TIRANE-Regjisori Edmond Budina lëshoi akuza të forta në drejtim kundër qeverisë pas shembjes së Teatrit Kombëtar. Ai i bëri thirrje Presidentit që të shpërndajë parlamentin. "Sot përfundimisht u vendos diktatura në Shqipëri. Shteti i krimit ndërhyri duke tërhequr zvarrë qytetarët. Shokët tanë janë masakruar. Ky është akt i turpshëm. Kur u shemb ishin 10 veta brenda, Neritan Liçaj mes tyre.

I bëj thirrje KE-së dhe popullit ta kuptojë se në cfarë gjendje është. Duhet të ngrihemi të gjithë. Zoti Soreca na keni dhënë fjalën se do të veproni, turp! Jam nënshtetas italian dhe si qytetar europian nuk mund ta pranoj këtë.

Dhe ambasadorja amerikane që bëri shoë me Edin dhe tani u shkatërrua. Unë i akuzoj të gjithë. Ky shtet është kriminal. I bëj thirrje presidentit. Në 2 mars ishim në shesh, është momenti të shpërndajë parlamentin ilegjitim. U gjendëm në befasi kur erdhën. Kush do të vijë në pushtet do të bëjmë të mundur që ky teatër të bëhet sikur gjë. Hynë me armë luftarake. Mafizoët dalin nga burgjet" tha ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:46
Shembja e Teatrit, Kapexhiu për Report Tv: Kam bindjen se do të ndërtohet përsëri, jo me tallash por me beton antisizmik

Aktori dhe karikaturisti Bujar Kapexhiu i ndodhur në bulevardin Dëshmorët e Kombit, në një prononcim për Report Tv është shprehur se ka pritur që të kishte bisedime mes politikës dhe aktorëve dhe se për fatin e Teatrit do të vendosnin vetë këta të fundit. Ai tha me një bindje se Teatri do të ndërtohet edhe një herë jo me tallash por me beton antisizmik.

"Sot asnjë gjë e çuditshme, është thjesht vazhdimësi krimesh. Ka ardhur koha të flasim për krimet e kësaj pseudo-demokracie. Mbaj mend që dy herë kam qarë me lot shpirti, një kur u shemb simboli i diktaturës kam qarë me lot gëzimi sot kur u shemb Teatri që ishin lot hidhërimi. Prita të bisedonim si miq,  si artistë por nuk ndodhi. Aty janë varrosur nën gërmadha kolegët e mi aktorë, regjisorë, pedagogët e mi. Kam një bindje që do të ndërtohet edhe një herë jo me tallash por me beton antisizmik. Do të krijohet një kompleks botëror dhe këtë do ta bëjnë artistët. Kam një mesazh, ku politikanët të ulen në shesh t'i dëgjojnë njerëzit, të mos bëjnë gjëra në kundërshtim të tyre, pasi janë shërbëtorët tanë dhe duhet të sillen mirë", është shprehur Kabexhiu.

Ora 21:44
Aktori Vasjan Lami: E trishtë të thuash; Lamtumirë Teatri im dhe i juaji!

1589744708_vasjanlami.JPG

Aktori shqiptar Vasjan Lami është shprehur shumë i prekur pas shembjes së Teatrit Kombëtar.

Ai i është drejtuar personave që kanë performuar atje apo kanë parë ndonjë shfaqje se nuk do ta harrojnë kurrë aromën e tij.

"E trishtë, të thuash; Lamtumirë Teatri im dhe i juaji ! Kush ka luajtur, apo ka ndjekur shfaqje në atë teatër, jam i bindur qe kurrë nuk do të donte të harronte aromën e atij "Buti të vjetër". Sido që të bëhet Ena e re, do t'i duhen shumë vite e histori, të marrë atë shije dhe ndjesi. Do bëj çmos të të mbaj sa më gjatë. TURPI do t'i ndjekë për jetë, ata që e bënë dhe ata që ishin dakort që të ndodhte...", ka shkruar aktori.

Ora 20:01
Shkrimtarja Flutura Açka akuzon Veliajn: Emri yt nga sot e tutje do të jetë një pështymore!

1589738530_veliaj1.jpg

Pas akuzave ndaj Kryemadhit për tradhti, shkrimtarja Flutura Açka kësaj rradhe ka reaguar ndaj Erion Veliaj, duke e simbolizuar me një pështymore.

