Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, tha se rruga Librazhd-Pogradec aktualisht është e papërdorshme për qarkullim dhe se ura vijon të degradohet, pavarësisht përpjekjeve të kompanisë kontraktore "ANK" të lotit ku kanë ndodhur dëmtimet më të rënda, për ta rikthyer në normalitet. Kozeli tha se synohet që aksi të hapet nesër.
"Gjatë gjithë mbrëmjes është vijuar me punimet nga ana e kontraktorit dhe ka pasur ritme të mira. Ura dhe terreni kanë patur lëvizje edhe gjatë mbrëmjes; ura paraqitet në një plan zhvendosje 40 cm, 7 cm nga dita e djeshme.
Kontraktori vijon punimet intensivisht, por aksi vijon të jetë i mbyllur, në shpresojmë shumë të mund ta hapim ditën e nesërme.
Jemi në pritje të rezultateve dhe rekomandimeve të shërbimit gjeologjik shqiptar. Rezultatet paraprake tregojnë se ka një plan rrëshqitjeje deri në 7 metra.
Ky sezon dimëror ka qenë jashtë normales; çdo vit në këtë sezon të vitit ka probleme të rrëshqitjeve, por si kurrë më parë kemi qenë 3 muaj pa ndërprerje shirash.
Gjithë dokumentacioni është i rregullt nga ana e kontraktorit.
Raporti i shërbimit gjeologjik do të na japë rekomandimet për masat që duhet të ndërmarrim; më pas mblidhemi me këshillin teknik dhe të adresojmë zgjidhjen. Ura është e vitit ’97 dhe me dëmtimet që ka pësuar këto ditë e bën më të degraduar dhe jashtë funksionit",-tha Kozeli.
Lajmi kryesor:
'Paralizohet' juglindja, prokuroria e Elbasanit nis hetimet për shembjen e aksit Librazhd-Pogradec! ARRSH: Synojmë ta hapim nesër! Ura e degraduar, duhet shembur











