Në një ndeshje plot emocione kundër Atletico-s, por pa gola Manchester City preu biletën për në gjysmëfinalet e Champions League. Pas fitores 1-0 në Angli ndeshja e kthimit në Madrid u mbyll 0-0, por me shumë polemika dhe zënka që nisën në fushë dhe përfunduan në dhomat e zhveshjes.
Shkak u bë një ndërhyrje e mbrojtësit Felipe që u ndëshkua me të kuq dhe më pas shpërtheu një sherr masiv. Kjo bëri që në 9 minutat shtesë të luhej shumë pak dhe të acaronte tifozët e Atletico-s dhe trajnerin Simeone, i cili nuk e kurseu ironinë ndaj Guardiolës. Për gjithçka ndodhi në fushë pati edhe një sherr masiv në hyrje të tunelit ku u përfshinë futbollistës si Savic, Grealish, Vrsalko dhe stafi i Manchester City-t. U desh ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën, ndërkohë që Guardiola u bë trajneri i parë në histori që luan 9 gjysmëfinale të Champions League.
Në gjysmëfinalet që luhen më 26 dhe 27 prill Manchester City do të përballet me Real Madrid, 180 minuta që premtojnë shumë për futbollin e bukur.
Sakaq skuadra tjetër që preu biletën gjysmëfinale të mërkurën ishte Liverpool, që pas fitores 1-3 në Portugali barazoi 3-3 në ndeshjen e kthimit kundër Benfica-s. Kundërshtari i ardhshëm për skuadrën e Kloop është Villareal, një skuadër e konsideruar si ‘hirushja’ e Champions League pasi deri më tani ka eliminuar Juventusin dhe Bayern Mynchen.