Ajo shprehet se kryebashkiaku do të marrë me vete vetëm damkën e shembësit të Teatrit Kombëtar dhe shqyesit të zemrës dhe të kujtesës së Tiranës.

"Mbajeni mend këtë fytyrë! Ç'e ke gjithë këtë vrap, o qyq? Asgjë nuk do të marrësh me vete, ta siguroj unë, veç damkën e shembësit të Teatrit Kombëtar dhe shqyesit të zemrës dhe të kujtesës së Tiranës. Mund të ndërtosh një teatër të ri, por gëzimi yt dhe i të ngjashmëve të tu, do të jetë një stoli e ftohtë, së cilës do t'i gëzohesh vetëm në burgun tënd moral. Emri yt nga sot e tutje do të jetë një pështymore!", ka shkruar Açka.

Ora 16:13
Mesazhi prekës i motrës së Neritan Liçajt: Tre herë e kam parë duke qarë, kur vdiq nëna, babai dhe sot kur u shemb Teatri!

"Janë lotët e një burri të ndershëm"! Kështu e përshkruan shkrimtarja e njohur Elvira Dones, teksa sheh foto e vëllai të saj, Neritan Liçaj duke qarë për shembjen e Teatrit.

"E di, është e dielë për të gjithë̈. Por do t’ju tregoj diçka personale. Se pse, për vendin për të cilin kam shkruar, rrëfeva vuajtje. I kam dashur. Shikoj këto imazhe, dhe tim vëlla në lot, teksa e shoqërojnë në pranga. Fjalët e tij policëve: “Çfarë bëni, janë 28 vite të miat aty brenda”. Vëllai im i dashur, e kam parë të qajë veç një herë: kur nëna e babai ynë u nda nga jeta.

Është një burrë i drejtë im vëlla, i ndershëm deri në palcë. Dy orë para arrestimit folëm ne telefon; ishte tepër i lodhur dhe i përmbajtur, ishte Neritani në formën e tij më të mirë.

Dhe tani e shikoj në këto imazhe të përlotur. Më në fund, mësova se e liruan. Dhe unë qaj me të. E njoh mirë. Ai nuk qan për vete. Qan për Shqipërinë, për të ardhmen e fëmijëve të tij. Janë lotët e një burri të Ndershëm", shkruan ajo.

Ora 15:43
Budina kritika kolegëve: Trup na braktisët! Nuk u shembën muret, por shpresa jonë (VIDEO)

Regjisori Robert Budina ka folur sërish para protestuesve te Teatri Kombëtar, pasi u liruar nga policia,  duke deklaruar se me prishjen e mureve të teatrit qeveria kërkonte të shembte shpresën, pasi ato mure do të ngrihen sërish siç ishin. Ndërsa duke iu drejtuar policisë, Budina tha se sot u bënë bashkëpunëtorë të mafias. Kritikat nuk munguan as për kolegët që ishin pro një teatri të ri duke u thënë se tashmë turpi u mbeti atyre.

“Dua një përgjigje nga ministri nga shefat dhe dikush duhet ti lajmërojë?! Sot ata bënë një ndërhyrje mafioze. Dëshira me të cilën shkatërronin Teatrin Kombëtar është e paimagjinueshme me dëshirë për të ngjallur vëllavrasje. Ishe i gjithi një presion politik. Tentativa dhe presioni politik ishte i frikshëm, shtet mafioz i organizuar në mënyrë komuniste. Ata shembën muret, por jo simbolin. Do të jeni të detyruar të rrini natë ditë këtu sepse ne do ta sulmojmë dhe do ta ripushtojmë edhe një herë atë territor. Do të sfiliteni duke qëndruar aty natë ditë sepse ne do të fitojmë kështjellën e demokracisë. Ju jeni bashkëpunëtor të mafies. Ju informoj se kam marrë kontakte nga media ndërkombëtare të cilat janë të shqetësuar. Muret di ti rikthejmë aty ku ishin. Kryeministri i ka hapur luftë popullit të tij. Nëse shqiptarët nuk ngrihen do të jetë e vështirë, pasi do të sundohen nga modeli i tiranit. Ata kolegë turp të kenë të gjithë. U sulmuan shokët e tyre në ditën për diell. Nëse mendoni se duke vrarë shokët tuaj do të ndërtohet Teatri i ri turpin e paçi gjithmonë. Mua më drejtuan automatikun në kokë. Shkoni luani me turpin tuaj në atë godinë", tha Budina

Ora 15:38
Liçaj: Do doja që kur të hapja sytë, Teatri të ishte aty! Veliaj dhe Rama dy kufomat që mbetën nën rrënoja

Në një reagim të shkurtër, prekës që nxjerr në pah pafuqinë për ta ndryshuar gjithçka që ndodhi sot, aktori Neritan Liçaj shkruan se me shembjen e Teatrit, një pjesë e tij tashmë ka vdekur! Nuk mungojnë edhe akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, të cilët i quan si dy kufoma.

