TIRANË - Një 38-vjeçar nga Elbasani ka humbur jetën sot në reanimacionin e spitalit "Shefqet Ndroqi" në Tiranë. Viktima është Hasan Ekmekçiu i cili kishte mbërritur një javë më parë në këtë spital me komplikacione të rënda, ndërsa gjendja shëndetësore ishte përkeqësuar ditët e fundit. Sipas ISHP, 38-vjeçari vuante nga një penumoni e rëndë në mushkëri.
Burime zyrtare nga spitali universitar por edhe nga ISHP konfirmojnë se nuk bëhet fjalë për virusin e gripit AH1N1, nga i cili humbën jetën tre pacientë dy ditë më parë në të njëjtin spital (Lexo këtu).
Mjekët kanë paralajmëruar vazhdimisht se vendi është në situatë gripale sezonale, por kjo nuk përjashton edhe përhapjen e gripit të derrit përmes rrugëve të frymës dhe këshillojnë vazhdimisht vaksinimin, sidomos për disa grup mosha si të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.