Sherif Merdani: Si ia mora hakun
atij që më futi në burg

Sherif Merdani: Si ia mora hakun<br />atij që më futi në burg
TIRANE - Nuk ishte shkaku i bisedës me këngëtarin e mirënjohur Sherif Merdani thjesht një intervistë. Jo, ishte një takim plot pas 40 vjetësh, me mikun e rinisë që këndonte me fizarmonikënë qytetin e Librazhdit, që u ndamë pas arrestimit dhe dënimit të tij. Sapo isha diplomuar gazetare dhe i kam trajtuar me dhimbje lajmet nga seancat gjyqësore që janë bërë në shtator-tetor të vitit 1973 në ngarkim të këngëtarit.

Kam dëgjuar dëshmitarët, disa prej të cilëve ishin njerëz të artit që mbështesnin akuzën se: ”Sherif Merdani ka kënduar këngë të huaja”, se “i është kundërvënë pushtetit popullor”. Kam prekur egërsinë e prokurorëve dhe të trupit gjykues, kur këngëtari i mohonte akuzat, për të mbrritur  deri në seancën e fundit kur iu dha dënimi me dhjet vjet burg. Dënimi i këngëtarit, shoi jo vetëm këngën e tij, por edhe aktivitetet artistike që gjallëronin  qytetin e vogël buzë Shkumbinit. Këngëtari vinte nga qelia i qethur, me një palë rroba të vjetra, që kishin venitur bukurinë e tij, por jo qëndresën...

Kujt nuk i vinte keq për këtë djalë të pashëm, simpatik, me një zë brilant, që e njihte e gjithë Shqipëria, që e kishin katandisur ashtu për të krijuar imazhin se ishte një kriminel i vërtetë. Nuk ishim takuar më pas daljes nga burgu. Ja pasi kanë kaluar plot 40 vjet takohemi në Vlorë tek kafe “Izraeli”. Ndërsa shfletoja shtypin e ditës me kafen përpara, në derë u duk Sherifi, tashmë me flokë të bardha. E njohëm njëri-tjetrin dhe u përqafuam. Pas 30 minutash bisede të lirë, çmallje mes të njohurish të vjetër, padyshim do të nisnim intervistën dhënë nga Sherif Merdani ekskluzivisht për “Shqiptarja.com”.
 
Shkrimi i fundit që kam bërë për Ju, i përket vjeshtës së 40 viteve më parë. Pas kaq vitesh burgu dhe persekutimi, a mund të na thoni cili ishte shkaku i vërtetë i dënimit tuaj?
-E kam ditur që në fillim kur më vunë prangat, e dinin të gjithë dhe koha nuk e ka ndryshuar shkakun e motivet e dënimit dhe persekutimit tim. Shkak kryesor ishte festivali i 11-të. Që të dënoje Tonin Tërshanën, që fitoi Çmimin e Parë, nuk shkonte, pasi Tonini ishte një njeri pa shkollë. Ishte këngëtar cilësor, madje shumë cilësor, por figura e tij rridhte nga hiçi, ishte askushi. Ndryshonte situata për Sherif Merdanin, që rridhte nga një familje e pasur e Korçës, familje tregtare, mdaj u zgjodh për ta goditur, për ta dënuar. Ja, ky ishte faji që kisha bërë unë.

Në të vërtetë unë kam ndjekur disa seanca gjyqi dhe kishte edhe akuza të tjera si: intepretonit këngë të huaja, një shpifje për Kinën etj. Madje kam dëgjuar edhe dëshmitarët që mbështesnin akuzën.
-Komentet e tjera që ke dëgjuar edhe ti si gazetare në seancat gjyqësore që janë bërë për mua, nuk qëndrojnë. Përjashto një fakt që lidhej me një mbrëmje me gjimnazistët në Librazhd, ku unë fola dhe vlerësova festivalin e 11–të të këngës në RTSH. Bëra atë që e bënë të gjithë, pse e tillë ishte klima edhe në Tiranë, përpara se të fliste diktatori. Fola për muzikën e mrekullueshme, organizimin e një festivali të vërtetë, për muzikën që ishte e nivelit europian dhe koha e tregoi, pasi ato këngë këndohen edhe nga të rinjtë e sotëm.

