Deputeti i Partisë Demokratike Saimir Korreshi ngriti sot tonet përballë ministres së Shëndetësisë Evis Sala, të cilës i kërkoi llogari për shërbimin shëndetësor në Lushnjë. Korreshi e nisi shtrimin e problematikave me ushqimin që u serviret pacientëve në spitalin e Lushnjës për të vijuar më pas me mungesën e ilaçeve, e mjeteve apo pajisjeve të tjera. Deputeti iu referua dhe një auditimi të Ministrisë së Shëndetësisë ku thuhej se si kuzhiniere shërbente një infermiere, vendi i gatimit ishte jashtë standardeve, gjithashtu dhe lavanderia e magazina qendrore, duke rritur rrezikun për infeksione.
“Nga auditimi që keni bërë ju, në punë nuk është kuzhiniere, por infermiere. E keni lënë ju me shkrim. Do presin një fetë, do e mbushë me kos, që të marrin vitamina. Thonë se, sipas verifikimit që është bërë në Spitalin e Lushnjës, rezulton se lavanderia, magazina qendrore dhe kuzhina ishin në kushte të këqija, me mure me myk dhe të pamirëmbajtura. Kushtet e ruajtjes së mallrave, gatimit dhe lavanderisë ishin të papërshtatshme, duke rritur riskun për infeksione dhe dëmtim të shëndetit të pacientëve”, tha Korreshi.
Të tjera shqetësime për të cilat Korreshi ngriti zërin, ishte mosfunksionimi i aparaturave mjekësore në disa reparte, ‘ngërçi’ i dhënies së shërbimit bazë për shkak të rikonstruksionit që po i bëhet godinave apo dhe mosfunksionimi i shërbimit të ambulancës.
Ministrja e Shëndetësisë Evis Sala tha se Korreshi po bën ‘alarm politik’ dhe se ajo çka ai pretendon në fjalën e tij, nuk është realiteti. Sala foli për investime, rikonstruksione dhe një shërbim i përmirësuar.
“Punimet kanë filluar në mars, fondi është rreth 82 milionë lekë, ndërsa në 2027 edhe 236 milionë lekë të tjera. Ndërhyrjet po bëhen në godinën 3, ku funksionojnë urgjenca, imazheria, kirurgjia, reanimacioni dhe patologjia. Po kryhen ndërhyrje edhe në ambientet e lidhura me maternitetin dhe godinat mbështetëse. Nuk është lyerje muresh për fotografi propagandistike. Çfarë të bënim, t’i linin godinat të degradoheshin? Kemi zgjedhur të ndërhyjmë duke garantuar vazhdimësinë. Repartet vijojnë aktivitetin në ambiente të tjera të spitalit. Ne e mirëpresim kritikën, por s’mund të pranojmë retorikën që tenton të paraqesë spitalet publike si struktura të braktisura’, tha ndër të tjera Sala.
Deputeti Korreshi i kërkoi ministres Sala të shkonte me të në Lushnjë për të parë nga afër realitetin. Me tone të ashpra, Korreshi ndau dhe një rast personal, kur një i afërm i tij humbi jetën për shkak se në spitalin e Lushnjës nuk i kishin dhënë shërbimin e nevojshëm mjekësor.
“Një muaj e gjysmë, më rrinte urgjenca, i bie të fikët, i bëjnë një EKG dhe e dërgojnë në shtëpi në Lushnjë. Për 1 EKO vdiq. Po të ishte konstatuar, do ishte konstatuar zemra e zmadhuar dhe për 1 EKO do kishte shpëtuar 38-vjeçari. Kur mora 127 më doli Tiranë. Prit, thotë, të marr Lushnjën. Ty të kam shkruar, hape telefonin se s’kam nevojë për tender, po ka një rast njerëzor. Nuk kemi ashensor. Pse duhet të flas unë që të rregullohet ashensori? Kam çuar fëmijën tim. Ka shkruar infermierja me marrë ilaçin natën në farmaci se nuk tregonin se ishte djali i deputetit. Ne i mbarojmë hallet tona, por njerëzit, po nuk njohën deputetin, çfarë do të bëjnë?”, tha ndër të tjera Korreshi.
Saimir Korreshi u largua më pas nga salla duke mos dëgjuar përgjigjen e ministres.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Kuvend/ Pritet votimi në seancë i ndryshimeve në rregullore! Debat për integrimin, Tabaku: Gjermania i thotë ‘jo’ anëtarësimit pa veto! Balla: Objektiv 2027-ta










