Shërbimi i fundit që Berisha po i bën Lulzim Bashës

Shërbimi i fundit që Berisha po i bën Lulzim Bashës

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Tanimë që nuk ka asnjë dilemë se lëvizja e Berishës është për t’u rikthyer në krye të partisë dhe jo për ta demokratizuar atë, shumica e të pakënaqurve me Lulzim Bashën, si mospërmbushës i ambicieve të tyre, do duhej të ktheheshin dhe të vijonin përpjekjet e tyre brenda PD-së.

Një PD me Berishën në krye nuk do ishte një parti më demokratike, por një organizatë e mallkuar me damkën e antidemokracisë dhe e minimit të vlerave të saj.

Qarkullon një tezë se Berisha deklarata të tilla i bën për të mbajtur grupin e bashkuar,  jo se ka për qëllim vërtet rikthimin dhe, pas Kuvendit që do të largojë Bashën, do krijohet një komision i përbërë prej disa anëtarësh, të cilët do ta drejtojnë partinë deri në krijimin e kushteve për zgjedhje në të gjithë nivelet.

Këta që bëlbëzojnë ide të tilla janë ose të paditur, ose kanë probleme me kujtesën afatshkurtër.

Ata i rren mendja se mund të përdorin Berishën për të hequr Lulzim Bashën dhe harrojnë se ai që i ka përdorur për 30 vjet, mund t’i përdorë sërish në “dimrin” e jetës së vet politike.

Është e qartë se askush, përveç Doktorit, nuk ka ndonjë vlerë elektorale, ndaj të gjithë fshihen pas tij. Ky është kalkulim i gabuar. Baca do të rikthehet për të shpëtuar vetveten, jo për ata.

Edhe pse nuk ekziston një mekanizëm ligjor dhe statuor për ta rikthyer në krye të PD-së, duket se Sali Berisha me këtë lëvizje po e ndihmon Lulzim Bashën.

Së pari, prej lëvizjes së tij, Basha ka marrë tiparet e një lideri të vërtetë. Nëse deri më dje kritikohej me të drejtë se ishte i paqartë në aksionin politikë, se duhet të ikte dhe të konsultohej, sot ai është çliruar.

Një Bashë pa hijen e Berishës mbi kokë, veç të tjerash, është një lider më i besueshëm, një bashkëpunëtor më i denjë dhe një kandidat më i mundshëm për kryeministër në sytë e faktorit ndërkombëtar.

Së dyti, përveç një pjese të sinqertë të militantëve, “Foltorja” në këtë periudhë ka qenë një lëvizje heterogjene, rreth së cilës janë mbledhur një turlilloj kategorish. Një prej tyre është ajo që Basha e quajti me të drejtë “llumi” i PD-së. Nuk ka shërbim më të madh se pastrimi i PD-së nga llumi i korrupsionit dhe nga vegjetimi i kotësisë.

Së treti, në gjithë këto takime Berisha nuk përmendi kurrë korrupsionin. Ai nuk tha asnjëherë që lëvizja e tij është kundër të korruptuarve në PD. Mos të harrojmë se në 2005 ai erdhi në pushtet pikërisht me këtë tezë. Shumë ujëra kanë rrjedhur nga ajo kohë, kështu që Basha mund ta shndërrojë në kalin e betejës për ta transformuar PD-në e sotme dhe qeverisjen e nesërme.

Do të mjaftonin këto elemente për ta parë lëvizjen e “Foltores”, përtej armiqësisë personale, si një shërbim të fundit që Berisha po i bën Lulzim Bashës.

Në fakt, ashtu siç ka bërë gjithmonë…

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit