Shpërthimi, të cilin e paralajmëroi TV-Rithemelimi përmes intervistës së Arben Ahmetajt, nuk ndodhi. Ish-krahu i djathtë i Edi Ramës nuk kishte asnjë bombë për të hedhur dhe në fund, e gjithë intervista u katandis, në një përpjekje të dëshpëruar për t’u konsideruar një viktimë e një komploti politiko-mediatiko-gjyqësor duke shpresuar në këtë mënyrë të përfitojë azil politik në vendin që e strehon. Asnjë dokument, asnjë fakt, vëtëm aludime dhe insinuata me të cilat Rithemelimi na ka mbushur kokën prej vitesh. Megjithatë disa gjëra i tha, që edhe pse nuk ishin një shpërthim, përbëjnë gjithësesi lajm interesant. Përveç faktit që zbuloi se ishte strehuar në një shtëpi komunale (me shumë gjasa në Zvicër) si një azil-kërkues i çfarëdoshëm ekstrakomunitar (pavarësisht 2 milionët e dollarëve të deklaruar si pasuri zyrtare dhe të fituara në kohën kur shiste trafik telefonik), Arben Ahmetaj pohoi (pa e ditur) se ishte vetë ai burimi politiko-mediatik i dosjes së inceneritorit për të cilën në fund e kanë inkriminuar. Një viktimë kolaterale e vetvetes.

Terreni i parë ku rrëshkiti është fakti se edhe pse ishte protagonist i ngjarjes (qoftë edhe vetëm si ministër apo si zëvendëskryeministër dhe jo si i përfshirë) u shtir se nuk dinte asnjë informacion të drejtpërdrejtë nga ajo aferë, por tregoi si burim të akuzave të tij dy "hetuesit" e Rithemelimit që prej 3 vitesh jetojnë me denoncimet pikërisht të prapaskenave të skandalit të inceneratorëve. Që të dy të kujdesshëm të akuzojnë cilindo, përveç Arben Ahmetajt, të cilin, përkundrazi, janë sforcuar ta mbrojnë gjithmonë. Dhe ky është një fakt shumë i dyshimtë. Pra, bomba që dispononte Arben Ahmetaj dhe në këmbim të së cilës ra dakord për intervistën në televizionin e Berishës, ishin në fakt disa përralla që ai vetë ia kishte treguar dy "hetuesve" të cilët duke mos qenë të besueshëm, kur i bënë publike, nuk arritën dotë të bëjnë asnjë shpërthim. Tani e provoi ai vetë. Arben Ahmetaj i informon prej një kohe të gjatë dy "hetuesit", duke i furnizuar me dokumenta dhe interpretime fantazioze (dhe me të ngjarë edhe i paguan për të dalë me fytyrën e tyre dhe në një portal periferik), por meqë bashkëpunëtorët e tij me pagesë nuk janë të besueshëm, zbriti në mejdan ai vetë për të përsëritur të njëjtat gjëra. Kjo ka qenë edhe një nga kushtet e TV-Rithemelimit për të bërë këtë “intervistë ekskluzive”.

Në realitet nëse televizioni i Berishës kishte si qëllim kryesor ta detyronte Arben Ahmetajn të shqiptonte me zërin e tij akuza kundër Edi Ramës dhe Erjon Veliajt, deri tani të bëra vetëm nga Rithemelimi, objektivi i Ahmetajt ishte të arrijë marrjen e azilit politik duke u prezantuar si një viktimë e një makinacioni politiko-mediatiko-gjyqësor që e ka kërcënuar deri me vdekje. Ekzistenca e persekutimit politik dhe gjyqësor në atdhe bashkë me kërcënimet me vdekje, përbëjnë dy nga shtyllat thelbësore për të marrë azil politik, veçanërisht në një vend si Zvicra që i ka dhënë azil politik edhe një afaristi (në kërkim) si Rezart Taçi. Se si mund të dëshmojë që SPAK (prokuroria e krijuar dhe monitoruar nga amerikanët) është vegël e qeverisë për të shkeluar të drejtat e tij të njeriut, mbetet ende mister. Por duke ripërsëritur dhjetëra herë përgjatë intervistës së është kërcënuar me vdekje (duke premtuar edhe një intervistë të dytë “vetëm nëse do jem akoma gjallë”), Arben Ahmetaj tregoi lidhjet sekrete me Sali Berishën, ku prej kohësh është bërë informator i tij.

