Një 24-vjeçar shqiptar ka apeluar vendimin e gjykatës së shkallës së parë në Gent të Belgjikës që e dënoi me 30 muaj burg për vjedhje bizhuterish.
I riu kishte hyrë në një banesë në De Pint, ku banonte një grua që në momentin e vjedhjes, ndodhej në udhëtim. Kur vëllai i saj kaloi aty për të ujitur lulet, gjeti shtëpunë të kthyer përmbys dhe kasaforta prej 400 kilogramësh, ishte zhdukur.
Në kasafortë ndodheshin shumë sende me vlerë: medalje të vjetra ushtarake, unaza fejese, bizhuteri me vlerë deri në 50.000 euro dhe albume fotografish. Falë analizave të ADN-së, shqiptari u identifikua dhe u arrestua. Ai deklaroi se kishte qenë nën ndikimin e alkoolit dhe drogës.
Avokatja e tij, Pauline Collin, theksoi se faktet nuk kundërshtohen.
“Klienti im nuk erdhi nga Shqipëria këtu me qëllimin për të kryer vepra penale”, deklaroi ajo në gjykatë.
I riu ishte dënuar disa herë në të kaluarën për vjedhje.
“Ai fillimisht punonte në një kafene dhe më pas në ndërtim, por për shkak të shoqërisë së keqe filloi të përdorte drogë dhe alkool. Edhe në kohën kur kreu vjedhjen, ishte nën ndikimin e tyre.”
“Më vjen shumë keq”, tha vetë 24-vjeçari. “Kam bërë gabime të rënda. Nuk isha vetvetja.”
Ai tha gjithashtu se, sapo të lirohet, do të kthehet në Shqipëri. Vendimi i gjykatës shpallet më 24 nëntor.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë









Komente
Komento