TIRANE - Një 50-vjeçari i kërkon Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje për vete dhe për tre fëmijët e mitur të tij, me pretendimin se dhunohet nga e shoqja. Qamil Çerpja ka regjistruar pak kohë më parë një kundër-padi, në të cilën parashtron, se ajo ka rrahur dhe ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj fëmijëve të saj M.Ç, Sh.Ç dhe D.Ç, në kohën kur ai ka punuar si emigrant në Greqi.

Rasti u bë public pak kohë më parë në emisionin “Urganika” në Tv A1 Report. Fillimisht ka qenë bashkëshortja Rabije Çerpja, e cila i kërkoi së njëjtës gjykatë urdhër-mbrojtje. Pas problemeve të shumta familjare çifti bëri dhe kërkesën për divorc, pas të cilit Gjykata vendosi që t’i linte fëmijët në kujdestari të të atit. Gjithashtu, u vendos që bashkëshortët të banonin në të njëjtën banesë, pa pasur kontakt me njëri-tjetrin.

Kundër-padia
Në kundër-padinë që mban firmën e Qamil Çerpes, kërkohet që gruaja të mos kryejë dhunë ose të mos kërcënojë, se do të ushtrojë dhunë ndaj kryefamiljarit dhe tre fëmijëve të mitur, të mos ngacmojë, kontaktojë apo komunikojë drejtpërsëdrejti apo në mënyrë të tërthortë me ta, si dhe të urdhërojë dhe të lejojë të paditurin dhe fëmijët që të posedojnë banesën bashkëshortore në Kodër Kamzë, në lagjjen, Paskuqan 1. Pjesë e padisë është edhe urdhri që 37-vjeçarja Çerpja të largohet nga banesa dhe të mos u afrohet fëmijëve brenda një distance prej 50 metër. Në padinë e 50-vjeçarit pretendohet, se e ëma ka ushtruar dhunë të egër fizike ndaj fëmijëve, duke i goditur ata me sende të forta dhe duke i djegur në trup. Regjistrimi i padisë erdhi pas urdhrit të mbrojtjes që Gjykata kishte lëshuar pak kohë më parë për Rabije Çerpen, e cila pretendonte nga ana e saj që dhunohej nga i shoqi.

Ngujimi i fëmijëve
 Pas jetesës në dhoma të ndara të gruas nga njëra anë, si dhe paditësit dhe fëmijëve nga ana tjetër, me anë të vendimit të gjykatës, duket se konfliktet brenda familjes nuk kanë marrë fund. Fëmijët kanë pretenduar se dhuna ka vijuar nga ana e së ëmës, dhe nga mesi i muajit dhjetor të vitit 2012, ata kanë braktisur shkollën dhe kanë vendosur të ngujohen për t’i dhënë fund dhunës. Ky akt i ndërmarrë prej tyre është pasqyruar edhe në kundër-padinë e të atit, i cili me anë të avokatit të tij mbrojtës ka kërkuar që gjykata të caktojë një psikolog apo punonjës social që të kontaktojë të miturit, me qëllim dhënien fund të kësaj situate.

KEQTRAJTIMET


Divorci, gjykata ia la kujdestarinë e fëmijëve babait
Çifti Çerpja është përfshirë në denoncime dhe padi të njëpasnjëshme. Fillimisht ka qenë Rabije Çerpja, e cila ka paditur bashkëshortin për dhunë, dhe Gjykata e Shkallës së Parë i ka lëshuar udhër-mbrojtje të menjëhershëm. Pak javë më vonë, Qamil Çerpja i është drejtuar të njëjtës Gjykatë me të njëjtin pretendim, duke kërkuar mbrojtje për vete dhe tre fëmijët. Gjatë kësaj kohe, e njëjta gjykatë ka shqyrtuar kërkesën për divorc të çiftit, duke i lënë në kujdestari të atit tre fëmijët, për të cilët ekspertët mjeko-ligjorë arritën në konkluzionin se ndaj tyre ishte ushtruar dhunë. Në praninë e psikologut, gjykata mori në pyetje vajzën dhe dy djemtë e familjes, të cilët pohuan se ishin keqtrajtuar sistematikisht nga e ëma, në kohën kur i ati ndodhej në emigrim në Greqi.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 12 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarhja.com)