Shërbimi Sekret fshiu mesazhet e 6 janarit ndaj sulmit të Kapitolit të SHBA, zbulohet arsyeja

Shërbimi Sekret fshiu mesazhet e 6 janarit ndaj sulmit të Kapitolit të SHBA, zbulohet arsyeja

Agjentët e Shërbimit Sekret kanë fshirë mesazhet e marra dhe të dërguara pranë kohës së sulmit më 6 janar 2021 ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, megjithëse një inspektor i përgjithshëm i kërkoi këto mesazhe në kuadrin e hetimit të sulmit, konkludon një agjenci mbikqyrëse e qeverisë amerikane.

Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, shprehet në një letër të siguruar nga agjencia e lajmeve Associated Press se mesazhet mes datave 5 dhe 6 janar 2021 ishin fshirë “në kuadrin e një programi për zëvendësimin e paisjeve”. Fshirja është bërë pasi kjo zyrë mbikqyrëse kërkoi të dhënat e komunikimeve elektronike mes agjentëve, në kuadrin e hetimit për ngjarjet përreth sulmit të 6 janarit.

Gjithashtu, personelit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare u janë dhënë udhëzime të mos i japin të dhëna inspektorit të përgjithshëm dhe se të dhënat e tilla duhet të shqyrtoheshin fillimisht nga juristët e departamentit.

“Ky proces shqyrtimi i shkaktoi vonesa me javë të tëra Inspektorit të Përgjithshëm për të marrë të dhënat dhe krijoi konfuzion nëse ishin dorëzuar të gjitha të dhënat e kërkuara”, thuhet në letër, e cila mbante datën e së mërkurës dhe i është dërguar drejtuesve të Komisioneve për Sigurinë Kombëtare të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.

Zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi, i tha agjensisë së lajmeve Associated Press se “i marrim shumë seriozisht akuza të tilla false dhe do të përgjigjem me hollësi së shpejti”.

Fshirja e mesazheve do të ngrejë me siguri pikëpyetje të reja për komisionin e posaçëm të Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin e 6 janarit, i cili ka rishfaqur interesim për rolin e Shërbimit Sekret, pas dëshmisë dramatike të ish-ndihmëses së Shtëpisë së Bardhë, Cassidy Hutchinson, për veprimet e ish-Presidentit Donald Trump në ditën e sulmit.

Zonja Hutchinson tregoi se si i ishte rrëfyer një përplasje mes ish-Presidentit Trump dhe ekipit të tij të sigurisë të përbërë nga agjentë të Shërbimit Sekret, ndërsa ai kërkonte me zemërim që të çohej me makinë në Kapitol, godinën e Kongresit, ku pak më vonë mbështetësit e tij do të hynin me forcë. Ajo gjithashtu tregoi se pati dëgjuar ish-Presidentin Trump t’i thoshte zyrtarëve të sigurisë që të hiqnin paisjet për kontrollin e armëve për tubimin e tij në Uashington, megjithëse disa prej mbështetësve të tij ishin të armatosur.

Ky version u kundërshtua me shpejtësi nga agjentët. Robert Engel, agjenti që drejtonte makinën presidenciale, si dhe zyrtari i ekipit të sigurisë të ish-Presidentit Trump, Tony Ornato, u shprehën të gatshëm të dëshmojnë pas të jenë betuar ligjërisht, se nuk u sulmua asnjë agjent dhe se ish-Presidenti Trump nuk u mundua ndonjëherë të kapte timonin e makinës, i tha agjensisë së lajmeve Associated Press një person i njohur me çështjen dhe që kërkoi t’i ruhej anonimati./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Mbi përballjen e socialistëve me drejtësinë dhe nevoja për administratën e Shqipërisë në BE

Mero Baze: Mbi përballjen e socialistëve me drejtësinë dhe nevoja për administratën e Shqipërisë në BE