"Do të doja të mbyllja sytë për një çast dhe kur ti hapja,Teatri Kombëtar të ishte sërish aty. Por për fat të keq ka vetëm rrënoja! Një pjesë e imja ka vdekur nën ato rrënoja, por pjesa tjetër e mbetur është më e fortë se kurrë! Ka dhe dy kufoma nen ato rrënoja së bashku me pjesën time të vrare. Rama dhe Veliaj! Me vjen keq që ajo pjesë e imja e mbetur aty, do qelbet nga kermezimi i dy kufomave", shkruan Neritan Liçaj.

Ai u shoqëruar në Komisariat ku ka qëndruar disa orë, e më pas u lirua për t'u rikthyer më pas sërish në protestë.

Ora 14:01
'Shpërthen' aktori Ervin Bejleri: S'keni shanse, do ju q* rob, b**th q*ra (VIDEO e tensionit me policët)

Aktori Ervin Bejleri 'shpërtheu' në sharje dhe ofendime kundër efektivëve të policisë së shtetit pas ndërhyrjes së bluve për të shembur Teatrin Kombëtar. "Nuk keni shanse brenda, do ju q* rob, b**th q*rat, mes natës si kusarë, a keni fëmijë apo jo. Unë kam ardhur këtu për fëmijën tim, jo për muret dhe tullat" dëgjohen Ervin Bejleri i revoltuar.

Ora 13:18
I ulur në tokë e me megafon në dorë, por nuk mundet të flasë! Neritan Licaj rikthehet në protestë

1589717101_licaj.jpg

Neritan Licaj është një nga aktorët që e ka mbrojtur më me pasion teatrin në këto dy vite dhe sigurisht shembja e godinës u shoqëruar me lotët dhe dëshpërimin e tij. Pas lirimit nga komisariati i Neritan Licaj, aktori i bashkohet sërish protestës pranë Teatrit Kombëtar duke iu bashkuar kolegëve dhe qytetarëve.

I ulur këmbëkryq në tokë, me megafon në  dorë, Licaj shfaqet i dëshpëruar dhe në pamundësi për të folur.

 

Ora 13:04
Arkitekti për Report Tv: Ishte errësirë, kaos dhe të bërtitura, më morën zvarrë...në darkë e ulëm vigjilencën

Arkitekti Astrit Seranaj në një prononcim për Report Tv akuzoi policinë se e tërhoqën zvarrë në momentin e shoqërimit dhe e goditën. "U shoqëruam me dhunë, edhe mbi mua u ushtrua dhunë. Është e filmuar. Brenda teatrit jam qëlluar me pëllëmba, ishte errësirë, ishte kaos, të bërtitura, dhunë verbale dhe fizike. Kur dolën nga dera e teatrit mbajtën qëndrim tjetër, por 5-6 policë më morën zvarrë në komisariatin nr.1. Kur shkova në polici, në komisariat ka pasur sjellje korrekte. Akuzën nuk e di, por gjithçka kishin shkruar në procesverbal nuk e kam firmosur, më quhej lëvizje e paligjshme.

Sinjalet për ndërhyrje nga policia ishin të vazhdueshme nga ora 10:00 e darkës, kjo solli uljen e vigjilencës. Nga këta njerëz që u larguan ishin eksponentë dhe qytetarë. Godina që u shemb, ishte lënë e degraduar me qëllim, por tregoi se ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve nuk funksionoi. Është absurde. Duhet të pritej vendimi i Kushtetueses. Kjo rrëzoi edhe reformën në drejtësi, që Edi Rama e proklamoi".

