TIRANE-Mes aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar duket se ka nisur një përplasje, që ka sjellë ndarjen në dy grupime. Regjisori Kastriot Çipi me anë të një postimi në rrjetin social Facebook shkruan se pedagogu Ervin Goci e ka bllokuar në rrjetet sociale, si dhe nuk i përgjigjet në numrin e telefonit. Çipi kërkon nga pedagogu Goci që ta sqarojë nëse ky i fundit i ka thënë aktivistit Pano Soko që është zotuar të pengojë  Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit që të zhvillojë  debatin e radhës për sistemin zgjedhor në Teatrin Kombëtar Eksperimental (TKE) apo jo.

"Meqë pedagogu i teorisë së komunikimit Ervin Goci më ka bllokuar në Facebook dhe nuk po më përgjigjet me sms, po ia bëj pyetjen publikisht: Është e vërtetë se je zotuar të mos lejosh Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit të zhvillojë debatin e radhës në TKE? Kush komunikon me Ervin Gocin është i lutur të komentojë këtu, për të na komunikuar përgjigjen e tij. Unë do të shprehem sapo të sigurohem se ai e ka thënë vërtet atë fjalë, apo jo" shkruan Kastriot Çipi.

Postimi i Kastriot Çipit 

Mesazhi në telefon që i ka dërguar pedagogut: ‘Është e vërtetë se i ke thënë Pano Sokos se nuk do të na lejosh ti të zhvillojmë debatin për sistemin zgjedhor, të hënën në TKE?’, shkruan në mesazhin dërguar pedagogut Ervin Goci, regjisori Kastriot Çipi.

Ndërsa një komentuesi, Çipi i shpjegon dy grupimet që janë krijuar. “Prej nje muaji ka dy grupime. Aleanca (AMT) dhe Aleanca Zyrtare (AMTZ). Ne të AMT u kemi uruar suksese publikisht atyre të AMTZ, ku bën pjese Ervin Goci. Tani po perpiqemi te kuptojne çfare duan Ervin Goci & Co." shkruan Çipi.  Prej dy vjetësh aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit luftojnë për të mos lejuar prishjen e Teatrit Kombëtar, por kohët e fundit duket se ka mosmarrëveshje mes tyre, të paktën nga ajo që shikohet nga rrjetet sociale.

Përgjigja e Kastriot Çipit per nje komentues