Festivali Ndërkombëtar i Filmit dhe Televizionit “Bif&st”, që po mbahet në Bari nga 21 marsi deri më 28 mars është një nga ngjarjet më të rëndësishme kinematografike në rajonin e Mesdheut, që çdo vit sjell në vëmendje produksione ndërkombëtare, retrospektiva autorësh të njohur dhe takime mes artistëve e publikut. Edicioni i këtij viti ka konfirmuar edhe një herë rolin e tij si një urë lidhëse mes kulturave, me një program të pasur dhe pjesëmarrje të gjerë nga vende të ndryshme.
Mes shumë emrave të mëdhenj të kinemasë, në këtë edicion është vendosur në qendër të vëmendjes regjisori italian Giuseppe Tornatore, i cili u nderua me Çmimin “Arte del Cinema” për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kinematografinë botërore.
Ky vlerësim u shoqërua me një moment të veçantë artistik: shfaqjen e filmit të tij ikonik “Nuovo Cinema Paradiso” në një format të rrallë si “film-koncert”. Në sallën e Teatro Petruzzelli, publiku përjetoi një eksperiencë unike, ku kolona zanore e filmit u interpretua live nga Orkestra e teatrit, nën dirigjimin e Pietro Mianiti.
Në kuadër të këtij nderimi, festivali i kushtoi Tornatores edhe një retrospektivë të plotë, duke rikthyer rrugëtimin e tij artistik: nga fillesat në fotografi, te sfidat e para dhe deri te suksesi ndërkombëtar që e ka bërë një nga autorët më të dashur të publikut.
“Për gjithë këtë aventurë shumë komplekse të Nuovo Cinema Paradiso kisha menduar të shkruaja një libër. Madje e nisa, por më pas më dukej sikur po shkruaja kujtimet e mia shumë herët, ndaj e lashë dhe e ndërpreva. Megjithatë, ndoshta një ditë do të kem kohë t’i rikthehem. Jam shumë mirënjohës ndaj Oscar Iarussi-t dhe organizatorëve për këtë retrospektivë që më emocionoi.”, tha Tornatore gjatë marrjes së çmimit.
Drejtuesi i festivalit, Oscar Iarussi, vlerësoi kontributin unik të Tornatores në kinemanë botërore.
“Për aftësinë e tij të jashtëzakonshme për ta transformuar kinemanë në kujtesë të gjallë, në rrëfimin universal, por edhe intim, për krijimin e kryeveprave të përjetshme, për eksplorimin e tij të palodhur të identitetit italian, të kuptuar si dritë, ndjenjë, pasion dhe humanizëm, për mozaikun narrativ që bashkon historinë e madhe dhe kujtimet personale, për stilin e tij inovativ dhe magjepsës, gjithmonë ironik dhe reflektiv.”, tha Iarussi.
Fitues i çmimit Oscar në vitin 1990 për “Cinema Paradiso”, Tornatore ndau me publikun edhe historinë e fillimeve të tij, nga pasioni për fotografinë te vështirësitë e para, deri te shndërrimi i filmit në një prej veprave më të dashura në botë.
Si një festival me fokus në Mesdhe, "Bif&st" këtë vit ka rezervuar një hapësirë edhe për kinemanë shqiptare, me disa produksione dhe regjisorë të përfshirë në seksione të ndryshme konkurruese.
Filmi “Man of the House” i Andamion Murataj, një bashkëprodhim i "Lissus Media" me "Palomar" dhe partnerë europianë është pjesë e konkurrimit ndërkombëtar. Në intervistën pas filmit me kritikun e njohur Luigi Abiusi, Murataj u shpreh se për të është kënaqësi rikthimi në Bari 35 vjet pas mbërritjes për herë të parë me anijen Vlora.
“Është një kënaqësi e madhe të jem në BIFEST, dhe për mua kjo është një ditë vërtet e veçantë, sepse rikthehem në Bari pas 35 vitesh, që nga koha kur mbërrita në brigjet e tij me anijen “Vlora”. Në atë periudhë isha në të njëzetat e mia, një i ri që përpiqej të largohej nga Shqipëria, pa qenë plotësisht i vetëdijshëm për forcën e identitetit kulturor nga i cili vija. Këtu u përballa me një realitet dhe kulturë të re. Në Italinë e Jugut, edhe Bari kishte një identitet të fortë dhe shumë të dallueshëm. Sot, pas 35 vitesh, rikthehem sërish, por këtë herë me një film që ka rrënjë të thella në identitetin tonë kulturor. Ndaj është një privilegj të jemi pjesë e një festivali kaq të rëndësishëm, të përfshirë në konkurrimin zyrtar, për të ndarë vlerat tona. Nuk mund të ketë mundësi më të mirë sesa të marrësh pjesë në një festival që bashkon kulturat e gjithë Mesdheut, veçanërisht ato që vijnë nga përtej detit, si Shqipëria.”, tha Murataj.
Producentja italiane Manuela Buono vlerësoi atmosferën e festivalit dhe praninë e filmave shqiptarë.
"Kjo është hera ime e parë në BIFEST dhe programi më ka bërë shumë përshtypje, veçanërisht përfshirja e madhe e publikut në shfaqje. Pashë radhë të gjata dhe një entuziazëm të jashtëzakonshëm nga ana e qytetarëve. Kjo tregon se Bari është një qytet i gjallë, i hapur ndaj bashkëpunimit me vendet e Mesdheut juglindor, dhe në mënyrë të veçantë me Shqipërinë. Kam ardhur këtu posaçërisht për të ndjekur shfaqjen e filmit “Burri i Shtëpisë” të Andamion Murataj, por vura re se ka edhe shumë filma shqiptarë të përfshirë në seksione të ndryshme, si “Meridiana” dhe “Frontiere”. Ky është një bashkëpunim i vyer, që i ka të gjitha mundësitë të forcohet dhe të zhvillohet edhe më tej në të ardhmen.”, tha Buono.
Ndërkohë filmi “Leaving Eden” i Genc Përmetit pati premierën e tij ndërkombëtare në BiFest në prezencën e bashkëproducentit të njohur italian, Amadeo Pagani.
"Filmi është jashtëzakonisht modern. Sigurisht, ka një fund shumë shëlbues, gotik. Ndoshta është një fund që është ëndërruar në vend që të realizohet, në kuptimin që është aq i forte, sa dëshira e fëmijëve për t'i shpëtuar "parajsës", bëhet jorealist krahasuar me dy protagonistët meshkuj, të cilët në vend të kësaj do të vazhdojnë luftën e tyre përgjithmonë. Një temë tjetër shumë interesante është ideja e grave. Leksi, i cili është sigurisht një autokrat maksimalist katastrofik, e kupton se e vetmja zgjidhje për të ardhmen janë gratë, janë femrat. Ekziston ajo gjë, ai moment i fundit, sepse ai e kupton se ajo është pika ku mund të ketë ende një të ardhme. Pra, le të themi, ka shumë tema shumë interesante. Duhet të them se Genci është artist, sepse është piktor, dhe kjo duket edhe në filmat e tij. Kjo është gjëja e rëndësishme, mendoj.”, tha Pagani.
Edhe aktorët e filmit folën për përvojën e tyre gjatë realizimit të projektit.
Në këtë edicion të "Bif&st" prezantohen gjithashtu edhe regjisorë shqiptarë në produksione italiane, si: Roland Sejko me dokumentarin “Film di Stato” dhe Jozef Gjura me filmin e shkurtër “Un Piede Nella Fossa”, duke konfirmuar praninë gjithnjë e më të fortë shqiptare në skenën kinematografike ndërkombëtare.
Komente