Ai që zbuloi për herë të parë kërcënimin me vdekje të Arben Ahmetajt ishte pikërisht Sali Berisha në një deklaratë publike me 3 gusht 2023. Berisha e përshkruante skemën e kërcënimeve saktësisht në të njëjtën mënyrë si e tha dje Arben Ahmetaj, pra me një telefonatë të bërë nga burgu dhe më pas kërcënimet telefonike ndaj familjes dhe gruas që kujdesej për fëmijën e tij. Ahmetaj nuk ka bërë asnjëherë as kallëzim në polici për këto kërcënime. Përse?  Tani pyetja është e thjeshtë: Si është e mundur që Sali Berisha ishte i informuar i pari 5 muaj më parë? Përgjigja nuk lë hapësirë për keqkuptime: Ose kërcënimet i ka bërë vetë Sali Berisha, ose ka qenë vetë Arben Ahmetaj që e ka informuar. Ne i besojmë hipotezës së dytë. Pra është Berisha "hetuesi" i tretë të cilit Ahmetaj i ka besuar rrëfimet e tij (i dyti është Belind Këlliçi, ndërsa i treti nuk mund të përmendet për shkak të privatësisë, pasi është një njeri i sëmurë me probleme mendore).

Monologu i mbrëmshëm i Arben Ahmetajt, pa pyetje dhe pa kundërshtime, sjell në mendje monologun televiziv të Argita Berishës për t’u shfajësuar pa oponencë nga akuzat e SPAK. Të dy mundën të gënjejnë haptazi me bashkëpunimin e dukshëm të intervistuesit të tyre. E  megjithatë siç e pamë (në ndryshim nga Argita që përveç ndonjë gafe nuk i shpëtoi asnjë sekret) Arben Ahmetaj pa e pasur mendjen, zbuloi mëkatin e tij: Pra që është ai informatori politiko-mediatik në skandalin e inceneratorëve dhe duke treguar urrejtjen e tij për Erjon Veliajn që e përjashtoi nga projekti i Tiranës (ja pse si ministri e refuzoi), konfirmoi atë që dyshohej prej kohësh, domethënë se kjo është arsyeja e saktë pse ministri nxorri nga sistemi i kryeministrisë informacionet e duhura dhe për hakmarrjen dorëzoi gjithë dokumentat që dispononte duke u shndërruar në një bashkëpunëtor-i papenduar i hetuesisë së Rithemelimit. Ky fakt u konfirmua sot edhe nga  vetë Sali Berisha i cili edhe nje here është betuar mbi pafajsinë e ish zv.kryeministrit:  ''Me fjalën e tij mbrëmë, në intervistën e tij, Arben Ahmetaj foli shumë. Pati sot tek, tuk gazetarë që shkruan se nuk paraqiti fakte. Të dashur gazetarë dhe gazetare, dokumentet, faktet zyrtare i ka paraqitur gjatë një periudhe nga korriku gjer sot, me qindra dokumente PD-ja'' deklaori Berisha.
Pra pse duhet të kerkojmë dokumenta të tjera nga Arben Ahmetaj nese ato qe ka patur i ka dorezuar prej kohesh si bashkepunetor i papenduar i hetuesisë berishane? Nëse ky lloj bashkëpunëtori meriton azil politik, atëherë mund të themi se intervista e tij qëlloi në shenjë.