Një 48-vjeçar është plagosur me thikë mëngjesin e sotëm në fshatin Proptisht të Pogradecit, pas një konflikti që dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta. I plagosuri është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore. Policia ka kapur dhe shoqëruar në komisariat autorin e dyshuar, një 51-vjeçar.

“Plagosi me mjet prerës (thikë), 1 shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kapet dhe shoqërohet në Komisariat, autori i dyshuar. Rreth orës 09:00, në fshatin Proptisht, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi B. Ç. 51 vjeç, ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin M. Ç., 48 vjeç, i cili u transportua në spital dhe po merr ndihmë mjekësore.  

 Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, menjëherë pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë vijuar kërkimet për kapjen e autorit të dyshuar. Si rezultat i kontrolleve, është kapur në fshatin Proptisht, autori i dyshuar, shtetasi B. Ç.,  i cili është shoqëruar në ambientet e Komisariatit, për veprime të mëtejshme procedurale”, njoftoi policia.

Grupi hetimor vijon punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.