Më në fund edhe Belind Këlliçi ka reflektuar dhe ka pranuar se shpifësit dhe gjobaxhinjtë janë kriminelë dhe përbëjnë një turp kombëtar, kundër të cilit të gjithë duhet të mobilizohemi. Duke folur në studiot e Syri TV, që në fakt është qendra kombëtare e shpifjes dhe e gjobave politike (përveçse simbol i përdorimit të parave në të zezë në botën mediatike), deputeti i ri i PD-së komentoi arrestimin e Elio Lazes, një pseudo-gazetar që kishte kërkuar 40 mijë euro nga Klaus Shaqiri, mik i Këlliçit dhe anëtar i PD-së, për të fshirë disa artikuj në portalin e tij Priza.al, në të cilët Shaqiri akuzohej se drejtonte një rrjet call center-ash që përmes sistemit “forex” kryente mashtrime online.
“Jemi përballë një problemi që duhet ta trajtojë e gjithë shoqëria shqiptare – deklaroi një Belind Këlliçi dukshëm i alarmuar – nuk ka më kufi për sa i përket linçimit dhe baltosjes së dikujt nga kushdo që ka një portal apo një media. Për një moment duhet të reflektojmë të gjithë për dëmin e madh që i shkaktohet imazhit dhe reputacionit të kujtdo, qofsh politikan apo figurë publike, nga kushdo që sot ka një zë publik dhe ka një portal në dorë. Edhe kur e di se je duke shpifur dhe e pranon vetë që po shpif, sërish e përdor atë portal si mjet shtrëngimi për të vjelë para, për të vendosur gjoba dhe për të goditur imazhin e dikujt tjetër apo për të shpifur për dikë tjetër”, shton ndër të tjera Këlliçi.
Indinjata e tij kundër metodës kriminale të shpifjes dhe kundër “gazetarëve” të rremë dhe gjobaxhinj do të meritonte një duartrokitje, nëse nuk do të ishte në fakt vetëm gafa dhe gënjeshtra e tij e radhës.
Vetë Belind Këlliçi, në fakt, është i pandehur për fyerje dhe shpifje së bashku me dhëndrrin e Sali Berishës, Jamarbër, në Gjykatën Penale të Tiranës, për të njëjtat shpifje të përsëritura edhe nga Elio Laze kundër gazetarit (të vërtetë) Carlo Bollino. Për shumë javë, Elio Laze ishte një nga zërat që, përmes një televizioni dhe një portali, përhapte fushatën e shpifjeve të nisur nga dhëndrri i Berishës, Jamarbër dhe Belind Këlliçi kundër Bollinos për ndërtimin e selisë së Report TV, si formë presioni për ta detyruar të ndryshonte linjën e tij editoriale dhe politike. Ata nuk kërkonin para, por mbështetje politike: një formë tjetër gjobe.
Për këto shpifje, Jamarbëri dhe Këlliçi janë kallëzuar nga Carlo Bollino dhe sot janë të pandehur në Gjykatën Penale të Tiranës në pritje të gjykimit. Elio Laze nuk u arrit të paditet vetëm sepse pak kohë më vonë u arrestua duke u endur nëpër Tiranë i droguar dhe me një pistoletë në xhep. Ky është niveli.
Por historia nuk mbaron këtu. Më 20 nëntorin e kaluar, dhëndri i Berishës, Jamarbër vendosi të mbrojë publikisht artikujt shpifës që Elio Laze kishte transmetuar vite më parë në televizion dhe kishte publikuar online kundër Carlo Bollinos dhe Report TV. Dhe çfarë shkroi “juristi” Jamarbër? Se Carlo Bollino ishte “censurues dhe sigurims”, sepse përmes një letre nga një studio ligjore kishte kërkuar fshirjen e 18 artikujve shpifës të Elio Lazes kundër gazetarit. Pra, nga njëra anë Këlliçi sulmon shpifësit dhe gjobaxhinjtë kur preken miqtë e tij, ndërsa nga ana tjetër shefi i tij fyen viktimat që përpiqen të mbrohen ligjërisht.
Por kulmi ende nuk kishte ardhur. Përballë asaj mbështetjeje publike, edhe vetë Elio Laze, sot i shpallur “kriminel” nga Këlliçi, ndërhyri duke lavdëruar publikisht dhëndërin Jamarbër, duke shkruar në profili e tij në Facebook: “''Po Abi, e mbaj mend kete shkresen. Sepse “sebepi” nese e mban mend isha une... vetem me Xhimin (Begeja) kalova mbi 4 ore diskutime. Madje arrita te lidhja edhe burimet e financimit qe po ndertohej ajo godine me taksat tona. E ngrita sa tek Syri, sa tek Ora. Nuk bera kompromis, as atehere e as tani. Por ndodh ndonjehere qe nga fluksi, opozita i harron ca gjera. Te respektoj'', duke u ankuar qartë se opozita ja ka harruar nderet.
