ELBASAN - Pak ditë pas transmetimit në A1 Report të gjendjes së rënduar ekonomike në të cilën jeton familja Rrapushi në lagjen “ Beqir Dardha” në Elbasan, Shërbimi Social Shtetëror i është gjendur pranë kësaj familjeje, për festat e fundvitit.

Vetë drejtoresha e këtij institucioni ka vizituar dhe ka parë nga afër gjendjen e mjerueshme në banesën ku jetojnë 3 kurora, duke u dhuruar atyre ndihma ushqimore në mënyrë që edhe ata të kenë mundësi të festojnë sadopak .

"Në këtë familje nuk është hera e parë që unë shpërndaj ndihma, këto kanë marrë edhe para disa javësh shumë ndihma nëpërmjet shërbimit social shtetëror. Premtoj që brenda datës 31 do kthehem prap në këtë familje." tha Marsida Haxhiu, drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror

I moshuari ka falenderuar shërbimin social shtetëror për ndihmat duke përcjellë edhe urimin e tij.

"Për këto ndihma që na sollët jemi shumë të kënaqur, ky vit për neve qoftë një vit i lumtur i mbarë i suksesshem ne punë për ne të gjithë për ju edhe për të gjithë shqiptarët kudo që jane." tha i moshuari

Familja Rrapushi është një ndër familjat e shumta në Elbasan që janë të detyruar të kalojnë festat në mjerim e varfëri të plotë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)