Reshjet e shiut dhe borës gjatë natës dhe orëve të mëngjesit kanë shkaktuar probleme të lokalizuara në disa akse rrugore në zonat malore të qarkut Shkodër.
Akset më të prekura nga moti i keq janë Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth. Në këtë të fundit, reshjet e shiut të përziera me borë kanë nxitur autoritetet të vendosin në qarkullim dy mjete borëpastruese për pastrimin e rrugës.
Në gatishmëri ndodhen edhe dy mjete borëpastruese me thikë dhe dy mjete borëpastruese me shnek, për ndërhyrje të menjëhershme sipas nevojës. Borëpastrueset kanë qenë gjatë gjithë natës në punë edhe për mbajtjen hapur të aksit Qafë Thore–Theth.
Si pasojë e reshjeve, ka pasur shembje e rrugës në aksin Ura e Shtrejtë–Prekal, në vendin e quajtur “Shkallë Logje”. Aksi është bllokuar dhe është vendosur sinjalistikë për të shmangur çdo rrezik, ndërsa po punohet për vlerësimin e dëmtimit dhe normalizimin e qarkullimit.
Në territorin e Bashkisë Malësi e Madhe reshjet kanë pushuar. Tre borëpastruese po kriposin aksin Tamarë–Vermosh për të vijuar qarkullimin.
Në Bashkinë Vau i Dejës reshjet e shiut kanë pushuar, por në disa njësi janë raportuar shkëputje të energjisë elektrike. Grupet e punës ndodhen në terren për rikthimin e energjisë.
Në Bashkinë Fushë-Arrëz vijojnë reshjet e shiut me intensitet të lartë. Janë shënuar rënie gurësh dhe dherash në rrugët rurale, por akset mbeten të kalueshme dhe qarkullimi kryhet pa probleme.
Si pasojë e motit të keq, pa energji elektrike prej më shumë se 24 orësh kanë mbetur fshatrat e njësive administrative Iballë dhe Fierz.
Probleme me energjinë elektrike raportohen edhe në njësinë administrative Gjegjan, si dhe ndërprerje të herëpashershme në qytetin e Pukës ku vijojnë reshjet e shiut dhe fryn erë e fortë.
Në Lezhë, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 85 mm reshje shiu. Nuk raportohen probleme me kanalet kulluese, argjinaturat apo digën e Rezervuarit të Shkodrës, ndërsa nivelet e lumenjve Buna, Drin, Kir, Gjadër dhe të rezervuarit mbeten nën kuotat e rrezikut për përmbytje.
Qarkullimi vijon normalisht në të gjitha akset rrugore ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore.
Reshjet e shiut me intensitet të lartë do të përfshijnë vendin duke nisur nga pasditja e sotme dhe do të vijojnë edhe nesër (4 janar), kryesisht në veriun dhe jugun e Shqipërisë.
Sipas parashikimeve, në qarqet Shkodër dhe Kukës ekziston rreziku për vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë si dhe rrëshqitje dherash.
Instituti i Gjeoshkencave njofton se gjatë periudhës 3–7 janar 2026 priten reshje intensive, të cilat do të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve të lumenjve Drin-Buna, Liqeni i Shkodrës, lumi Mat, Shkumbin dhe Vjosë.
Temperaturat për ditën e diel pritet të luhaten nga 13 deri në 17 gradë Celsius në zonat bregdetare, nga 10 deri në 18 gradë në zonat e ulëta dhe nga 4 deri në 12 gradë në zonat malore.
Njoftimi i Institutit të Gjeoshkencave:
'Sot pasdite (e shtunë, dt. 03) dhe nesër (e diel, dt. 04) do të ketë reshje me intensitet të lartë kryesisht në veri dhe jug të vendit. Në qarqet Shkodër dhe Kukës mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjëndjes së kanalizimeve.
Sipas llogaritjeve të IGJEO përgjatë datave (3 -7 Janar 2026) priten reshje intensive, kryesisht në veri dhe jug të vendit. Këto reshje do të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Drin-Buna, Liqeni Shkodrës, lumi Mat, Shkumbin dhe Vjosë.Reshjet
Sot pasdite (shtunë, dt. 03) dhe nesër (e diel, dt. 04) priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Shkodër dhe Kukës, ndërsa në qarqet Dibër, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër priten mesatare deri lokalisht intensive shoqëruar me shtrëngata. Në qarqet e tjera priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare. (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).
Temperatura
Nesër (e diel, dt. 04) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 13/ 17 °C
në vendet e ulëta: 10 / 18 °C
në vendet malore: 4 / 12 °CEra
Sot pasdite (shtunë, dt. 03) dhe nesër (e diel, dt. 04) era pritet të fryjë mesatare deri e fortë në bregdet dhe në veri.
Komente











Lajm fantastik per turizmin dimeror
Përgjigju