TIRANE- Alaudin Malaj, kryetari i Gjykatës së Apelit në Tiranë, njëherësh kandidati për gjyqtar në Gjykatën e Lartë, ka denoncuar tek Presidenti i Republikës Bujar Nishani dhe anëtarët e tjerë të KLD, veprimet e kundraligjshme të gjyqtarit Gjin Gjoni, i cili ushtron detyrën pranë gjykatës së Apelit. Në letrën prej 6 faqesh, të datës 3 mars 2014, të cilën “Shqiptarja.com” dhe “A1Report” e disponojnë të plotë, Malaj akuzon drejtpërdrejt gjyqtarin Gjin Gjoni, si të implikuar në një seri skandalesh gjyqësore dhe në vrasjen e një fëmijë 13-vjeçar.

Malaj shton në letrën e tij se Gjin Gjoni i ka bërë presion dhe ka dashur të ndërhyjë tek ai, për fitimin e një procesi gjyqësor, lidhur me rrëmbimin e pronës së një shtetasi amerikan, të quajtur Gerhard Haag, i cili nuk ka qënë prezent në Shqipëri, në kohën kur është lidhur kontrata fiktive. Sipas Malaj, kjo kontratë është lidhur mes rojes së godinës të kompanisë, shtetasit Petrit Çinari dhe shtetasit Agim Selimi. Sipas letrës që Malaj i dërgon presidentit Nishani dhe anëtarëve të KLD, kjo kontratë shitje është bërë në mënyrë fiktive dhe kriminale.

Mirëpo pas tjetërsimit të pronës së shtetasit amerikan, Malaj shkruan se tashmë kërkohet rrëmbimi i saj, me anën e vendimeve gjyqësore. Malaj e akuzon Gjonin se në mënyrë të vazhdueshme ka ndërhyrë dhe njëherësh ka ndihmuar shtetasin Selimi lidhur me ankimimin në KLD të një letre, që sipas Malaj, është shkruar nga vetë Gjin Gjoni, ku denonconte mënyrën e hedhjes së shortit.

Ende në gjykim
Momentalisht përplasja ligjore mes shtetasit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Gerhard Hagg dhe Agim Selimi dhe shoqëria “Dajtel” ndodhet ende në gjykim në Gjykatën e Apelit. Nga verifikimet e kryera nga gazeta rezulton se kjo kompani administron shtëpitë e pushimit në malin e Dajtit dhe jo vetëm. Ndërkohë kapitali i shtetasit amerikan në këtë kompani ka qënë 345 mijë dollarë. Në këto momente, shtetasi amerikan nuk disponon asnjë kuotë nga kjo kompani.

Ndërsa nga verifikimi i gazetës në datën 20 maj 2013, gjykata e Tiranës ka vendosur të pranojë pjesërisht kërkesë padinë e Gerhard Hagg, duke rrëzuar pretendimet e shtetasit Agim Selimi. Çështja momentalisht është rregjistruar në Gjykatën e Apelit Tiranë, aty ka tashmë ka plasur skandali i konfliktit mes dy gjyqtarëve Alaudin Malaj dhe gjyqtarit Gjin Gjoni, njëherësh anëtar KLD-je.

Shkrimi u publikua sot (12.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)