Ora 11:14
Shembja e teatrit, vajza e Mitrush Kutelit: Ditë zie, kazmaxhinjtë e natës dogjën kulturën e Tiranës

1589706899_1544804148talanta.jpg

Vajza e Mitrush Kutelit, Atalanta Pasko ka akuzuar Bashkinë Tiranë që lejoi shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, duke e cilësuar se sot u dogj një faqe e historisë së kulturës së kryeqytetit. Duke i cilësuar si 'kazmaxhinjtë e natës', Atalanta Pasko thotë se nën terrin e errësirës zgjodhën që të bëni këtë akt të tmerrshëm duke e cilësuar si ditë zie.

Shkrimi i plotë i Atalanta Paskos

DITË ZIE: KAZMAXHINJTË E NATËS DOGJËN EDHE NJË FAQE TË HISTORISË E KULTURËS SË TIRANËS.

Do t’iu kujtoja kazmaxhinjve të sotëm – edhe “artistëve kazmaxhinj” peticionistë që kinse duan teatër të ri (do të kishin pasur jo një, por dy e tre teatro ndërsa prisnin të prishet ekzistuesi), do t’iu kujtoja përpjekjet e para 9 vitesh për të mbrojtur Piramidën. Jam krenare që isha dhe unë në mbrojtje të Piramidës, me logjikën time, dhe jo për hesap të ndokujt. Do të vlente e njëjta logjikë për Teatrin Kombëtar, por ata me sa duket logjika i bezdis dhe e përdorin vetëm kur përkon me interesat e tyre të pashpallura.

Nga shkrimi i asaj kohe kam shtuar vetëm 6-7 fjalët e fundit që duhet të kenë rënë gjatë faqosjes.

Atalanta Pasko 21.07 2011 Gazeta SHEKULLI

NGA PIRAMIDAT TEK PIRAMIDA

Në fillim të vitit 1997 në fjalorin ekonomiko-politik të shqiptarëve hyri me tërsëllëm një fjalë e re: fjala piramidë. Atë e shqiptoi së pari Maksude Kadëna, “bosja” e një firme të famshme huamarrëse – e kush s’kishte dëgjuar atëhere për Suden?

Sudja pa shkollë doli një ditë në një dritare të vogël të një apartamenti diku përballë Fushës së Zezë dhe deklaroi falimentimin e aktivitetit të saj duke i vënë për herë të parë emrin “piramidë”. Nga e kishte mësuar Sudja emërtimin me të cilin njiheshin këto aktivitete në botën financiare? Kjo s’u mor vesh as atëhere, as tani, kur kanë kaluar 14 vite.

Pas “piramidës” së Sudes u shembën edhe disa “piramida” të tjera, të ngjashme me të. Njerëzit që deri atëhere u kishin thënë thjesht “firma” (zyrtarisht thirreshin “firma rentiere” ose “firma huamarrëse”), u mësuan shpejt e shpejt me këtë emër të ri, që mbase u tingëllonte dhe disi familjar. Sepse, në fund të fundit, a s’e kishte dhe Tirana një “piramidë” (pothuaj të vërtetë e të pashembur) pranë Bulevardit, në mes të një sheshi ndërmjet Kryeministrisë dhe Lanës? Dhe a s’ia kishin ngjitur ata vetë këtë emër, pa dekret e pa vendime të ardhura së larti, pa bujë e pa ceremoni zyrtare?!

Por jo vetëm kaq. Ata e patën pagëzuar kështu duke shpërfillur dekretin zyrtar ku thuhej se emri i këtij objekti të madh e të ndritshëm do të ishte pak a shumë “Qendra muzeale Enver Hoxha”, apo diçka tjetër e tillë. Kështu, populli i Tiranës e më pas i gjithë Shqipërisë i thanë asaj “Piramidë” e ia vunë këtë emër ilegalisht, duke kryer madje kështu një gjest disidence. Ky emër e ndoqi këtë ndërtesë edhe pas viteve ’90 e pas viteve 2000, edhe kur zyrtarisht iu vu emri “Qendra Ndërkombëtare e Kulturës Pjetër Arbnori”. Kjo do të thotë se emri “Piramidë” ishte gjetur mirë – punë prej populli të mençur, me “referendum” spontan!

Unë i pata bërë bisht vizitës brenda saj sa ishte muze i Enver Hoxhës. Për herë të parë hyra në Piramidë kur u bë një aktivitet pas vitit 1992, kuptohet, në atë kohë atje s’kishte fare shenjë të diktatorit, as të diktaturës. Dhe më pëlqeu shumë-shumë. “Mëkat, mendova, të mbetej kjo gjë e bukur strehë për të himnizuar një njeri që i solli kaq shumë fatkeqësi vendit”.

