Rritja e çmimeve të hidrokarbureve dhe tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme po reflektohen në ulje konsumit të karburanteve. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, në vend importi i karburanteve ka rënë me rreth 11 mijë tonë, ku rënia më e madhe u regjistrua në prill.
Bordi i Transparencës, uli me 5 lekë çmimin e naftës, e cila do të tregohet me 190 lekë për litër. Në mbledhjen e kësaj të mërkurë, bordi vendosi që edhe benzina të shitet me 179 lekë për litër ose 3 lekë më pak sesa më përpara.
Edhe pse prej ditësh duket se ka qetësi në bursat ndërkombëtare, pasiguria prej luftës në Lindjen e Mesme është e larta. Për shkak të shtrenjtimit të shpejtë të çmimit të hidrokarbureve gjatë prillit, u ul direkt edhe konsumi në tregun vendas.
Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se në prill u importuan në total 52 mijë tonë karburant, ose afro 8700 tonë më pak se prilli i vitit të kaluar.
Kurse si total për periudhën 4-mujore importet e karburantit arritën në 207 mijë tonë ose 5.3% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Shkaku kryesor për këtë tkurrje është rritja e shpejtë e çmimit, sipas INSTAT në prill një litër naftë kushtoi mesatarisht 205.7 lekë, nga 173.3 lekë që ishte para se të niste lufta në Iran. Edhe pse gazi nuk është pjesë e vendimmarrjes së bordit, çmimi i tij nga fillimi i luftës rezulton të jetë rritur me 10.3 lekë për litër. Aktualisht gazi kushton 67 lekë në pikat e tregtimit me pakicë.
Por edhe pse është ulur importi, buxheti nuk ka humbur para. Pasi ulja e sasisë së importuar është kompensuar e madje tejkaluar me çmimin. Sa më shumë rriten çmimet në import aq më shumë përfiton buxheti nga TVSH-ja. Nga ky zë të ardhurat në prill u rritën me 8.6 milionë euro krahasuar me vjet.
Ekonomia po përjeton një realitet të ri deklarojnë institucionet publike, ndikuar direkt nga lufta në Lindjen e Mesme, që mund të sjellin pasoja serioze edhe për ekonominë tonë, nëse konflikti zgjatet. Ndërsa pritshmëritë për rritjen ekonomike janë tkurrur në 3.3 deri 3.4% për këtë vit.
Komente








