Shëndetësia falas, skuadra të
lëvizshme për zonat e thella

Shëndetësia falas, skuadra të<br />lëvizshme për zonat e thella
TIRANE- Ekspertët e ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë hartuar paketën e ekzaminimeve falas si dhe mënyrën se si do të realizohet i gjithë kjo sipërmarrje madhore janë kujdesur që askush të mos mbetet pa e përfituar këtë paketë, si dhe të mos lërë asnjë mundësi abuzimi nga stafi mjekësor. Klodjan Rjepaj, zevëndësministër i Shëndetësisë, në një intervistë për “A1 Report” shpjegon se paketën falas do ta edhe të pasiguruarit, ndërsa për banorët e zonave të thella, që e kanë të vështirë të arrijnë qendrën shëndetësore do të jetë në dispozicion një skuadër lëvizëse, e cila do të shkojë tek ata për të ofruar këtë paketë ekzaminimesh.

Ndërsa shërbimi laboratorik do t’i jepet me koncension privatit, por që do ta ofrojnë këtë shërbim falas. Sipas zëvendësministri kjo gjë do të shmangë klientelizimin dhe drejtimin tek private.
 
Një ditë më parë ministria e Shëndetësisë bëri publike paketën e ekzaminimeve falas për grupmoshën 40-65 vjeç, cilat janë pritshmëritë?
Në radhë të parë kjo paketë do të ofrohet nëpërmjet shërbimit shëndetësor parësor që është i shtrirë në mënyrë kapilare në të gjithë vendin. Pra do të ketë një portë të parë hyrëse për në sistem. Në radhë të dytë paketa për grupmoshën 40-65 vjeç synon që të adresojë një nga problemet më të mëdha të sëmundjeve kronike që ekzistojnë sot dhe bazuar në eksperiencën për atë lloj sëmundshmërie që mund të kapet në faza të hershme, mund të parandalohet shfaqja e sëmundjes apo e efekteve anësore të sëmundjes, por mund të parandalohen edhe vdekjet. Janë një sërë problematikash, që janë shkencërisht të provuara që mund të kenë efekt nëse kapen hershëm. Janë kryesisht problematikat që lidhen me mënyrën e jetesës që është hipertensioni, obeziteti, depresioni, aktiviteti fizik, duhanpirja, alkooli si dhe matja e indeksit të masës trupore.

Do ta përfitojnë edhe ata që janë të pasiguruar?
Absolutisht. Paketa i referohet grupmoshës 40-65 vjeç. Janë të siguruar, nuk janë të siguruar ky lloj kontrolli bazë do të jetë falas. Dhe me këtë ofertë që iu bëhet shpresojmë që edhe ata që nuk janë të regjistruar te mjeku i familjes do të regjistrohen dhe do të marrin librezën shëndetësore ose certifikatën shëndetësore që do të dalë shumë shpejt nga Fondi.

Ne kemi disa fshatra që janë larg qendrave shëndetësore, si do të veprohet me ta? Si do të përpiqemi ti fusim në sistem?
Në pjesën më të madhe fshatrat i kemi afër qendrave shëndetësore, por kemi një pjesë të zonave të thella malore që janë larg. Është menduar që check-up një herë në vit të bëhet me skuadra të lëvizshme dhe të shkohet në periudhën maj-tetor. Parimisht kjo ndërhyrje do të bëhet për grupmoshën 40-65 vjeç por kjo nuk do të përjashtojë edhe grupmoshat e tjera, por do ta përfitojnë me një algoritëm tjetër.

Një nga pikat kyçe të gjithë kësaj nisme është se gjithçka do të jetë e dixhitalizuar, në një kohë që ne qendrat shëndetësore nuk i kemi të dixhitalizuara. Si është menduar të zgjidhet nga pikëpamja logjistike kjo gjë?
Një pjesë të kësaj pakete do ta ofrojmë nëpërmjet partneritetit publik-privat. Është menduar që kjo të jetë në formën e një koncensioni, pra laboratorët do të jenë në qendrat shëndetësore por do të ofrohen nga privati, do të ofrojnë shërbimin e analizave por në të njëjtën kohë do të ofrojnë edhe të gjithë elementët e tjerë mbështetës për ta bërë të mundur këtë gjë dhe për ta bërë sa më transparente.
 