Siç është konstatuar edhe më parë, populli i Tiranës nuk e ka urryer asnjëherë Piramidën, madje në logjikën e vet as e ka lidhur fare me figurën e diktatorit. Po të kish qenë ndryshe, turma e revoltuar do t’i ishte vërsulur qysh në vitin 1991 kur hodhi përdhe e bëri copë-copë monumentin e sheshit “Skënderbej”. Tiranasit thjesht e donin këtë ndërtesë të çliruar nga hija e Enverit, ndërsa hapësirën jashtë e donin të gjithën për vete.

Tani 70 e dy-tre deputetë firmosin për ta prishur se thonë qenka “simbol” dhe se popullit i dhembkan sytë prej saj, ngaqë i kujtoka komunizmin!

Zotërinj, çlirohuni nga furitë primitive që ju kanë zaptuar dhe hidhni tej logjikën e shkatërrimit. Sepse këtij qëndrimit tuaj unë s’i them dot as “instinkt i shkatërrimit”, pasi instinkti vjen vetvetiu, ndërsa kurdisja kundër Piramidës nuk ka asgjë të tillë. Një ndërtesë, është ndërtesë. Simbolin e bën mendja e njeriut dhe brendia e objektit. Dhe ju siguroj se brendia e Piramidës së Tiranës e ka treguar botërisht që ka përmbajtje “thellësisht demokrate”, duke i shërbyer demokracisë, siç ka ndodhur vite me radhë pas ’92-shit. Ajo madje vazhdon të punojë për demokracinë edhe vetëm me emrin e vet, që siç e thashë më lart, është simbol disidence! Nëse disave iu kujton ende simbolet e komunizmit dhe Enverin, kjo s’ka të bëjë aspak me ndërtesën që jetoi vetëm 2-3 vite si strehë e kujtimit të diktatorit dhe rreth 18 vite si objekt në shërbim të veprimtarive të një shoqërie të lirë. Dhe demokracia s’mund të shpallë më mirë triumfin e saj mbi diktaturën, se sa duke kthyer objektin e projektuar për të himnizuar kujtimin e diktatorit, në një mjedis ku lulëzon kultura e lirisë së njerëzve të lirë.

Sa për “shtëpinë e re” që iu duhet deputetëve si dhuratë Shqipërisë (vetvetes) me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, kjo megjithë mend tejkalon çdo marrëzi e çdo paturpësi.

Sepse ndryshimi i sallës aktuale të Kuvendit tonë nga sallat e parlamenteve të vendeve me një nivel edhe më të lartë ekonomik se vendi ynë, nuk është aq i madh sa ndryshimi i spitaleve të atyre vendeve nga spitalet e vendit tonë; nuk është aq i madh sa ndryshimi i shkollave dhe universiteteve të atyre vendeve nga shkollat dhe universitetet e vendit tonë. Në një kohë kur Shqipëria gërryen trupin e vet me fabrika të shumta çimentoje dhe furra gëlqeresh që thërmojnë malet, ne s’mund ta kemi luksin për pallate të tillë luksozë që s’i kanë as vendet me parametra ekonomikë shumë herë më të lartë se të vendit tonë. Kujt duam t’i shesim mend? Botës? Kjo është thjesht delir madhështie. Ndërsa shqiptarët e varfër as që duan t’ja dinë për maketet të cilëve ju u buzëqeshni, pasi buza e tyre është plasur nga jeta e rëndë.

Nëqoftëse këtë nuk arrini ta shihni, hidhni të paktën sytë brenda sallës aktuale të Kuvendit, ku deputetët votojnë për njëri-tjetrin! Dhe sipas meje kuvendarëve tanë nuk iu mungon salla ku të zhvillojnë funksionin si të zgjedhur, por u mungon diçka tjetër, të cilën s’ka sallë e ndërtesë që mund t’ua plotësojë.

Por në doni vërtet t’i bëni një dhuratë popullit që ju paguan, jepini një ligj të ndershëm zgjedhor, një ligj i cili të ndryshojë nga i deritanishmi, që reflekton synimin tuaj dinak e hileqar: të ndryshoni çdo gjë, me kusht që të mos ndryshojë asgjë. Prandaj, në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë jepini vendit një ligj të drejtë zgjedhor, pasi ai ka nevojë për alternativa dhe i kanë ardhur në majë të hundës zhganet tuaja që i rrijnë përballë si graniti rreth bashkuar, të gjithë tok, ndarë më dysh, me llogarinë e ftohtë “dhe një herë, si përherë”.

Sa për Piramidën, jepni urdhër që ajo të sillet në din, të paktën siç ishte para disa vitesh dhe tërhiquni nga synimi për të pushtuar edhe këtë oaz të qetë buzë bulevardit… Më falni, se harrova: jepni urdhër të hapet sërish e të sistemohet edhe ajo çezma e vogël me ujë Selite, që rridhte dikur aty ditë e natë, se i pëlqente shumë popullit të Tiranës, si demokratëve, ashtu dhe socialistëve dhe atyre që s’janë as demokratë, as socialistë.

Ora 10:02
Aktivistja e aleancës për teatrin: Do të pushtojmë ambasadën amerikane nëse nuk prononcohet (VIDEO)

Aktivistja e aleancës për teatrin, juristja Adriana Kalaja e revoltuar për shembjen e godinës përpos akuzave për pushtetin kishte një thirrje për ambasadën e SHBA-së në Tiranë. "Na kanë nxjerrë zvarrë dhe kanë përzënë mediat. Një mijë policë erdhën për 5 minuta. E papranueshme. Ambasadores së Amerikës ose dil prononcohu për këtë krim, ose ne do të pushtojmë ambasadën e Amerikës. Është e papranueshme" tha ajo.

Ora 09:49
I përlotur aktori Mehdi Malkaj: Populli është në gjumë, hienat e shembën Teatrin (VIDEO)

Aktori Mehdi Malkaj i përlotur për prishjen e Teatrit Kombëtar shprehet se tashmë Shqipëria është në diktaturë. “Këta janë hiena, është një shtet karagjoz. Këta janë të vrasin natën dhe të qajnë ditën. Iku një histori e bukur, historia e Teatrit. Iku, populli shqiptar tani është në gjumë, nuk e di se çfarë të them, nuk kam fjalë. Unë jam krenar për veten time dhe për miqtë e mi, që kanë qëndruar aty për dy vite me radhë, shikoni more e kanë rrëzuar, këta janë grabitqarë more, se këta dhe kur vjedhin i vënë benzinën që të mos mbetet më asnjë gjë” tha ai.

Ora 09:13
Flutura Açka akuzon Monika Kryemadhin për tradhti: Na tha ikni se s’ka nevojë për ju

Shkrimtarja Flutura Açka ka akuzuar kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, se i ka tradhtuar dhe ka lejuar me qëllim prishjen e Teatrit Kombëtar.

“Më falni, si tha mbrëmë: Mos u afroni, nuk ka nevojë për 1000 vetë, as për 100 vetë.

Ishte vërtet thirrja e duhur për këtë natë të bardhë vizitash dhe ditë të zezë pabesie.

Qetësia me të cilën e tha, nuk u ngjante atyre të mitingjeve, ishte zbutëse, qetësuese, shëruese…”, shkruan shkrimtarja Açka, një prej kundërshtuesve të prishjes së Teatrit Kombëtar.

Ora 08:11
Në lot dhe me pranga në duar, Neritan Liçaj: Kam 25 vite aty, çfarë po bëni? (VIDOE)

Report T siguron pamjet e momentit kur aktori Neritan Liçaj shoqërohet në komisariat nga policia e Tiranës . "Çfarë po bëni more, çfarë po bëni? Kam 25 vite aty" dëgjohen fjalët e Liçaj, teksa policët e fusin në furgon për ta çuar në komisariat.

Ora 08:01
'Bush*ra, bravo qen, kjo është lufta'! Thirrjet e artistëve kundër policisë, Budina: Meta të vijë këtu (VIDEO)

"Kriminelë, sahanlëpirës, bush***, bravo qen, kjo është lufta që thotë Edi Rama". Këto ishin disa nga thirrjet e artistëve dhe aktivistëve kundër forcave të policisë së shtetit dhe asaj bashkiake pas shembjes së Teatrit Kombëtar. "Diktatura fashiste në Shqipëri u vendos. Fashistët e pushtuan vendin. Të ngrihemi në revolucion. Presidenti të vijë këtu" tha Edmond Budina.