Shifrat/Rreth 157 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në BE nga viti 2013, renditen pas shteteve të luftës

Shifrat/Rreth 157 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në BE nga viti 2013, renditen pas shteteve të luftës

Azilkërkues shqiptarë të kthyer në aeroportin e Rinasit

Shqipëria renditet e shtata në botë për numrin e azilkërkuesve në Bashkimin Europian në vitin 2017, pas shteteve që i ikin luftës, si Siria, Iraku, Afganistani, Pakistani dhe Eritrea, më 26 mijë aplikime. Që nga viti 2013, rreth 157 mijë qytëtarë shqiptarë kanë bërë kërkesë për azil, ku numri më i lartë ishte në 2015-n, me rreth 69 mijë persona, për të zbritur më pas në 33 mijë persona në 2016-n. 

Shifrat janë bërë të ditura në Raportin vjetor të situatës së azilantëve, të sapo publikuar nga Bashkimi Europian. Raporti i referohet periudhës 1 janar -31 dhjetor 2017. Edhe pse me normën më të ulët të pranimeve dhe numrin më të lartë të tërheqjeve nga procedura, Shqipëria vijon të renditet në 10 shtetet me numrin më të lartë të azil kërkuesve (4% e totalit). Bazuar në të dhënat e raportit në 2017-n 10% e aplikantëve ishin tërhequr nga kërkesa e tyre, ndërsa norma e pranimit vijon të mbetet ndër më të ulëtat.  Nisur nga kriteret e forta për pranimin e kërkesës për azil pjesa më e madhe e azilkërkuesve shqiptar heqin dorë nga procedurat e azilit. Franca, Luksemburgu dhe Norvegjia kanë përqindjen më të lartë.

Referuar raportit vjetor që prej 2013-s, Siria, Iraku dhe Afganistani janë tre shtetet kryesore të origjinës së aplikantëve për azil. Afërisht 15% e të gjithë azilkërkuesve ishin me origjinë nga Siria, me Irakun të renditur të dytin dhe Afganistanin të tretin, ku secili përfaqësonte rreth 7% të origjinës së azilkërkuesve në BE. Këto vende ndiqeshin nga Nigeria, Pakistani, Eritrea, Shqipëria, Bangladeshi, Guinea dhe Irani.

Në raport thuhet se vendet me normë më të ulët të pranimit të kërkesës për azil janë vendet e Ballkanit Perëndimor si Shqipëria, Kosova apo Serbia. Në 2017-n, 29% e pranimeve të kërkesave të azilkërkuesve në Francë iu dhanë shtetasve shqiptarë, një vend që ka një normë shumë të ulët të pranimit të kërkesave të përgjithësi.

Shqipëria vijon të listohet në top 10 vendet me numrin më të lartë të aplikantëve për azil në Bashkimin Europian, ku sipas të dhënave 4% e azilkërkuesve ishin me origjinë nga Shqipëria. Megjithatë numri i aplikantëve për herë të parë ka ardhur në rënie. Në 2016-n sipas raportit numri i aplikantëve nga Shqipëria ishte 32985, ndërsa në 2017-n numri i aplikantëve shënoi 26060. Shqiptarët u renditën të shtatë pas vendeve ku konfliktet civile vijojnë.

Shtete me popullsi shumë më të madhe se Shqipëria, si Rusia dhe Turqia kishin rreth 16-17 mijë aplikime në 2017-n. Serbia kishte 8305 aplikime, Kosova rreth 7600 dhe Maqedonia rreth 6900.

Tërheqja e aplikimeve
Individët që aplikojnë për azil mund të tërheqin kërkesën e tyre gjatë procedurave të shqyrtimit (përpara se të jepet vendimi final për kërkesën).  Tërheqja e kërkesës mund të jetë e qartë, ose në mënyrë të nënkuptuar (kur një aplikant nuk dihet se ku është ose nuk paraqitet më në intervistë).

Në mesin e shteteve  që kanë numrin më të madh të tërheqjeve nga aplikimet është Shqipëria. Nga totali i aplikimeve, 10% e tyre u tërhoqën.

Megjithatë pjesa më e madhe e tërheqjeve nga kërkesa për azil nga individët nga Shqipëria u bë në mënyrë të qartë (direkte, ku individi e bën zyrtare vendimin për t’u tërhequr nga aplikimi). 66% e aplikantëve të tërhequr nga Shqipëria e morën vendimin në mënyrë zyrtare. Pjesa tjetër e të tërhequrve rreth 34% nuk u paraqitën në fazat e mëtejshme të procedurave. Vetëm në Francë (vendi me nr. më të lartë të aplikimeve nga shqiptarët në 2017-n) u regjistruan rreth 1400 raste të tërhequra nga procedurat. Përqindje të lartë të tërheqjeve kishte edhe në Luksemburg dhe Norvegji. Në total janë rreth 2600 kërkesa janë tërhequr.

Vendi me përqindjen më të lartë të kërkesave të tërhequra është Gjermania. Ndërsa për sa i përket çështjeve të bllokuara 9% (më e larta) e çështjeve për kërkesë për azil në Angli janë të shtetasve shqiptarë. 





/monitor/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

'Shkodra Elektronike' fitoi Fest 63, kryetari Beci mirëpret këngëtarët në ambientet e bashkisë

'Shkodra Elektronike' fitoi Fest 63, kryetari Beci mirëpret këngëtarët në ambientet e bashkisë