BRUKSEL, 12 shkurt /ATSH-AFP/ - Drejtuesit evropianë u treguan sot shumë të matur, skeptikë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje armëpushimi në Minsk, që nuk garanton një sukses afatgjatë sipas presidentit francez, François Hollande.
"Kjo nënkupton se duhet të vazhdojmë të jemi vigjilent, të ushtrojmë presion dhe të vazhdojmë lëvizjen që kemi ndërmarrë", shtoi Hollande pas rikthimit nga Minsku, ku mori pjesë në negociatat për një marrëveshje armëpushimi.
"Ne jemi në një moment vendimtar", theksoi presidenti francez. Marrëveshja është më shumë se një dritë shprese, por ka ende për të vendosur në një mënyrë apo tjetër dhe orët e ardhshme do të jenë vendimtare", shtoi ai.
Pa përmendur Rusinë dhe Ukrainën, Hollande nënvizoi përgjegjësinë e atyre që kanë nënshkruar planin.
Presidenti i Këshillit Evropian, polaku Donald Tusk, gjithmonë shumë i kujdesshëm përballë Rusisë, e përshëndeti lajmin e mirë shpresdhënës. "Por shpresa nuk është e mjaftueshme, testi i vërtetë do të jetë respektimi i armëpushimit në terren", nënvizoi ai duke shtuar se marrëveshja e parë e Minskut nënshkruar në muajin shtator nuk ishte respektuar
Ky skepticizëm dominoi gjerësisht komentet e presidentëve dhe kryeministrave të mbledhur në Bruksel. Në hapje të samitit, presidenti ukrainas u ftua të raportonte për bisedimet në Minsk me Hollande dhe Merkel.
"Ne duhet të kujtojmë se që prej armëpushimit të fundit të nënshkruar, 1 000 persona kanë humbur jetën", nënvizoi kryeministri finlandez, Alexander Stubb.
"Nuk mendoj se do të flasim për sanksione të reja (...) Tema e diskutimit është, të japim një mundësi për paqe", shtoi ai.
"Por ne jemi në një fazë kritike, nëse armëpushimi nuk zgjat, ne do të kemi një konflikt të ngrirë mes Rusisë dhe Perëndimit në të ardhmen", theksoi ai.
"Duhet të jemi shumë të qartë kundrejt presidentit rus, Vladimir Putin, i cili duhet të dijë se sanksionet nuk do të hiqen deri sa qëndrimi i tij të ndryshojë", theksoi kryeministri britanik, David Cameron.
"Kjo është një marrëveshje e pjesshme, vetëm një armëpushim", shprehu me keqardhje presidentja lituaneze, Dalia Grybauskaite, shfaqur gjithmonë kundër Rusisë. Ajo theksoi se problemi i kontrollit të kufirit ruso-ukrainas nuk është zgjidhur. Kjo do të thotë se kufiri është i hapur për çdohyrje ushtarake dhe zgjidhja është shumë e dobët.
"Sigurisht, është një hap në drejtimin e duhur, edhe pse di që kjo nuk do të zgjidhë gjithçka", theksoi shefja e diplomacive të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, që u propozoi sot drejtuesve evropianë disa masa konkrete që BE mund të marrë për mbikëqyrjen dhe zbatimin e marrëveshjes në terren.
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker e përshëndeti marrëveshjen si një lajm shumë i mirë. "Nuk është koha e sanksioneve", shtoi ai.
Evropianë kanë shtyrë deri më 16 shkurt zbatimin e sanksioneve të reja vendosur kundër personaliteteve separatiste dhe ruse për përfshirjen e tyre në konfliktin ukrainas, për t'u lënë një mundësi negociatave për paqe./
/ec/