Amanda Xhaferi pak ditë më parë i është drejtuar me një letër ambasadorit të SHBA në Tiranë Donald Lu, të cilin e ka vënë në dijeni për shkeljet dhe abuzimit që ka kryer shefi i prokurorisë Dritan Gina. Xhaferi mësohen se në letrën e saj i shpreh shqetësime ambasadorit Lu, duke i shkruar se tre procedime penale që ajo po hetonte janë marrë në mënyrë të paligjshme nga kryeprokurori i komanduar Dritan Gina. Ndër të tjera Xhaferi përmend në letrën dërguar ambasadorit se prokurori Gina ka shkelur një sërë dispozitash ligjore dhe se ka mbajtur një qëndrim jo të drejtë.
Pikërisht këtë letër mësohet se Xhaferi ia ka dërguar dhe Ambasadores së Bashkimit Europian në Tiranë Romana Vlahutin, duke e vënë në dijeni për atë që ka ndodhur në prokurorinë e Elbasanit, mes saj dhe drejtuesit të prokurorisë Dritan Gina. Mësohet se të njëjtën letër ankesë prokurorja Xhaferi ja ka dërguar dhe Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, duke e vënë në dijeni këtë të fundit për shkeljet dhe abuzimit me detyrën që ka bërë drejtuesi i komanduar Dritan Gina. E njëjta letër ankesë i ka shkuar dhe ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj. Sipas prokurores Xhaferi drejtuesi i prokurorisë në mënyrë të qëllimshme,pa shkak dhe në kundërshtim me ligjin ka vendosur ti heqë tre dosje penale, ku njëra prej tyre flet për abuzimin në kompaninë e çelikut “Kurum”.
Tashmë prokuroria i është drejtuar policisë së Elbasanit me një kallëzim duke akuzuar Dritan Ginën për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. E kontaktuar në telefon nga “Shqiptarja.com” prokurorja Amanda Xhaferi, konfirmoi depozitimin e kallëzimit në policinë e Elbasanit. Xhaferi sqaroi se çështja lidhet me tre dosje të cilat janë marrë në mënyrë arbitrare, pa dijeninë e saj dhe pa dëshirën e saj nga kryeprokurori Dritan Gina. Xhaferi nuk pranoi të japë shumë detaje se për çfarë bëhet fjalë konkretisht në këtë tre dosje, por tha se tashmë kallëzimi dhe dëshmia e saj, ndodhet në policinë e rrethit Elbasan.
Këto tre procedime penale, kanë qenë duke u hetuar pikërisht nga prokurorja Xhaferi, e cila ushtronte detyrën e saj pranë seksionit të Task-Forcës. Mirëpo pas ndryshimeve të seksioneve në këtë prokurori është bërë dhe një shpërndarje e re e dosjeve penale. I kontaktuar në telefon, prokurori Dritan Gina, tha se asnjë dosje nuk është marrë me forcë dhe asnjë dosje nuk ka humbur, pasi çdo material i këtyre dosjeve ndodhet në prokurori. Dosjet janë shpërndarë në seksione të ndryshme, ku ato që ka pasur njësia Task-Forcë, i ka marrë seksioni për krimin-ekonomik pranë kësaj prokurorie.
dy.b/shqiptarja.com