SERBI - Ish-zëvendëskryeministri i Serbisë, Vojislav Sheshel udhëhoqi sot një protestë paqësore kundër ish-aleatëve të tij politikë që aktualisht kryesojnë qeverinë e Serbisë. Në sheshin ‘Republika’, rreth 3 mijë persona me flamuj dhe portrete me imazhin e Sheshel në duar dëgjuan fjalimin e udhëheqësit radikal në tubimin masiv që kaloi pa incidente.

Sheshel përsëriti sërish sot se ish-bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, Tomislav Nikoliç dhe Aleksandër Vuçiç kanë tradhtuar Serbinë, duke vënë në dukje se tashmë Serbia ka nevojë për një politikë të re ekonomike dhe të forcojë aleancën me Rusinë.

“Ne duam bashkëpunimin ekonomik mbi bazën e barazisë dhe të mos na poshtërojnë. Partia Radikale serbe do që Shqipëria të integrohet sa më shpejt të jetë e mundur drejt Rusisë dhe aleatëve të saj, jo në Bashkimin Europian. As populli serb nuk dëshiron BE-në sepse janë armiqtë tanë. 23 vende nga 28 e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo është e dhimbshme. Ndërsa sot, ata që luftonin për kauzën e Serbisë së Madhe po ballafaqohen me amerikanët dhe perëndimorët.”

Menjëherë pas protestës, mbështetësit radikalë kanë marshuar në rrugët qendrore të qytetit. Analistët politikë besojnë se kthimi i Vojislav Sheshel nuk do të sjellë një lëkundje të rëndësishme në skenën politike serbe. Sipas tyre, pritet të rritet mbështetja e partisë radikale dhe të ulet popullariteti i partisë në pushtet, veçanërisht partive të vogla.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)