Në lidhje me vendimin e shembjes së Teatrit Kombëtar, në emisionin "Repolitix" në Report Tv ka pasur përplasje mes regjisorit Kastriot Çipi dhe ekspertit të Urbanistikës, Arben Meçaj.

Regjisori Kastriot Çipi është shprehur se prania e kryetarit të PD-së Lulzim Basha është një garanci më shumë që të mos ndodhë prishja e teatrit, por ngelet në dorë të qytetarëve.

Ai ka theksuar se nëse ata do ta shembin do të zhdukin një moment të historisë nga vizioni i Tiranës.

"Nëse qeveria dhe bashkia duan ta shembin, duan të zhdukin një moment të historisë nga vizioni i Tiranës. Është çështje e identitetit kombëtar. Është arkitekturë racionale jo fashiste, ku 'Europa Nostra' e quan një vepër post futuriste, një nga të rrallat që ka mbijetuar në botë. Është teatri më i vjetër në vend, nuk është faj që e ka ndërtuar Italia, por që Shqipëria nuk  ka mundur të bëjë një më të mirë. Nuk është mbyllur as në vitin '97, na ka hapur dyert duke parë shfaqje", tha Çipi.

Kurse eksperti i Urbanistikës, Arben Meçaj është shprehur se pjesëmarrja e kryetarit të PD-së e ka politizuar çështjen. Ai theksoi se teatri është përfaqësues i arkitekturës moderne të Italisë fashiste të Duçes të vitit '38, '39 dhe nuk është pjesë e kulturë së Shqipërisë.

"Tirana ka një strukturë moderne dhe projekti është një vlerë e shtuar. Jam kundër se është bërë me dru të çimentuar dhe nuk gjendet në asnjë vend të botës. Historia nuk është e lidhur me objektin por me trupën e mrekullueshme. Nuk shoh një turist që ta shohë si objekt kulture, është një karakatinë, një çiban që duhet t'i zhduket qendrës së vendit", tha Meçaj.

"Ku është projekti? Të hënën do të votohet, ku është detyra e projektimit. Një projekt i rëndësishëm në qendër të Tiranës mbahet sekret? S'ka pasur garë, është projekti që ka dashur udhëheqësi. Projektuesi ka thënë se ma ka kërkuar kryeministri", është shprehur Çipi i revoltuar.

Në lidhje me mbërritjen e Bashës në teatër dhe miratimit të shembjes ditën e sotme, Çipi tha se situata do të shkojë në përplasje mes qytetarëve dhe policisë.