Sheshi historik Grand-Place në Bruksel është shndërruar edhe këtë vit në një tapet gjigant me lule, një nga atraksionet më të njohura të kryeqytetit belg. Edicioni i 24-t i "Flower Carpet" është frymëzuar nga Japonia dhe vepra e famshme "Vala e Madhe pranë Kanagavas" e artistit japonez Katsushika Hokusai.
Tapeti është projektuar nga artisti japonez Hiro Sugiyama dhe është realizuar me më shumë se 700 mijë lule, kryesisht dahli, një nga lulet simbol të Belgjikës. Instalacioni ka përmasa rreth 70 metra të gjatë dhe 24 metra të gjerë.
Sugiyama punoi për tetë muaj mbi projektin. Fillimisht kishte menduar ta realizonte me më shumë ngjyra, por për shkak të kohës në dispozicion u kufizua në një paletë prej 16 ngjyrash.
"Fillimisht isha disi i shqetësuar për numrin e kufizuar të ngjyrave, por kur pashë rezultatin përfundimtar kuptova se nuk kisha pse të shqetësohesha. Duket i mrekullueshëm", tha ai.
Ky edicion shënon edhe 160-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Belgjikës dhe Japonisë. Sipas organizatorëve, tapeti me lule nuk është vetëm një vepër artistike, por edhe një simbol i bashkëpunimit mes dy vendeve dhe kulturave.
Për realizimin e tij punuan më shumë se 100 vullnetarë, të cilëve iu deshën rreth gjashtë orë për të vendosur lulet sipas modelit të përgatitur paraprakisht. Në aktivitet mori pjesë edhe ambasadori i Japonisë në Belgjikë, Takeshi Osuga, i cili ndihmoi në vendosjen e luleve.
Tradita e tapetit me lule në Grand-Place zhvillohet çdo dy vjet dhe daton që nga viti 1971. Përveç dahlive, instalacioni përfshin edhe begonia, bar dekorativ dhe lëvore druri.
Vizitorët mund ta shohin nga afër duke ecur rreth tij ose nga ballkoni i Bashkisë së Brukselit. Tapeti me lule do të qëndrojë i ekspozuar nga 13 deri më 16 gusht.










Komente
Komento