s'më kanë thënë gjë se përse apo që do të bënin diçka të tillë. Por ata kanë qenë dhe janë shumë të shqetësuar sepse humbën gjithçka pavarësisht se dokumentat janë të firmosura dhe të volosura dhe ata kanë të drejtë. Unë di që të shtata këto familje kanë bërë kallzim penal në Prokurorinë e Tiranës ku këmbëngulin se janë mashtruar. Nuk di gjë se ç'po ndodh me hetimet. Sipas meje qartësisht e drejta është me këto familje dhe sipas meje, ata e kanë bërë këtë veprim sepse u ka vajtur thika në palcë, sepse prishën shtëpitë dhe kur ju premtuan shtëpi të tjera ata tani skanë asgjë.
(sg/shqiptarja.com)