Nuk munguan debatet e forta dhe akuzat te Komisioni i Sigurisë ditën e sotme, ku pati shkëmbime verbale mes deputetit të opozitës Ferdinand Xhaferraj dhe ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu e kryetarit Nasip Naço.
Teksa deputeti i PD akuzoi për shpenzime të dyshuara të një pjese të buxhetit dhe fondeve, duke thënë se “keni probleme serioze me një pjesë të mirë të industrisë dhe linjave ushtarake”, ai vuri në dukje se edhe 2% i GDP-së të caktuar nga NATO për Ushtrinë nuk qëndronte.
Xhaferraj vuri në dukje problematikat në industrinë ushtarake, por edhe cilësinë e mësimdhënies dhe teknologjinë ushtarake apo pajisjen me armë të cilësisë së lartë për qëllime mbrojtëse. Gjithashtu theksoi se edhe Emergjencat Civile nuk duhet të jenë nën kompetencën e MM-së.
“Një e katërta e buxhetit shkon për emergjencat civile dhe pagesat e ish-ushtarakëve. Një pjesë tjetër nuk dihet se për çfarë do përdoren. Në asnjë vend të botës nuk bashkohen Emergjencat Civile me Ministrinë e Mbrojtjes. Ky institucion duhet të jetë i Ministrisë së Brendshme. Nuk e dimë se si do përdoren këto fonde, pa përmendur gjendjen e shëndetësisë në ushtri”, tha deputeti ndër të tjera.
Dhe teksa fliste për cilësinë e ushtrisë dhe aspektit didaktik të saj, ka ndërhyrë ministri Vengu, që teksa mohoi konstatimet e ligjvënësit opozitar përdori edhe batutë të rastit se “nuk e kishte lexuar siç duhej raportin”, që nuk u prit aspak mirë dhe u cilësua si ironi nga Xhaferraj.
“Një kalama ministër bën ironi në Komision. Mos t’i kthehem portit të Durrësit, skandalit më të madh të abuzimit. Traktati i Varshavës është trashëgimi e juaja. Ministri bën ironi, mos më bëj ironi mua. Ti je për SPAK”, iu drejtua ashpër Xhaferraj ministrit Vengu.
Kryetari Nasip Naço ndërhyri për të qetësuar situatën e krijuar dhe tensionet, duke i kujtuar kolegut opozitar “Traktatin e Varshavës”.
“Prokurori 30-vjeçar i komunizmit më tregon mua Traktatin e Varshavës, iu drejtua ai kreut të komisionit.
Debatet u rikthyen edhe kur Vengu nisi t’i përgjigjej pyetjeve të Xhaferrajt, duke dhënë shpjegime për të gjitha kundërshtimet. Por teksa ligjvënësi akuzonte për të dhëna jo reale, Vengu u shpreh se “nuk ishte i mirëinformuar”.
Por Xhaferraj i kujtoi përsëri çështjen e Portit të Durrësit dhe se duhet të shkonte në SPAK. Ministri iu përgjigj duke i thënë se “ai ka qenë dhe është i gatshëm të japë shpjegime kudo dhe për çfarëdo”.
Lajmi kryesor: