Përplasja epike mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, pas vendimit të Bashës për t’u distancuar nga Berisha në 9 shtator 2021, ka pasjellë tkurrjen e votave të Partisë Demokratike nga 41 % që ishte në 2021 në 13 % në 2022. Në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022, në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rogozhinë dhe Lushnje, Partia Demokratike ka marrë 13.8 % të votave, duke pësuar humbjen më dramatike që nga themelimi i saj. Në zgjedhjet parlamentare të 2021, PD-ja, në 6 bashkitë përkatëse ka marrë 41.8 % të votave. Sherri Berisha-Basha, që përçau partinë dhe prodhoi ‘Shtëpinë e Lirisë’ së Berishës, i ka kushtuar PD-së humbjen e 28 % të votave.

Ndërkaq, aleanca ‘Shtëpia e Lirisë’ së Berishës dhe LSI-së së Ilir Metës, në zgjedhjet e 6 marsit 2022, në të ashtë bashkitë, ka marrë 31 % të votave. Në zgjedhjet e 2021, LSI-ja e vetëm ka marrë 7.6 % të votave. Nëse e marrin të mirëqenë që LSI-ja i ka ruajtur këto vota edhe në 2022, duke ai zbritur 31 % të Shtëpisë së Lirisë, lëvizja e Berishës në këto zgjedhje ka marrë 23 % të votave, pra 10 % më shumë se sa PD-ja zyrtare me në krye Bashën. 

I gjithë faktori opozitar, PD-ja zyrtare dhe Shtëpia e Lirisë, që përfshin edhe LSI-në, në zgjedhjet e 6 marsit 2022, kanë marrë 44 % të votave. Në zgjedhjet parlamentare të 2021, i gjithë faktori opozitar, PD-ja e Berishës dhe Bashës bashkë me LSI-në, ka marrë rreth 49 % të votave. Pra, në zgjedhjet e 6 marsit 2022, opozita në tërësi ka rënë me 5 % krahasuar me rezultatin që mori në zgjedhjet parlamentare të 2021, në 6 bashkitë përkatëse.

Ndërsa opozita ka shënuar rënie, Partia Socialiste është rritur në këto zgjedhje, ndonëse qeveris prej 9 vitesh vendin. Në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022, në të gjashtë bashkitë, Partia Socialiste ka marrë 55 % të votave. Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, në gjashtë bashkitë përkatëse, Partia Socialiste ka marrë 43.5 % të votave. Votat për Partinë Socialiste janë rritur në këto zgjedhje, duke thelluar diferencën me opozitën me 11 %. Nëse do të ruhet ky trend, Partia Socialiste do të fitonte me lehtësi zgjedhjet lokale të 2023 dhe zgjedhjet parlamentare të 2025.