Për t’ua bërë edhe njëherë të qartë të gjithë të interesuarve, si do të bëhet njoftimi për ditën kur duhet të paraqiten?
Fillimisht do të ketë një fushatë të gjerë sensibilizuese dhe së dyti do të ketë një informim personal nëpërmjet shërbimit postar, ku personi do të ftohet të marrë pjesë në kontrollin bazë shëndetësor në muajin e vet të lindjes, në një nga tre datat që do ti propozojë sistemi, duke siguruar kështu edhe një planifikim të ngarkesës të qendrave shëndetësore.

Nëse kontrolli ofrohet në të gjitha qendrat shëndetësore, po analizat si do të kryhen?
Analizat fizikisht do të kryhen vetëm në disa qendra shëndetësore, jo në të gjitha, por si proces do të kryhet në çdo qendër shëndetësore. Marrja e mostrës së gjakut do të bëhet nga mjeku i familjes në çdo qendër shëndetësore dhe më pas ai do të transportohet drejt qendrës ku është laboratori. Më pas, në mënyrë dixhitale do t’i kthehet përgjigje çdo mjeku me kodin përkatës, dhe me kodin individit, pasi epruveta nuk do të shkojë me emër por me kod, për të ruajtur anonimatin.

Cilat janë përfitimet konkrete për çdo individ që merr pjesë në këtë skemë kontrolli bazë?
Në momentin që një person hyn për të bërë kontrollin bazë bëhet një vlerësim paraprak i problematikave që mund të ketë individi. Po ashtu bëhen edhe disa analiza të tjera dhe mjeku bën një vlerësim se cilat janë problematikat e mundshme që mund të ketë personi dhe nëse ka nevojë, ai referohet në sistem drejt specialistëve të tjerë për çdo lloj ekzaminimi, ndërsa personi që nuk ka risk i thuhet të vijë vitin tjetër.

Në paketën e kontrollit bazë cilat janë ekzaminimet që ofrohen?
Janë obeziteti, hipertensioni, duhani, alkooli, ushqyerja, aktiviteti fizik, hipertensioni, depresioni, indeks i masës trupore që do të bëhen nga një infermiere. Ka një set analizash që kanë të bëjnë me gjakun komplet, me matjen e yndyrës në gjak, me provat e veshkës renale, apo edhe ata të funksionimit të mëlçisë, glicemia, është feçe, gjak okult, që vlerëson kancerin e zorrës së trashë, dhe bashkë me vlerësimin e tjera përbëjnë profilin shëndetësor të individit.
 
Çfarë është pasur parasysh kur janë zgjedhur të jenë në listë këto ekzaminime?
Jemi bazuar në eksperiencën më të mirë botërore, që janë shkaqet më madhorë të vdekshmërisë premature.
 
Pavarësisht kësaj nisme pozitive, ka plot skeptikë që mendojnë se tashmë mjekët do t’i referojnë drejt laboratorëve privatë për të bërë analizat. I keni marrë masat që procesi të mos devijojë?
Unë dua të sqaroj të gjithë se analizat do të ofrohen nga laboratorët privatë, por do të mbulohen nga shteti. Pra është krejt e kundërta. Në këtë moment që flasim nuk ka laboratorë në të gjitha qendrat, ndërsa në ato ku janë ata do të fuqizohen nëpërmjet partneritetit me privatin. Kjo sjell rritjen e kapacitetit të laboratorit, edhe për ata që janë jashtë kësaj grup moshe. Dhe këto laboratorë paguhen nga fondi i kujdesit të sigurimeve shëndetësore. Pra nuk do të ketë më një klientelë apo drejtim te privati.

Është vendosur ndonjë gjë konkrete se kujt do t'i jepet me koncesion shërbimi laboratorik?
Jo ende. Jemi në fazën që po përgatisim të gjitha kriteret dhe specifikimet e kësaj pakete për partneritetin publik –privat. Brenda këtij muaji do të kemi edhe manualin që po bëhet stafi akademik i fakultetit mjekësor për kërkesat teknika dhe specifikat që do të kërkojë qoftë laboratori, qoftë transporti i mostrave dhe besoj në fillim të majit të lançohet gara për përzgjedhjen.

Kur pritet të fillojë check-up-i i parë?
Kemi shpresë që brenda këtij viti.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Miratimi i ndryshimeve në Qeveri, Basha: Deputetët e PD, shfaqje të dala boje! Teatri i sotëm është ana tjetër e medaljes së pazarit Rama-Berisha

Miratimi i ndryshimeve në Qeveri, Basha: Deputetët e PD, shfaqje të dala boje! Teatri i sotëm është ana tjetër e medaljes së pazarit Rama-Berisha