Para se të përfundonte në burg, siç e kujton vetë me krenari, “heroi pa kompromis” i opozitës Elio Laze kishte përsëritur të njëjtat shpifje jo vetëm në televizionin e tij, por edhe në studiot e Syri TV, po ato studio që më pas pritën Belind Këlliçin, heroin tjetër pa kompromis, për ta sulmuar Lazen. Ky është një grup njerëzish që ndryshon mendim dhe gënjen me një lehtësi të frikshme dhe që nuk meritojnë asnjë respekt.
Në fakt, kur Këlliçi flet për linçim dhe baltosje, ai flet edhe për veten, për një pjesë të partisë së tij dhe për “gazetarët” gjobaxhinj që e mbështesin çdo ditë dhe janë pjesë përbërëse e makinës së baltës politike. Në realitet, Këlliçi është një shpifës serial, që linçon, ndot dhe shpif kundër kujtdo që e konsideron armik, me qëllimin e vetëm për t’i shkatërruar imazhin dhe reputacionin, duke përdorur mediat e familjes Berisha dhe ato të nje bashkepuntore të tij, edhe ai të pandehur për shpifje dhe fyerje.
“Prej vitesh, përmes përdorimit të paskrupullt të shpifjes, kam qenë objekt presionesh politike nga klani Berisha dhe mediat e tij – deklaron Carlo Bollino për Shqiptarja.com – por unë nuk kam ndërmend t’i pranoj këto presione. Sa herë që më sulmojnë, ata konfirmojnë se e bëjnë vetëm pse unë kritikoj Berishën, duke zbuluar kështu qartë objektivin e shpifjeve të tyre. Do të mjaftonte që ta pranoja ‘mesazhin’ dhe të filloja ta mbroja Berishën për të jetuar më në fund i qetë, ashtu siç kanë bërë shumica e kolegëve të mi gazetarë dhe botues. Por unë jam një njeri dhe një profesionist i lirë, dhe këtë nuk mund ta pranoj kurrë. Nuk e kam pranuar as shumë vite përpara nga politikane italiane, as nuk më kanë trembur kërcënime nga mafia puljese, imagjinoni po të më trembnin presionet nga 4 sherbëtorë berishanë. Unë jam dhe mbetem një gazetar i lirë. I lirë të mbroj ose të kritikoj, pa pasur kurrë detyrimin t’i jap llogari asnjë politikani. Unë kam qenë dhe jam viktimë e atij që kam quajtur “sistemi Bollino” që është një denigrim i vazhdueshëm i një gazetari që nuk pranon nje kontroll politik. Një persekutim tashmë edhe me sfond racist pasi jam italian. Përpjekja për ta detyruar një media të ndryshojë qëndrim politik duke përdorur shantazhin e shpifjes apo madje edhe kallëzime në SPAK, nuk është shumë ndryshe nga ata që përdorin shpifjen për të marrë para në këmbim të heshtjes. Në të dy rastet, bëhet fjalë për gjobëvënie” përfundon Bollino.
Pra mes Belind Këlliçit dhe Elio Lazes nuk ka pothuajse asnjë dallim: Laze është në burg për shpifje me qëllim përfitimi financiar, ndërsa Këlliçi është në TV dhe në Parlament duke shpifur me qëllim përfitimi politik.
POST SCRIPTUM
Në artikujt kundër Klaus Shaqirit pretendohet se pas biznesit të call center-ave qëndron edhe Belind Këlliçi. Ne nuk kemi prova për ta pohuar këtë dhe, ndryshe nga ai, nuk jemi shpifës, prandaj nuk e konfirmojmë këtë akuzë. Por Këlliçi duhet të shpjegojë pse në Syri TV, edhe pse pranoi se e njeh shumë mirë Klaus Shaqirin që ka qenë kryetari i forumit rinor të Partisë Demokratike të Njësisë numer 10 në Tirane, dhe e njeh shumë mirë edhe familjen e tij, mohoi çdo aktivitet biznesi të tij, duke deklaruar: “Shaqiri s’ka asnjë biznes, ska asnjë lidhje, është thjesht punonjës shteti”. Ndërkohë, në QKB rezulton se më 3.06.2021 Klaus Shaqiri ka hapur shoqërinë “Finantex shpk”, pikërisht atë që ndodhet në qendër të akuzave mediatike. Pastaj e ka shitur tek nje vajzë nga Puka. Pse e mohon Këlliçi këtë fakt? A ka ai diçka për të fshehur? Por mbi të gjitha: Nëse të gjitha sa u publikuan ishin shpifje, pse shoku i Këlliçit u shqetësua kaq shumë duke pranuar ta paguaj gjobën për të fshirë lajmet?

Mesazh i Elio Lazes për Jamarbër Malltezin
Fjalori që Belind Këlliçi përdor normalisht për të denigruar, për të shpifur dhe për ti bërë presion gazetarit Carlo Bollino

Elio Laze flet si gazetar i besuar dhe i mirëinofrmuar te Syri Tv
Më poshtë një nga reportazhet e Elio Lazes duke shpifur për Carlo Bollinon, duke përdorur të njëjtat argumente të shpikura nga Jamarbër Malltezi dhe Belind Këlliçi për të cilat janë të pandehur në Gjykatën Penale
Komente














E meson vjerri tutor
Përgjigju