Shfuqizimi i 20 shkurtit, Bregu
sulmon Bashën: Partia “tokë e zanun”

Shfuqizimi i 20 shkurtit, Bregu<br />sulmon Bashën: Partia “tokë e zanun”<br /><br>
Pas vendimit të PD për të depozituar një projektligj në Kuvend, ku kërkon ndryshimin e datës për përkujtimin e viktimave të regjimit komunist ka reaguar ish-deputetja Majlinda Bregu.  Ajo e cilëson si të turpshme iniciativën dhe tallje me dekomunistizimin, ndërsa sulmon Bashën për veprimet e ndërmarra në drejtimin e partisë.

Kështu nis, hiqen simbolet e Partisë në fushatë; vritet memoria historike e Partisë; shkatërrohet grupi parlamentar; flaket ideologjia; të braktisin shtresat mbështetëse dhe pastaj ngulet tabela në hyrje të selisë së Partisë: “Tokë e zanun! Ndalohet kalimi!”. Ish-deputetja e PD ironizon firmëtarët e nismës kur shprehet se “Shpresoj shumë që dikush nga deputetët firmëtarë të jetë ngatërruar pa dashje në vendosjen e firmës për këtë projektligj’.

Gazeta Shqiptarja. com zbuloi sot se Partia Demokratike, tashmë nën drejtimin e Lulzim Bashës, kërkon që 20 Shkurti 1991, dita e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, të hiqet si datë për përkujtimin e viktimave të regjimit komunist. Gjithashtu, Partia Demokratike kërkon që të hiqet edhe parashikimi ligjor për përkujtimin e kësaj dite. Nëntë deputetë të Partisë Demokratike, mes të cilëve edhe Edi Paloka, Grida Duma, Ervin Salianji, Flamur Noka, Genc Pollo, Edmond Spaho etj., kanë depozituar një projektligj në Kuvend, ku kërkojnë ndryshimin e datës për përkujtimin e viktimave të regjimit komunist.


STATUSI I MAJLINDA BREGUT
Partia Demokratike ka depozituar një projektligj të firmosur nga një grup deputetesh, i cili parashikon shfuqizimin e datës 20 shkurt, si dita e përkujtimit të viktimave dhe përkujtimit të komunizmit në Shqipëri, duke kërkuar që kjo datë të jetë data 26 shkurt 1951. Si dita ku u ekzekutuan pa gjyq 22 intelektualë. Kjo ditë kujtohet ndryshe edhe si dita e bombës në oborrin e ambasadës sovjetike. 26 shkurti është një nga shumë data të dhimbshme të diktaturës së egër në Shqipëri. U ekzekutuan 5557 burra dhe 450 gra, 26 768 persona u burgosën, 998 vdiqën burgjeve, 308 persona u çmendën nga torturat, mbi 32000 u internuan dhe u dëbuan, 7002 persona vdiqën në kampet e punës dhe 11 656 persona u arrestuan. Nga këta persona 958 u vranë pa asnjë vendim gjykate.

Ajo që nuk bën sens nuk është siç po duan ta interpretojnë disa media, ndryshimi i një ligji të Sali Berishës me një ligj të Lulzim Bashës. Eshtë mundim i tepërt se këtu s’ka vend e nevojë për ndonjë krahasim.

Ajo që është e turpshme është tallja me dekomunistizimin.

1- Pse duhet shfuqizuar dita simbol e 20 shkurtit? Datat përkujtimore nuk shfuqizojnë njëra/tjetrën.

2- Pse mos të shtohej në ligj edhe data 26 shkurt?

3- A është ky problemi më i madh që ka PD-ja sot?!

4- Pse Lulzim Basha nuk propozon një projektligj për të ndaluar depërtimin në institucionet e shtetit dhe për të nxjerrë jashtë sistemit të drejtësisë, bashkë me Vettingun, ata gjyqtarë dhe prokurorë që sot kanë depërtuar edhe në KLGJ e KLP, të cilët mbajnë vulën e dënimeve politike para rënies së komunizmit?

5- Në shtator të 2017 Lulzim Basha mori përsipër hartimin e ligjit për ndalimin e përdorimit të simboleve të komunizmit dhe dënimin e atyre që i përdorin, sipas modelit Gjerman. C’ndodhi me te?

6. Pse nuk u mor vesh kurrë kush nga grupi antikomunist i Bashes, i dhuroi tre vota Gramoz Rucit që të zgjidhej kryetar Parlamenti?

Shpresoj shumë që dikush nga deputët firmëtarë të jetë ngatërruar pa dashje në vendosjen e firmës për këtë projektligj.

Por kjo nuk lehtëson aspak liderin demokrat, “intelektual”, “progresist” dhe “antikomunist”, Lulzim Basha!

Është akti i radhës të dashur miq.

Kështu nis: hiqen simbolet e Partisë në fushatë;vritet memoria historike e Partisë; shkatërrohet grupi parlamentar; flaket ideologjia; të braktisin shtresat mbështetëse dhe pastaj ngulet tabela në hyrje të selisë së Partisë: “Tokë e zanun! Ndalohet kalimi!”

d.b/shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit