Në njëvjetorin e vrasjes së Agim Arapit në Durrës, janë publikuar pamje nga momenti i sherrit dhe tre protagonistëve. Asokohe sipas policisë, Arapi u godit për vdekje me mjete të forta nga dy vëllezërit Kostandin dhe Kujtim Ekonomi, si dhe dhëndri i Konstandinit, Jurgen Kurti pas një sherri për qiranë.

Bashkëshortja e tij, Vjollca, dëshmitare okulare, tregon se gjatë këtij viti janë bërë hetime dhe gjykime, por autorët e vërtetë janë jashtë hekurave të burgut. Dhe, sipas saj, gjithçka ka qenë e stisur, pasi prokurorët dhe gjyqtarët kanë marrë lekë.

Fiks Fare transmetoi pamjet e tre kamerave të sigurisë, të instaluara në disa biznese në Durrës. Në këto pamje duket se në vendngjarje janë tre persona; Jurgen Kurti dhe Kujtim dhe Konstandin Ekonomi. Në pamje duket edhe bashkëshortja e viktimës, e cila me duart në kokë lëviz me shpejtësi.

Bashkëshortja e viktimës, Vjollca kërkon me forcë burgosjen e Jurgen Kurtit, për të cilin thotë se “është përgjegjës për dy vrasje, burrit tim dhe babait të tij”. Pas ngjarjes së 11 prillit 2017, Jurgen Kurti u shoqërua nga policia dhe më pas u la i lirë, ndërkohë, dy të akuzuarit e tjerë, Kujtim dhe Konstandin Ekonomi u arrestuan. Kostandini u shpall i pafajshëm, ndërsa Kujtimi u dënua me 5 vite burg për vrasje nga pakujdesia. Top Channel