Unë kujtoj që për arrestimin tuaj është dhënë një porosi edhe nga një drejtues të lartë të partisë në Librazhd, pas kaq vitesh që takohemi bashkë, ju pyes nëse qëndron ky fakt?
-Të them të vërtetën, pas viteve të burgut kam gjetur shumë arsye që çuan në dënimin tim, por konkluzioni im përfundimtar është se ish Sekretari i Parë i Partisë i rrethit të Librazhdit, Marko Xega, që ishte edhe nga Korça, është dora vetë. E ndjej të pohoj se ia kam marrë hakun, kuptohet moralisht, pasi unë nuk di të marr haqe të tjera. Sapo ky njeri i Partisë erdhi në Librazhd, ngaqë e njihte mirë familjen timë në Korçë gjeti klimën e duhur për të më goditur pas festivalit, duke më bërë shembull, duke më vrarë këngën, shpirtin, ëndërrën… Pra e thënë me një fjali të vetme autori i krimit ndaj meje është Marko Xega dhe pikë.

Si jeni trajtuar në Librazhd, përpara se të vinte Marko Xega?
-Jam vlerësuar maksimalisht. Përpara tij ka qënë në këtë detyrë Hekuran Isai, një njeri i thjeshtë, që e donte artin, këngën. Ai nuk më ka ngacmuar kurrë, përkundrazi, më ka promovuar, më ka mbështetur. Pasi dola nga burgu, ish-sekretari i parë Zenel Hysa më ka treguar se: “Hekuran Isain e kam dëgjuar me vëshët e mi që thoshte: Unë kisha dy vlera kur kam qënë në Librazhd: Hekur nikelin dhe Sherif Merdanin”. Sapo erdhi Marko Xega, u shndrova në kriminel. Kjo edhe për faktin se ishte egërsirë, një njeri pa kulturë, kish mbetur në nivelin e luftës, të urrejtjes së klasave i mungonte tërësisht ana njerëzore.

Gjykata ju u dënoi 10 vjet burg, por keni pasur edhe një proces të dytë në kohën kur vuanit dënimin. Cila ishte akuza e re?
-Po u dënova 10 vjet burg, por pas tre viteve që kryeja dënimin, ndodhi ajo që aplikohej shpesh: Tentativa për të më bërë spiun të shokëve bashkëvuajtës. Një ditë të bukur krejt papritur erdhi drejtori i burgut dhe zëvëndësat e tij dhe më kërkuan hapur bashkëpunimin. Por e refuzova kategorikisht, nuk mund ta bënte këtë veprim Sherif Merdani, ndryshe nuk do të isha Sherif Merdani i vërtetë. Do të isha askushi. Një muaj pas refuzimit, më sajuan një gjyq tjetër, ku më dënuan edhe 10 vite të tjera burg. Sipas ligjeve të asaj kohe me bashkimin e neneve bëheshin 15 vjet burg. Më trasferuan në burgun e Burrelit, ku merr jetë ai proverbi i famshëm shqiptar: Ku jo çdo gjë e keqe, vjen për të keq, ndonjëherë vjen edhe për të mirë.

Nuk mund ta kuptoj se cila ishte e mira që u erdhi pas dënimit për së dyti z. Merdani?
-Jua shpjegoj unë. Po, po kishte një të mirë të madhe për mua. Aty vuanin dënimin intelektualë superior karshi meje, superior si intelektualë, në koncepte për shoqërinë njerëzore, për shqiptarët. Pra ndryshoi shumë qënia ime në këtë mjedis të ri shoqëror. E nis me Pjetër Arbnorin, Spartak Ngjelën, Abdulla Sallakun, Fatos Lubonjën etj. Ishin njerëz që ndryshuan Sherifin intelektualisht. Kjo është e mira e madhe, shumë e madhe, që solli ridënimi dhe trasferimi në burgun e Burrelit. Me persona të tëlli vuajtja bëhej më e lehtë. Kam qëndrua gati 9 vjet me Pjetër Arbnorin, që për mua ky popull e njohu shumë pak dhe e vlerësoi pak. Ishte dhe mbetet një figurë shumë e pasur, shumë e pastër, një njeri me shumë kulturë, por që i mungonte aftësia për ta ekspozuar atë,kishte një kulturë enciklopedike, shumë i thellë dhe mbi të gjitha shumë njerëzor. Ky ishte Pjetër Arbnori që nuk e njohën sa dhe si duhet. E ritheksoj, kontakti me intelektualë të shquar si Arbnori, Lubonja etj më formuan. Ndaj me të drejtë unë shprehem se nuk kam qënë kurrë në burg, por në Universitetin tim. E pohoj me gojën plot se unë kam qenë i mangët, i doktrinuar dhe pasioni e dashuria ime ishte vetëm kënga. Unë këndoja, por kurrë nuk më kish shkuar në mënd të kundërshtoja pushtetin. Isha i lumturuar me atë që kisha arritur.

