Shqipëria e minifutbollit dhuroi një tjetër rezultat pozitiv në kampionatin botëror të përfunduar pak ditë më parë në Gjermani. Kuqezinjtë e Irtan Sejkos arritën të jenë mes 16 më të mirave në botë, duke u eliminuar në 1/8-t nga Brazili me rezultatin 7-2. Në këtë kompeticion, ndryshe nga të kaluarit, pati ndryshime të mëdha në përbërje.
“Nuk kemi qenë shumë entuziast për ecurinë e ekipit, sepse kishim një ekip komplet të ri. Me mungesa drastike si Kejdi Myrta, Endrit Kaca, Xhulio Reçi, Erald Leci, Mario Demi, Mand Gapi. Lojtarë të cilët ndër vite kanë dhënë kontribut te Kombëtarja. Realisht performanca ishte përtej pritshmërive tona,"-u shpreh Irtan Sejko, trajner i kombëtares së minifutbollit.
Në Gjermani, ashtu si në të kaluarën, ra në sy numri i lartë i tifozëve që mbështetën kuqezinjtë.
“Si në 2023 ashtu edhe në 2026 publiku më I zjarrtë që është në shkallët e stadiumit në Essen është publiku shqiptar. Këtë e thonë edhe autoritet locale atje. Ishim të vetmit që arrinim të mbushnim stadiumin dhe të vetmit që arrinim të blinim biletat në çdo ndeshje të zhvilluar,”-tha Irtan Sejko, trajner i kombëtares së minifutbollit.
Situata në mbështetjen e kombëtares së minifutbollit nuk është më e njëjta. Në intervistën për Report TV trajneri i kuqezinjve thonë se kanë patur vështirësi në kompeticionet e fundit.
“Si FSHF ashtu edhe Ministria e Sporteve nëqoftëse nuk e kanë në fokus këtë lloj sporti do jetë e vështirë. Kemi patur më përpara deri diku një lloj mbështetje nga FSHF, por që në dy kompeticionet e fundit nuk e kemi më. Nuk kërkojmë salltanate, paga e gjëra të tjera. Ne kërkojmë mbështetje akomodim, udhëtim, ushqim në kompeticionet ku marrim pjesë. Në rastin konkret ne shkuam pa doktor në kompeticion,”-deklaroi Irtan Sejko, trajner i kombëtares së minifutbollit.
Në Botërorin e zhvilluar në Gjermani bëri shumë bujë edhe sherri në përfundim të sfidës Shqipëri-Brazil, që sipas Sejkos kishin qenë miq më parë për shkak të qëndrimit në të njëjtin hotel.
“Kur u mësua se ndeshja do të jetë Shqipëri-Brazil ndryshoi komplet qasja e tyre. Nuk morë më as mirëmëngjesi. Dhe një ditë para ndeshjes vijmë me bluzën e Serbisë. Ditën e ndeshjes një reagim shumë i ftohtë dhe kur filloi ndeshja nisën provokimet si ndaj lojtarëve, publikut dhe stafit. Ne fatkeqësisht ramë pre e provokimeve të tyre që nuk u sanksionuan as nga arbitrat që unë ua kërkova disa herë,”-u shpreh Irtan Sejko, trajner i kombëtares së minifutbollit.
Sipas trajnerit të kombëtares pas përfundimit të ndeshjes Brazili u largua nga hoteli dhe kërkoi falje për provokimet.










Komente
Komento