Ajo që nuk pritej nga shumëkush ka qenë qendrimi i ministrit të Financave, Ridvan Bode, i cili normalisht, në kohë vështirësish ekonomike për të mbushur arkën e shtetit, duhej të kishte kundërshtuar hapur projektin, të paktën në këtë moment. Por Bode u shpreh thjesht se Komiteti ka për detyrë të garantojë vetëm respektimin e procedurave ligjore dhe jo të vendosë se cili projekt duhet të ishte fituesi.
Por, a mund ta përballojë qeveria shqiptare koston kaq të lartë për një objekt joprodhues? Parlamentari demokrat Sherefedin Shehu tregon për Shqiptarja.com se një vit më parë, ai ka shkuar me mision në Arabinë Saudite pikërisht për të negociuar financimin e një vepre të tillë.
Zoti Shehu, ju keni qenë në kryeqytetin saudit në qershor të vitit të kaluar së bashku me disa anëtarë të tjerë të parlamentit shqiptar. Për çfarë keni biseduar me palën saudite?
Ne kemi qenë në kuadër të një vizite miqësore të parlamentarëve shqiptarë, si miq të Arabisë Saudite dhe kemi patur takime me homologë tanë të këtij vendi arab. Në një takim me kryeparlamentarin e këtij vendi, unë i përcolla atij propozimin për të mundësuar financimin e parlamentit të ri shqiptar me fonde të qeverisë saudite.
Si u përgjigj kreu i parlamentit ndaj këtij propozimi?
Në emër të Mbretërisë së Arabisë Saudite ai ka shprehur dëshirën për të financuar projektin e parlamentit, në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për Shqipërinë. Unë i thashë se fjala është për të realizuar një projekt që do të përfshinte një sipërfaqe prej 28.000 metrash katrore në qendër të Tiranës, për një objekt shumë të rëndëishëm institucional të shtetit shqiptar. I pyetur nga shtypi vendas atëhere, nuk dhashë detaje të mëtejshme lidhur me projektin dhe financimin, duke ia lënë kryeparlamentares Jozefina Topalli ta bënte një gjë të tillë gjatë vizitës së saj në Arabinë Saudite, të planifikuar për më vonë.
Për ç'vlerë financimi bëhej fjalë?
As tani nuk kemi të përcaktuar një kosto përfundimtare, por gjatë diskutimeve folëm për rreth 600 milionë rialë sauditë, ose rreth 110 milionë euro (një rial - 0.18 euro).
A është dhënë OK për financimin?
Ne biseduam si parlamentarë dhe kreu i parlamentit saudit na dha fjalën se do të ushtronte ndikimin e tij pranë institucioneve që financojnë që të realizohej një mundësi e tillë. U mbetet institucioneve qeveritare që të merren vesh e të nënshkruajnë një marrëveshje lidhur me financimin. Kjo deri tani nuk është nënshkruar.
Fjala është për një kredi? Me ç'terma?
Në fakt, sauditët kanë premtuar një grant, me saktë disa grante, pra shifra e financimit do të jetë falas.
Buxheti i Shqipërisë do të kontribuojë në financimin e Kuvendit të ri?
Jo, projekti duhet të mbulohet 100% nga sauditët.
Ka ndonjë kusht për marjen e këtij granti?
Asnjë kusht.
Po në rast se nuk arrihet marrëveshja, për ndonjë shkak të mundshëm, do të anulohët projekti?
Nuk mund të bëj supozime; marrëveshja nuk është nënshkruar, por për çdo mundësi tjetër do të diskutohej sipas rastit.
(sg/shqiptarja.com)