Si ua shpërblenit këtë ”mirësi” bashkëvuajtësve, ndoshta me këngë?
-Vetëm në këtë pikë mund të jepja kontributin tim për të lehtësuar vuajtjen. Po pse njëherë thua ti kam kënduar? Nuk mbaj mend se cili viti ri ka qënë, bashkë me këngëtarin, Stavri Rafaeli, këngëtar që kish mbaruar në Hungari dhe më pas në Bashkimin Sovjetik për tenor, në të vërtetë ishte piktor.Kish kënduar në opera në Tiranë, kemi organizuar një koncert në galeri, turnin e tretë me kandilë. Ai që nuk e ka përjetuar nuk mund ta imagjinojë se çfarë mrekullie ishte. Koncert që shoqërohej vetëm me duatrokitje. Unë këndoja muzikë të lehtë, Stavri si tenor ishte edhe një Hysen Xhani, që këndonte këngë popullore tiranase. Një mrekulli, një nga koncertet më të paharruara të jetës sime.

Kur e fitoi lirinë Sherif Merdani. Mund t’i kujtoni ato çaste të shumëpritura?
-Kam lënë qelitë e burgut të Spaçit në vitin 1989 në korrik dhe kam bërë ditë më ditë 16 vjet dhe 1 muaj burg, ku iku pjesa më e bukur e jetës, rinia, ëndërrat….Megjithatë unë jam njeri që besoj shumë tek Zoti dhe ato që më mori në rini, m’i fali tani në pleqëri. Më ka falur një shëndet shembullor, një optimizëm që gjithmonë gruaja i drejtohet djalit që kemi: Mos kij parasysh asnjë figurë tjetër, vetëm babanë tënd. Shiko dhe vlerëso optimizmin e babait tënd, sa punëtor është, çfarë konceptesh ka për jetën, për fëmijet, për gjithçka dhe bëhu si ai.

Kush ua komunikoi lirimin nga burgu?
-Unë isha përgatitur, ishte caktuar data e perfundimit të dënimit, ishte e përllogaritur ditë më ditë. Unë kam fituar nga një amnisti që u bë në janar të vitit 1986 pas vdekjes së Enver Hoxhës, ku u amnistova 18 muaj, pra një vit e gjysëm. Nuk ishin pak, pse edhe një ditë nuk përballohej në atë skëterrë burg. Ky ishte favori i vetëm që më është bërë. Muajt e fundit, ne u grumbulluam në një burg të Tiranës, në afërsi të “Ali Demit”, ku është burgu edhe sot. Aty bënim ca përkthime të disa librave me karakter spiunazhi për llogari të Ministrisë së Jashtme. Kujtoj një Reshat, që ishte punonjësi i Ministrisë që na i sillte materialet. Unë kam qënë aty me Pjetrin, Daut Gumenin e të tjerë që i përkthenim nga italishtja, anglishtja në gjuhën shqipe. Nuk bëhej ndonjë përkthim perfekt, pse nuk kish kërkesa për cilësi, por thjesht të dilte ideja e tyre. Unë u futa në burg në moshën 32 vjecare dhe dola nga burgu 48 vjeç. Nuk ishte krim të thoshe se si këndon Al Bano, Nina, To Xhons. Këngët e tyre i jepte edhe Tirana. Ja ky ishte krimi që kisha bërë, kjo ishte akuza që më vrau ëndërrën.

Pas rënies së regjimit, cila ishte rruga e Sherif Merdanit?
-Sherif Merdani, që po bisedon me ty pas 4 dekadash, mburret për një gjë: Qëndroi ai që ti e ke njohur, qëndroi ai që ishte. E thirrën në instanca të ndryshme, erdhën në shtëpi, kërkuan të bëhem pjesë e forumeve të partisë demokratike, më propozuan për deputet, por unë ju thashë: Jo dhe jo. Sherif Merdani e filloi aty ku e la. E la tek kënga, fillova të këndoj.

