Ngjarja ndodh në Venecia. Volpone është personazhi kyç, një plak i pasur në prag të vdekjes, por tepër lakmues dhe me shpirt aventurier, i cili së bashku me shërbëtorin e tij besnik, Moskën nisin të thurin intriga dhe lojë dinake, që përbëjnë esencën e të gjithë shfaqjes “Volpone”, me regji të Adonis Filipit, që ngjitet në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në datë tetë dhe 9 nëntor.
Volpone premierën e ka pasur në Teatrin Skampa. Është një perfomancë që është mirëpritur edhe ka marrë vlerësime të veçanta. Problematika që trajton është shumë e ndjeshme për kohën, siç janë ato të makutërisë dhe lakmisë për para, të cilat shoqërojnë shoqërinë njerëzore.
Adonis Filipi, regjisor
Moska një mashtrues i lindur ka për qëllim t’i zhvatë të tre personazhet, si Voltore (avokati), Korbaco (oborrtar) dhe Korvinon (tregtar), duke i premtuar secilit prej tyre se do të jetë trashëgimtar i pasurisë së padronit të vet. Të tre pretenduesit e ashtuquajtur, tre karaktere krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri bien pre e mashtrimit, duke i dhënë në këmbim diamante, margaritarë gjithfarë sendesh me vlerë, vetëm e vetëm për t’i hyrë në zemër plakut patrik e si rrjedhojë të ishin zotërues të testamentit të tij. Madje lakmia e sëmurë e njërit prej personazheve Korvinos, arrin deri në atë pikë sa bëhet i gatshëm të ofrojë edhe nderin e gruas së tij për Volponen edhe pse pa dëshirën e saj.
Ndërsa, këndvështrimi artistik edhe estetik i veprës krijon mjaft atraksion për audiencën. Shpresoj që interesi i spektatorit dhe komunitetit artistik është shumë i ndjeshëm, në vazhdim do të thosha që pjesë e agjendës së tij, do të jetë edhe festivali teatror që mbahet në Gjirokastër në 10 nëntor.
Adonis Filipi, regjisor
Shfaqja “Volpone” vjen në lojën e Helidon Finos, Ligoraq Rizo, Ilirda Bejlerit etj.