Katër shqiptarë kanë shkaktuar vdekjen e një 42-vjeçari në Greqi pasi e goditën me dorezë metalike. Ngjarja ndodhi në një lokal në ‘Sante Rock Bar’ që ndodhet në sheshin e Rafinës.

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, greku i identifikuar si Dimitris Skordas ishte në lokal me të dashurën. Në një moment shkoi në tualet dhe e ngacmuan 4 shqiptarët. Kur u kthye në tavolinën e tij, mësoi nga e dashura se e kishin ngacmuar dhe nisi konflikti.

Ata e ngritën nga tavolina dhe e nxorën duke e tërhequr zvarrë nga lokali. Kur dolën jashtë, e goditën me dorezë metalike duke i shkaktuar plagë të rënda në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit. Ndonëse u dërgua në spital për trajtim mjekësor, nuk i mbijetoi dot plagëve dhe ndërroi jetë.

Shqiptarët njihen si problematikë në zonë, shkruajnë mediat greke.

Një tjetër version i ngjarjes është se konflikti nisi gjysmë ore pasi e dashura e Dimitris u largua nga lokali. Ai shkoi në tualet, nisi të fliste me një vajzë që ishte e shoqëruar nga shqiptarët. Ndonëse nuk pati asgjë më shumë se bisedë, shqiptarët i kërkuan të largohej nga lokali. Dimitris zgjodhi të mos debatonte dhe u largua, por nuk shpëtoi nga dhuna.

Më pas e ndoqën dhe e dhunuan duke i shkaktuar vdekjen. Ndërkohë ka nisur puna e policisë greke për të identifikuar dhe kapur autorët.