Gjithësesi, keni qënë diplomat në Itali, Rumani, apo jo?
-Po, po është e vërtetë, por nuk kërkova unë. U kujtua një Eduard Selami, që njiheshim që nga Librazhdi, të cilin e kam falenderuar dhe i jam shumë mirënjohës, që më thirri dhe më tha: “Ti Sherif Merdani je pionieri i demokracisë, çfarë mund të bëjmë për ty”. Pasi e falenderova i thashë: Me që di italisht, di frengjisht, mund të shkoj punonjës në ndonjë ambasadë. Kaq thashë. Nga 25 veta që kanë qënë kandidatë për sekretarë të parë të Ambasadës në Itali, shkova unë vetëm me firmën e Eduard Selamit. Firma e tij më ndryshoi jetën. Ja pra çfarë mund të bëjë një firmë. Firma e Marko Xegës më nxiu jetën, e Eduart Selamit ma ndriçoi jetën. Në Itali qëndrova katër vjet. Ambasador ka qenë një Hektor Dule. Pastaj, më tej kam shkuar në Ambasadën tonë në Bukuresht, ku qëndrova katër vjet e gjysëm. Pjesën tjetër punova në drejtorinë e Kulturës pranë Ministrisë së Jashtme. Pra 22 vjet kam qenë punonjës i Ministrisë së Jashtme, diplomat. Kësisoj në një farë mënyre m’u shpërblyen vitet e burgut.
 
Di që jeni martuar, keni edhe një djalë. Ndjeheni i lumtur?
-Po jam martuar me një grua katolike shkodrane. Jam shumë i lumtur nga krijimi i familjes. Gjykoj se është një nga mrekullitë që ka bërë Zoti për jetën time. Po kam edhe një djalë, muzikant, quhet Gerard, është student në vitin e parë. Ka lindur kur ishim në Itali dhe vërtetë është kujtimi më i bukur, mrekullia e Zotit, që vjen sapo unë nis misionin e diplomatit. Studjon për inxhinieri ekonomike, por është edhe muzikant i mirfilltë. Im bir edhe këndon. Sigurisht që është shumë më i avancuar se unë. Ti më kujton në Librazhd që unë i bija vetëm fizarmonikës, kurse im bir ka piano në shtëpi. Nuk i mungon asgjë për të realizuar ënërrat e tij.

Çfarë keni në plan për ditët që vijnë?
-Kam dëgjuar se do të vijë për koncert këngëtari i madh italian Al Bano Karrisi. Unë e njoh personalisht kur kam qënë në Ambasadë në Itali dhe do të ishte një dëshirë pa kufi për mua, që të këndoja një këngë me Al Banon.

Cilën këngë?
-“Nel Sole”. E këndoj në të njejtin tonalitet me të dhe shpresoj se vetë këngëtari por edhe organizatorët, do të ma jepnin këtë mundësi. Tani që po flasim për Al Banon, m’u kujtua Nefo Myftiu.

Nefo Myftiu?! Ç’lidhje ka me këngëtarin italian?
-Më lejo ta shpjegoj. Nefo Myftiu bashkëshorte e Manush Myftiut, anëtar i Byrosë Politike, ka qenë nëndrejtore e e Radio Tiranës. Për mua një grua zonjë. Sa më shihte, më thoshte: Sherif, na e çmënde rininë, na këndon si Al Bano. Ishte një grua që e donte artin shumë, pavarësisht se kush ishte. Më ka ardhur shumë keq, që pas burgut nuk e kam takuar, që ta falenderoja me gjithë zemër këtë artëdashëse të rrallë. Po e them, ndoshta për herë të parë, që nëse Sherif Merdani ka kënduar shumë këngë në atë periudhë është meritë vetëm e Nefo Myftiut. I jam mirënjohës për mbështetjen që më ka dhënë.
 
Ndoshta për shkak të Nefos ke kënduar edhe përpara udhëheqësve të lartë të regjimit?
-Unë kam kënduar përpara të gjithë anëtarëve të byrosë, përpara Mehmet Shehut disa herë. Në festivalin e shtatë të Bashkimeve Profesionale në Tiranë, jam ftuar për të kënduar dy nga këngët e mia dhe një këngë të huaj angleze. Këndova 10 kitaret, këngë angleze, e këndonte një këngëtar me mjekërr që ishte pjesë e një delegacioni të Partisë Komuniste Angleze. Më shpërblyen edhe me 25 mijë lekë, që sot i thonë 2 milion e gjysëm lekë. Por ndodhi çudia. Këtë fakt ma nxorrën në gjyq se paskam kënduar këngë të huaja. Më kishin thirrur vetë në këtë festival. Kishin programuar vetë këngët, madje më shpërblyen gati me 5 rroga dhe erdhi dita që ta shndrrojnë në akuzë... Ky ishte paradoksi, kjo ishte fytyra e regjimit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024